E Diel, 1 Nëntor 2026

“Opozita ambalazh i ri, fasadë e vjetër, nuk arrin të shkëputet nga e kaluara”

Seanca parlamentare përfshihet nga debate rreth ligjit të dosjeve. Qeveria mirëpret nga BE, për zbatimin e ligjit të lustracionit

TIRANE - Seanca e djeshme parlamentare është përfshirë nga debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës rreth ligjit “Për pastërtinë e figurave të ish zyrtarëve të lartë”, apo siç njihet ndryshe ligji i dosjeve.
Ndërkohë, Zëvendëskryeministri Genc Pollo, i ka ripërsëritur dje kreut të PS-së Rama, kërkesën që të distancohet nga e kaluara dhe nga ata individë që kanë qenë përzierë me krime gjatë regjimit komunist. Pollo garantoi në emër të qeverisë, një zbatim korrekt e të paanshëm të ligjit të lustracionit, dhe theksoi se çdo person i prekur nga zbatimi i këtij ligji, do të ketë mundësinë e ankimimit në të tre shkallët e gjykatave dhe vetëm pas shprehjes së gjyqësorit këto vendime marrin formë të prerë.

Debatet
Ditën e djeshme ky ligj hyri në fuqi, çka bën që të fillojë tashmë zbatimi i tij. Gjatë debatit të lirë zëdhënësi i Grupit Parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, duke vërejtur qëndrimet më të fundit të socialistëve sa i përket ligjit të dosjeve, konkretisht kryetarit të PS-së Edi Rama, u shpreh se “e majta e sotme e Edi Ramës nuk i afrohet as të majtës së 97-s, që ishte shumë më revanshiste”.
“Në atë kohë ajo megjithëse e deformoi dhe degradoi ligjin e lustracionit të miratuar në vitin 1995, të paktën sa për sy e faqe e la atë në fuqi. Por sot Edi Rama nuk e arrin dot as këtë standard. Ai është njeriu fasadë, që mbështjell në një ambalazh të ri një mesash të vjetër dhe antinjerëzor”, u shpreh zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi.
Sipas Bumçit ligji për dosjet kërkon të ndajë Shqipërinë nga e kaluara komuniste dhe të çrrënjosë trashëgiminë e atij sistemi në Shqipëri, një trashëgimi antinjerëzore e mbushur me krime kundër njerëzimit.
Edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Toaplli, ka dhënë opinionin e saj, lidhur me këtë çështje, duke u shprehur se “Ligji i lustracionit është për ata që janë sot në këtë sallë dhe për ata që do të jenë nesër. Ligji është për ata që janë titullarë në majat më të larta të pushteteve të sotme, ndërsa ju, opozita, kërkoni të fusni probleme në shoqërinë shqiptare. Ne kërkojmë të bëjmë atë që kërkon standardi dhe nuk merremi me qytetarin e thjeshtë. Ne kërkojmë standarde vetëm për nivelet më të larta, titullarë, deputetë, gjykatës të lartë, prokurorë dhe këtu ne ndahemi me ju”, deklaroi kryetarja e Kuvendit.
Të njëjtin qëndrim me kolegët e tij të mazhorancës, ka ndarë dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili deklaroi se “ne jemi përcaktuar qartë dhe kemi votuar për hapjen e dosjeve, duke filluar nga dosjet tona”. “Por, ju duhet të çliroheni nga nostalgjia që keni për diktaturën dhe nga fijet që ju lidhin me të. Ne ju ftojmë dhe njëherë, që bashkë me kryetarin tuaj, të kapërceni komplekset e vjetra dhe lidhjet familjare që keni me krimet e diktaturës, se Shqipërinë me Europën nuk e ndan ligji i lustracionit, apo qëndrimi ndaj së shkuarës, por e ndan mosdistancimi i krimeve kundër njerëzimit”, tha Patozi.
Lidhur me shqetësimin e ndërkombëtarëve, Patozi siguroi se qëndrimi i mazhorancës do të jetë konform ligjit dhe shtetit ligjor.

Garancitë
Zëvendëskryeministri Genc Pollo tha dje gjatë seancës plenare, se qeveria mirëpret çdo monitorim nga ana e Bashkimit Evropian për zbatimin e ligjit të lustracionit. Ai theksoi se lidhur me ligjin e dosjeve, Bashkimi Evropian i jep një rëndësi të veçantë dialogut politik dhe cilëson funksionimin e një gjyqësori politikisht të pavarur. “Çdo monitorim i këtij procesi që nuk ka pse të jetë diçka e fshehtë apo e mbyllur çdo monitorim i këtij procesi nga BE është më se i mirëpritur nga qeveria dhe mazhoranca dhe shpresoj që të jetë më se i mirëpritur edhe nga opozita pasi të gjithë jemi të interesuar për ndarjen përfundimisht nga e kaluara siç kemi qenë dhe mbetemi të interesuar për transparencën e këtij procesi”, tha zëvendëskryeministri Pollo. 
Zëvendëskryeministri deklaroi se “nëse kryetari i Partisë Socialiste pretendon që është një ligj i tillë që na ndan me Evropën unë do të thosha se vende si Polonia, Çekia, Bullgaria etj, që në fillim të viteve 1990 kanë zbatuar ligjin e lustracionit sipas standardeve ndërkombëtare dhe pikërisht këto vende janë bërë më herët anëtare të Bashkimit Evropian ndërsa vendet që nuk e kanë zbatuar ose janë anëtarë me probleme ose më së shumti janë në radhë për t’u anëtarësuar”. “Fatkeqësisht këtu radhitet edhe vendi jonë, por për të përcaktuar përgjegjësinë politike mendoj që opozita e sotme është ajo që mban barrën për këtë çështje. Mazhoranca ka folur gjatë gjithë kohës për rëndësinë e këtij ligji dhe në muajin dhjetor të vitit që shkoi foli edhe me votë, opozita ka thënë po shumë herë në parim, por fjala e saj e fundit ka qenë bojkoti”, u shpreh Pollo.
Duke informuar deputetët për një takim të tij të realizuar me Trojkën Evropiane,  lidhur me çështje që lidhen me ligjin e lustracionit, zëvendëskryeministri Pollo vuri në dukje se qëndrimi i BE ka qenë se mbështet objektivin legjitim të ballafaqimit me të kaluarën nën regjimin komunist, por kuptohet që kjo duhet të bëhet brenda standardeve të pranuara dhe ne këtë e kemi bërë. Në këtë drejtim, Pollo shtoi se çdo person i cili do të dalë i prekur nga kontrolli i figurës ka mundësinë e apelimit në tre shkallët e gjyqësorit pa përjashtuar edhe nga vendimi Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Ndërsa referuar bojkotit të palës opozitare, si shenjë proteste ndaj këtij ligji, zëvendëskryeministri Pollo tha se rruga e ndjekur nga opozita ka qenë i kritikueshëm dhe shqetësues jo vetëm për opinionin publik, por edhe për Evropën. 
Pollo ftoi opozitën që të marrë pjesë në Autoritetin e Kontrollit të Figurës, që përbëhet nga 5 anëtarë, nga të cilët 3 i takojnë opozitës

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›