Kredencialet e Shqipërisë në KiE, vendimi, të enjten në Asamble
Kredencialet e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të kenë një vendim për miratim ose jo ditën e enjte, pasi do të votohet në Asamblenë e Përgjithshme. Në seancën e djeshme parlamentare të Këshillit të Evropës ishin të pranishëm anëtarët shqiptarë, por grupi parlamentar socialist i së majtës në Asamble propozoi që kredencialet të mos miratohen. Në Agjendën publikuar të KiE-së, thuhet se do të shqyrtohen kredencialet e Shqipërisë dhe anëtarët e rinj të saj. Sipas faqes zyrtare të Asamblesë Parlamentare, Kuvendi i Shqipërisë ka dërguar 6 emra deputetësh për të qenë tre anëtarë me të drejta të plota dhe tre anëtarë zëvendësues.
Anëtarët janë Ilir Rusmali nga PD, Lajla Përnaska nga PD si dhe Shpëtim Idrizi nga PDU. Në listën e anëtarëve zëvendësues, janë Kastriot Islami nga PS, Mesila Doda nga PD dhe Arenca Trashani po nga PD.
Vlen të theksohet se në delegacionin e mëparshëm të Shqipërisë në KiE, anëtarë ishin ilir Rusmali dhe Lajla Përnaska nga PD, ndërsa nga e majta ishin Kastriot Islami nga PS dhe Paskal Milo nga PDS.
Rregullorja
Në axhendën e publikuar nga Asambleja Parlamentare është vendosur se në seancën e ditës së enjte, 28 janar, do të votohet nëse do të miratohen ose jo kredenciale shqiptare në KiE. Në lidhje me këtë çështje, një raportues i Komisionit për Rregulloren e Punës, Imunitetet dhe Çështje Institucionale do të hartojë një mendim në lidhje me këtë çështje. Asambleja do të votojë më pas këtë mendim nga Komisioni.
Në nenin 6 të Rregullores të Asamblesë Parlamentare parashikohet edhe miratimi i delegacionit të çdo vendi, ku kërkesat janë që delegacioni të ketë një përbërje të drejtë të raporteve në Kuvend, të gjinisë si dhe anëtarët të deklarojnë me shkrim se duan të jenë pjesë e Asamblesë Parlamentare të KiE-së.
Raporti, Draft-Rezoluta
Njëkohësisht në seancën e ditës së enjte pritet të miratohet edhe draft-rezoluta për Shqipërinë e bërë nga dy reporterët për situatën politike në vend. Dy reporterët që vizituan Shqipërinë, finlandezi Jaakko Laakso dhe anglezi David Wilshire, propozojnë në draft-rezolutë që opozita të ndalë menjëherë bojkotin dhe të kthehet në Kuvend, ndërsa qeverisë i kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas reporterëve dhe rezolutës që i është dërguar Asamblesë së Përgjithshme, e cila pritet të votohet më 28 janar, bojkoti i opozitës po pengon zhvillimin e vendit. Propozimet e përmendura nga reporterët janë pranuar edhe nga kreu i qeverisë, Berisha, i cili publikisht ka pranuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. “Komiteti i Monitorimit i kërkon qeverisë dhe opozitës shqiptare t’i japin fund krizës politike dhe të marrin përgjegjësitë e tyre me qëllim procedimin me reformat jetike. Qeveria duhet të ngrejë, pa vonesa, një komision hetimor parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të qershorit 2009 dhe opozita duhet të kthehet në Parlament dhe të angazhohet plotësisht në aktivitetin e tij”, - thuhet në rezolutë.
Në rezolutë, e cila është hartuar në formën e një raporti për Shqipërisë, analizohet situata në Shqipëri si dhe kërkesat e opozitës për të hyrë në Kuvend. Raporti shpreh se pas bojkotit të PS-së, deputetë të zgjedhur të PS-së nuk pranuan lidershipin e Ramës, por ai u rizgjodh përsëri kryetar pas një rezolute të miratuar në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë, që i cilësonte zgjedhjet “të vjedhura”.
Anëtarët
Shpëtim IDRIZI, (Partia për Drejtësi e Unitet)
Lajla PERNASKA, (Partia Demokratike)
Ilir RUSMALI, Partia Demokratike)
Zëvendësuesit
Mesila DODA, (Partia Demokratike)
Kastriot ISLAMI, (Partia Socialiste)
Arenca TRASHANI, (Partia Demokratike)
Rregullat për miratimin e letrave kredenciale në KiE
6.1. Letrat kredenciale të përfaqësuesve dhe zëvendësuesit, të zgjedhur në parlamentin kombëtar ose federal apo që emërohen nga radhët e anëtarëve të parlamentit kombëtar ose federal, dërgohen në Kryetari i Kuvendit nga Presidenti (Kryetari) i parlamentit kombëtar apo Presidenti (kryetari) i një dhomë kombëtare parlamentare apo ndonjë person i deleguar prej tyre. Çdo shtet anëtar duhet të njoftojë Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës e autoritetit kompetent që ka caktuar. Kredenciale duhet të dërgohen, jo më pak se një javë përpara hapjes së sesionit.
- Delegacionet kombëtare duhet të jenë të përbëra në mënyrë të tillë që të sigurojnë një përfaqësim të drejtë të partive politike ose grupeve në parlamentet e tyre. Delegacionet kombëtare duhet të përfshijnë një përfaqësim të barabartë të anëtarëve femra e meshkuj. Çdo parlament do të informojë Asamblenë për metodat e përdorura për emërimet e vendeve të delegacionit dhe të numrit të anëtarëve gra.
- Certifikimi i anëtarëve të një delegacioni kombëtar do të shoqërohet nga një deklaratë me shkrim të nënshkruar nga anëtarët individualisht.
6.3. Në fillim të çdo sesioni të zakonshëm këto kredenciale do t'i paraqiten Kuvendit nga Presidenti i përkohshëm për ratifikim.
Projektrezoluta e KiE-së për Shqipërinë që do të votohet ditën e enjte
Komiteti i Monitorimit i kërkon qeverisë dhe opozitës shqiptare t’i japin fund krizës politike dhe të marrin përgjegjësitë e tyre me qëllim procedimin me reformat jetike. Qeveria duhet të ngrejë, pa vonesa, një komision hetimor parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të qershorit 2009 dhe opozita duhet të kthehet në Parlament dhe të angazhohet plotësisht në aktivitetin e tij.
Autoritetet shqiptare, gjithashtu, duhet të përmirësojnë kuadrin ligjor për zgjedhjet në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias. Me qëllim lehtësimin e rolit të Presidentit Topi si ndërmjetës dhe dhënien fund bojkotit bazuar në pranimin e rezultatit të zgjedhjeve të fundit dhe rivendosjen e plotë të demokracisë parlamentare, Komiteti i Monitorimit propozon që Këshilli Presidencial i Asamblesë së bashku me bashkëreporterët për Shqipërinë të Komitetit të Monitorimit të zhvillojnë një vizitë sa më shpejt të jetë e mundur pas sesionit dimëror të asamblesë.
Përfundime dhe propozime
Kjo situatë nuk i sjell dobi popullit shqiptar dhe as vendit, si dhe procesit të integrimit evropian.
Kjo pengon funksionimin e shtetit demokratik dhe institucioneve. Shprehim keqardhje për vendimin e PS-së për të mos marrë pjesë në punën e Parlamentit. Dialogu politik duhet të jetë prioritar dhe më kryesorja të bëhet në Parlament dhe jo në rrugë.
Na vjen keq që, në mungesë të ndonjë dialogu të mirëfilltë, retorika provokuese politike është duke u përdorur gjithnjë e më shumë nga të gjithë palët e përfshira. Kjo mund të destabilizojë vendin.
Ne shpresojmë që zgjedhjet e ardhshme lokale në Shqipëri, të planifikuara për në fillim të 2011-s, do të mbahen në përputhje me Ligjin e ri Zgjedhor dhe që ato do të jenë të lira dhe të ndershme dhe se rezultatet e tyre do të jenë të pranuara nga të gjitha partitë politike.
Ne rekomandojmë që procedura e numërimit të votave të përmirësohet në mënyrë të konsiderueshme dhe numri i ekipeve të numërimit të rritet ndjeshëm në secilën prej qendrave rajonale të numërimit.
Në mënyrë të veçantë, Kuvendi duhet t’i kërkojë qeverisë për të ngritur, pa vonesa të mëtejshme, një komision hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009 dhe në të njëjtën kohë, opozita të kthehet në Parlament dhe të nisë plotësisht punën e saj.