E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza ekonomike, Greqia nis dëbimin e emigrantëve shqiptarë



ATHINË - Greqia nis “hakmarrjen” ndaj Shqipërisë disa ditë pasi Gjykata Kushtetuese në Tiranë hodhi poshtë Marrëveshjen e kufijve ujorë, ku shteti helen ishte përfitues i madh. Si zakonisht, “hakmarrjen” greke e kanë përjetuar emigrantët shqiptarë që ende nuk kanë bërë dokumentet. Policia greke ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se ka organizuar një operacion “fshesa”, ku në pranga janë vënë 106 emigrantë shqiptarë për të cilët kanë nisur procedurat e riatdhesimit. Kishte disa kohë që nuk dëgjohej për operacione të llojit “fshesa”, në shtetin fqinj, por mëngjesin e djeshëm më shumë se 170 policë në 4 qytete të Greqisë kanë ndaluar më shumë se 100 shqiptarë, të cilët mësohet se kishin kaluar ilegalisht kufirin dhe punonin aty prej kohësh. Shteti helen, i ndodhur në krizën më të rëndë financiare të dekadave të fundit, duket se ka marrë iniciativën që të largojë emigrantët e paligjshëm që të hapë vende pune për qytetarët e tij. Por, nga të dhënat e medias greke, që kanë cituar burime të policisë, të gjithë të ndaluarit janë shqiptarë dhe nuk ka asnjë klandestin me kombësi tjetër, duke bërë në këtë mënyrë një operacion “fshesa” vetëm kundër shqiptarëve.
Operacioni
Një operacion i gjerë i forcave të policisë greke ka arrestuar gjatë natës së dy ditëve më parë 106 shqiptarë, të cilët jetonin dhe punonin në mënyrë të paligjshme në vendin fqinj. Kjo gjë është bërë e ditur nga media helene gjatë ditës së djeshme. Sipas të dhënave të Policisë greke, operacioni kundër emigrantëve të paligjshëm, veçanërisht shqiptarë, ka nisur rreth orës 22:00 të tri ditëve më parë dhe ka mbaruar gjatë orëve të para të 23 prillit. Policia tha se, në këtë operacion janë përfshirë uniforma blu nga 4 qytete të Greqisë veriore, Grevenas, Kastoria, Kozanit dhe Florinas. Pikërisht në këto zona është bërë dhe aksioni i ndalimit të emigrantëve të paligjshëm, të cilët punonin prej kohësh në kufirin shqiptaro-grek. Gjatë këtij operacioni kanë marrë pjesë gjithsej 176 policë, të cilët kanë ushtruar kontrolle mbi 1023 persona, 861 automjete dhe kanë vënë në pranga dhe 3 shtetas grekë. Këta të fundit mësohet se, janë ndaluar pasi u kanë dhënë ndihmë emigrantëve shqiptarë. Policia helene ka bërë të ditur se klandestinët të gjithë nga vendi ynë, të cilët janë do të deportohen për në Shqipëri.
Kontrolli
Rasti i operacioni të tri ditëve më parë nuk është i pari. Në fillim të muajit prill, policia ndërmori një tjetër aksion kundër emigracionit klandestin, ku janë ndaluar dhe më pas riatdhesuar për në Shqipëri, më shumë se 130 shqiptarë. Ky aksion u mbyll brenda 24 orëve dhe u zhvillua në Veriun e Greqisë. Nga Policia greke u bë e ditur se ishin 137 shqiptarë që kishin kaluar ilegalisht kufirin nga pozicione të ndryshme. Ata janë shoqëruar për në polici ku janë marrë në pyetje në lidhje me rrugën nga kishin kaluar dhe personat që i kishin shoqëruar. Pas këtyre procedurave Policia greke tha se të gjithë shqiptarët që u kapën në kufi, u kthyen në atdhe nëpërmjet doganës të Kakavijës. Në fillim të muajit mars, Policia greke kapi dhe ktheu në Shqipëri dhe disa dhjetëra emigrantë klandestinë. Por, këtë herë, aksioni u bë në Athinë, në hapësirat rreth sheshit “OMONIA”. Gjatë operacionit janë kryer qindra kontrolle. Duke pasqyruar operacionin, “Cosmo online” raportoi se të paktën 96 persona u arrestuan në operacionin e natës së parë në sheshin “OMONIA”. Operacionet kanë çuar në arrestimin e shumë emigrantëve të paligjshëm, citon Cosmo, Antonarou, zëdhënësin e qeverisë, i cili ka shprehur besimin se “përpjekjet e policisë do të japin frytet e tyre”. Policia raportoi se në “OMONIA” janë arrestuar edhe 19 persona të dyshuar për implikim në trafik lëndësh narkotike, ndër të cilët 13 ishin emigrantë.

26 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›