E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenca spanjolle e BE-së: Dy momentet kyçe për Shqipërinë

Ambasadori i Spanjës në Tiranë, Manuel Montobbio, prezantoi dje programin dhe prioritetet e Presidencës spanjolle të Bashkimit Evropian, për 6-mujorin e parë të vitit 2010, ku u ndal në mënyrë të veçantë edhe në raportet mes Shqipërisë dhe Bashkimit evropian. Në një konferencë shtypi, ku të pranishëm ishin edhe anëtarët e gjithë trupit diplomatik në Tiranë, ambasadori spanjoll evidentoi se janë dy momente kyçe që lidhin Shqipërinë më ngushtë me Bashkimin Evropian. Ai deklaroi se përmbushja e standardeve për liberalizimin e vizave dhe përgjigjet e pyetësorit të Komisionit Evropian janë dy momentet kyçe për Shqipërinë në përmbushjen e aspiratës së saj për integrim në BE. "Dy procese të rëndësishme janë: përmbushja e standardeve për liberalizimin e vizave, një çështje që po ecën përpara, si dhe procesi i përgjigjeve të pyetësorit, të cilat do të plotësohen brenda 31 marsit", - deklaroi ambasadori spanjoll. Ambasadori Montobbio, duke u ndalur në pozicionin e Shqipërisë në axhendën e Presidencës spanjolle të BE-së, tha se aktualisht problemi kyç për qeverinë shqiptare duhet të jetë përmbushja e rekomandimeve të progres-raportit të KE-së, që nënkupton përmbushjen e të gjitha detyrave të parashikuara në MSA. Sipas kryediplomatit spanjoll në Tiranë, në axhendën 6-mujore të BE-së do të jenë disa misione të BE-së që do të vijnë në Tiranë për të monitoruar ecurinë e procesit të vizave, të cilët më pas do të çojnë vlerësimet e tyre pranë Këshillit të BE-së. Për sa i përket kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, ambasadori Montobbio veçoi përgjigjet e pyetësorit të KE-së, të cilat do të përbëjnë dhe bazën e një raporti nga ky Komision. Ai konfirmoi se ecuria e këtyre proceseve nga Shqipëria do të diskutohet në një takim që do të mbahet në Bruksel mes palës shqiptare dhe Këshillit të Stabilizim-Asocimit të BE-së. "Maj 2010-maj 2011 do të jetë viti kyç për integrimin e Shqipërisë në Evropë dhe një sfidë që ajo të shkojë në këtë Këshill me përgatitjet më të mirat dhe detyrat e shtëpisë të realizuara, në mënyrë që të mbrojë aspiratën e saj legjitime për integrim", - tha ambasadori spanjoll. Në aktin e prezantimit, i organizuar nga ambasada spanjolle në Tiranë, në bashkëpunim me delegacionin e BE-së në Shqipëri, ishin të pranishëm anëtarë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të qeverisë, të opozitës, organizatave joqeveritare, studiues etj. Nga 1 janari 2010, Spanja mban Presidencën 6-mujore të radhës së BE-së, ku prioritet kryesor i saj parashikohet të jetë vënia në zbatim e Traktatit të Lisbonës dhe e institucioneve të reja që pritet të bëjnë të mundur transformimin e Evropës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›