Burgaj: Vrasjet për 2009, më të ulëtat në 12 vjet
Numri i vrasjeve gjatë vitit 2009 është më i ulëti në dymbëdhjetë vitet e fundit, që prej vitit 1997. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka bërë bilancin e punës së institucionit që ai drejton për vitin 2009. “Krahasuar me një vit më parë, Policia e Shtetit ka bërë të mundur uljen e kriminalitetit me 319 vepra penale, ose rreth 4%, si dhe uljen e krimit të vrasjes me rreth 11%. Është për t’u theksuar se ne shënojmë për herë të parë pas viteve 1997 numrin më të ulët të vrasjeve në vend”, - u shpreh ai. Për Burgajn, realizimi i objektivave është parë i lidhur ngushtë me goditjen e grupeve kriminale. “Kështu gjatë këtij viti janë goditur 142 grupe kriminale, nga të cilët 64 për krime të rënda kundër personit e pronës, 31 për luftën kundër narkotikëve, 23 për trafiqe të paligjshme dhe 24 për vepra penale në fushën e krimeve ekonomike”, - u shpreh ai. Sipas numrit një të Policisë së Shtetit, një shqetësim i veçantë për policinë në këtë vit kanë qenë vjedhjet e pronës, të cilat vazhdojnë të jenë problematike për zona të caktuara të vendit, sidomos vjedhjet e banesave, vjedhjet e lokaleve e të makinave. “Kemi parashikuar për vitin 2010 një ndryshim të strategjisë së luftës kundër krimit të pronës, me qëllim rritjen e rezultateve në këtë drejtim. Ndryshimi i strategjisë do të përfshijë parashikimin e gjithë opsioneve të mundshme për përmirësimin e menaxhimit të drejtimit të punës kundër krimeve ndaj pronës”, - u shpreh Burgaj. Tregues të performancës në rritje gjatë vitit 2009 ka edhe lufta kundër narkotikëve, e shprehur kjo në cilësinë e goditjeve të kryera dhe asgjësimin e rrjeteve apo grupeve kriminale, ndërkohë që konstatohet një ulje në treguesit e tranzitit të drogave të forta nëpërmjet Shqipërisë, në sajë të kontrollit më të mirë të territorit në vend, si dhe të menaxhimit të kontrollit të kufirit. “Ndër treguesit më pozitivë që përmenden për këtë periudhë është rritja me rreth 40 % e sekuestrimit të drogës, heroinë, të kapur në vendin tonë, ulja e ndjeshme e kultivimit të kanabisit me rreth 14 % dhe i sasive të dërguara nga Shqipëria në drejtim të Italisë apo vendeve të tjera fqinje”, - shtoi numri një i Policisë së Shtetit. Në bazë të statistikave të policisë gjatë vitit 2009 kanë ndodhur 13.100 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar autorët për 9.865 prej tyre ose 75%.