E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e OKB-së miraton një rezolutë kundër Sirisë

 Rezoluta gjithashtu kritikon Këshillin e Sigurimit të OKB-së se nuk ka arritur të ndalojë dhunën në Siri. Siria kritikoi ashpër veprimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Edhe Kina dhe Rusia reaguan, duke deklaruar se dokumenti minon përpjekjet për paqe. 

Rezoluta e hartuar nga Arabia Saudite, është miratuar të premten me 133 vota për, 12 kundër dhe 31 abstenime. Rusia, Kina, Bjellorusia, Irani, Siria, Kuba dhe Venezuela kanë qenë në mesin e vendeve që kanë votuar kundër tekstit, i cili është vënë në diskutim pas dorëheqjes së të dërguarit të OKB-së dhe të Ligës Arabe për krizën në Siri, Kofi Anan.

Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin, ka thënë se rezoluta është e njëanshme dhe se i jep mbështetje të hapur opozitës së armatosur. “Rezoluta është e dëmshme, sepse kundërshton përpjekjet për të ndihmuar zbatimin e planit të Ananit dhe të marrëveshjeve të Gjenevës. Ajo minon shanset e një procesi për zgjidhje politike”, ka thënë Çurkin.

Nga ana tjetër, forcat e Sigurisë në Siri, vazhduan përleshjet me kryengritësit. Aktivistët thonë se trupat siriane sulmuan bazat e opozitës në periferi të Damaskut dhe qëlluan me artileri pjesë të qytetit verior Alepo, qendra tregtare e Sirisë. Vëzhguesi sirian për të drejtat e njeriut tha se rreth 20 njerëz u vranë në trazirat e djeshme.
/Start/

                                                                                             2012-08-04 10:56
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›