Martesat gay presin votat e opozitës në Kuvend
Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë nisi dje shqyrtimin e projektligjit “Për mbrojtjen nga diskriminimi” dhe deputetët e tij miratuan në parim këtë projektligj. Tashmë ai do të diskutohet nen për nen dhe pritet që në javën e ardhshme të miratohet përfundimisht në seancën plenare. Ekspertët dhe nismëtarët e këtij projektligji thanë në Komision se projektligji ka si synim të mbrojë qytetarët me orientime të caktuara seksuale nga diskriminimi. Vjollca Meçaj, drejtoreshë e Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe një prej hartuesve të projektligjit, tha para deputetëve se nisma ligjore nuk lejon martesat brenda të së njëjtës gjini. Në nenin një të projektligjit thuhet se “ky ligj rregullon zbatimin dhe respektimin e parimit të barazisë në lidhje me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, besimet politike fetare ose filozofike, statusin ekonomik, arsimor ose shoqëror, shtatzëninë, përkatësinë prindërore, përgjegjësinë prindërore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, gjendjen civile, vendbanimin, statusin shëndetësor, predispozicionet gjenetike, paaftësinë, përkatësinë në një grup të veçantë ose me çdo shkak tjetër”. Ligji mbron këta persona nga diskriminimi në çdo fushë të jetës, si punësimi, arsimi apo qoftë edhe hyrja në politikë apo për t’u emëruar në detyra të rëndësishme publike. Drafti parashikon ngritjen e një Komisioni, Komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë, i cili do të shqyrtojë të gjitha ankesat që kanë të bëjnë me personat e veçantë, që lidhet me diskriminimin që parashikohen në nenin 1 të këtij projekti. Komisioneri do të ndihmohet nga të paktën një zv.komisioner si dhe tre ekspertë. Komisioneri zgjidhet nga Kuvendi me një shumicë të thjeshtë të deputetëve dhe ka një mandat pesëvjeçar. Komisioneri paraqet një raport të paktën një herë në vit përpara komisioneve të Kuvendit. Nisma ligjore përmban edhe masa në rast se shkelet ligji dhe vërtetohet se personat e këtyre kategorive diskriminohen. Në rast se diskriminimi ushtrohet nga zyrtarët e administratës shtetërore, gjoba maksimale e vendosjes është 1 milion lekë të reja, ndërsa gjoba maksimale ndaj bizneseve dhe institucioneve joqeveritare është 10 milionë lekë të reja. Gjoba minimale është 20 mijë lekë të reja.