Dekretohet qarkullimi i Zamir Shtyllës, ruhet ende bosh posti i Arjan Ndojës
Një numër dekretimesh në Prokurori kanë çertifikuar lëvizjen e Zamir Shtyllës në Elbasan, por nga qarqe okulte po ruhet pushteti i korrupsionit, përmes mbajtjes së funksionit të Arjan Ndojës në krye të prokurorisë së Durrësit.
Kaluan muaj të tërë dhe ende aktualisht Prokuroria e Durrësit nuk ka një emër të akredituar për këtë post, por po vazhdohet në hullitë e absurditetit dhe skarcitetit të rolit funksionues të këtij institucioni, jo vetëm në njësinë qëndrore të tij, por për fat të keq, edhe në ato lokale së fundmi. Gazeta “55” ka denoncuar vazhdimisht apatinë e treguar hapur dhe pa pikë mëdyshjeje nga ana e kryeprokurores së Përgjithshme Ina Rama, ndaj fenomenit “Ndoja”, i cili edhe pse ka dhënë dorëheqjen de jure nga drejtimi i Prokurorisë së Rrethit Durrës, dorëheqje të cilën formalisht e ka pranuar edhe Ina Rama, konstatohet se de facto ai është ende në atë post, me qëllimin e vetëm që të mbulojë deri diku aferat e tij antiligjore, për të cilat edhe u akuzua për deklarim të rremë pasurie dhe pas kësaj doli se dispononte një shumë të padeklaruar që shkonte jo pak, por në një vlerë prej mbi 740 mijë eurosh, në një kohë rekord prej vetëm dy muajsh pas marrjes së detyrës së re.
I prekur në sedër nga ky abuzim që Ndoja kishte bërë ndaj ligjit, pavarësisht se drejtonte një institucion që ligjërisht dhe në bazë të ligjit themelor të shtetit ka denoncimin dhe zbatimin e përpiktë të instrumenteve ligjore, duke mos deklaruar pasurinë dhe burimin e vërtetë të të ardhurave të tij, me të drejtë zgjodhi të dorëhiqej, akt, për të cilin nuk u kritikua, por u mendua si një veprim i arsyeshëm, për t’iu nënshtruar hetimeve nga ana e agjentëve të antikrimi ekonomik. Por ajo që pritej nuk ndodhi, Ndoja e dha dorëheqjen, por në vend të tij, nuk është emëruar askush, megjithëse nuk ka munguar vullneti i shprehur në “letër” nga kryeprokurorja e Përgjithshme Ina Rama, për zëvendësimin e tij me dikë tjetër, që mund ta bëjë po aq mirë punën, ndoshta edhe më mirë se Ndoja, mundet që me ndryshimin e vetëm, se nuk do të jetë në gjendje të sigurojë aq pasuri në një kohë aq të shkurtër, përveçse me vepra antikushtetuese dhe të dënueshme ligjërisht, siç edhe ka vepruar i lartpërmenduri.
E gjithë kjo, nuk është gjë tjetër, veçse një shpërfillje e ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Shpërfillje e ligjit, nga ata që duhet të jenë garantët dhe monitoruesit e fizibilitetit të tij, në të gjitha institucionet kushtetuese dhe ligjore. Dhe të tilla veprime, të mbushura me akte që shkelin etikën normative ligjore, dhe që në një moment të caktuar mund të venë përballë drejtësisë aktorët kryesorë të saj, nuk gjejnë as gjëkundi shpjegim, konkluzionin mund t’ua japë vetëm Ina Rama dhe Arjan Ndoja. Pikëpyetje e madhe është se kush e lëshon firmën e prokurorisë së Durrësit për ekzekutimin e një vendimi ligjor... A merren vendimet sipas Kodit të Procedurës Penale? Kush e kryen këtë funksion? Pse nuk bën emërimin Ina Rama?
Mos vallë mbi të ushtrohet presion? Atëherë kush fshihet pas Arjan Ndojës?
Sigurisht që mund të jetë në ndonjë post të rëndësishëm dhe të lartë shtetëror, saqë është në gjendje të auditojë për çdo vendim “vartësen” e tij...
Pavarësisht se Arjan Ndoja ka dhënë dorëheqjen dhe tashmë letra ndodhet në zyrën e kryeprokurores Ina Rama, e cila si shumë shkresa të tjera, të cilat duhen shqyrtuar dhe duhen marrë vendime në përputhje me ligjin apo duhen ngritur akuza, e ka arkivuar dhe nuk ka asnjë shenjë se mund të bëjë ndonjë lëvizje, pa marrë një udhëzim nga ai “eprori”....
Por fakti që u gjet shpejt e shpejt koha për firmosjen e qarkullimit të Zamir Shtyllës, tregon se megjithë angazhimin e publikut, është fakt se qarqet okulte mbeten njëlloj të pushtetshme edhe pas qarkullimit të Shtyllës, sepse këto qarqe janë të zonjat të manovrojnë prokurorinë e Durrësit. E megjithatë, ky është një shqetësim që s’po e shqetëson kryetarin e shtetit.