E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e KE-së ratifikon kredencialet e delegacionit parlamentar të Shqipërisë

Ilir Rusmali zëvendëson Aleksandër Biberajn në kryesimin e delegacionit

Kryeparlamentarja Topalli theksoi se ky vendim i pritshëm i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës nxjerr zbuluar mashtrimet e keqinformimin e medias dhe opinionit publik nga ana e deputetëve të opozitës.

TIRANE - Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi me unanimitet në punimet e seancës të saj zëvendësimin e Aleksandër Biberajt me Ilir Rusmalin, në postin e kryetarit të delegacionit shqiptar në Strasburg.
Në një njoftim zyrtar publikuar në sajtin zyrtar të KE-së, shpjegohet se “në hapjen e Asamblesë në Sesionin 2009, kredencialet ende të pa ratifikuara të delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare u kontestuan për arsye proçeduriale duke qenë se kishte arsye të besohej se një anëtar i këtij delegacioni për sesionin e 2008-ës u shkarkua nga delegacioni për sesionin e 2009-ës duke thyer nenet relevante te rregullores së procedurave. Pas ekzaminimeve të objeksioneve të ndryshme të bëra, APKE doli në përfundim se nuk ka tregues se parimet e garantuara nga Rregullat e Procedurave të Asamblesë nuk janë respektuar në emërimin e anëtarëve të delegacionit parlamentar të Shqipërisë dhe më tej vendosi, në një rezolutë unanimisht të miratuar sot, të ratifikojë kredencialet e tyre”, thuhet në vendim unanim të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Ky vendim u është komunikuar në seancë plenare e djeshme plenare deputetëve nga ana e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli.
“Seanca plenare e Asamblesë Parlamentare të Strasburgut sapo votoi në unanimitet zëvendësimin e Aleksandër Biberajt me Ilir Rusmalin. Komisioni i rregullores i KE-së e kishte gjetur këtë zëvendësim në mbështetje të plotë me rregulloren edhe të Kuvend të Shqipërisë”, deklaroi ajo, duke  iu kundërpërgjigjur kështu akuzave të përsëritura opozitës rreth shkarkimit të Aleksandër Biberajt nga posti i Zëvendëspresidentit të asamblesë së Këshillit të Evropës dhe zëvendësimin e tij me deputetin Rusmali.
“Ky zëvendësim, theksoi dje kryeparlamentarja Topalli, vjen në ndryshim nga çdo mashtrim, nga çdo gënjeshtër, e thënë nga Islami apo deputetë të tjerë të opozitës. Herë të tjera do tu marr me vete në Strasburg  dhe duhet të shikoni se si funksionon KE-ja dhe ju këshilloj të lexoni rregulloren dhe të harroni se minoranca mund të marrë kompetencat e kryetarit të Kuvendit”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›