Asambleja e OSBE-së: Zgjedhjet ishin të mira, opozita të kthehet në Parlament
Komiteti Drejtues i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së vlerëson zgjedhjet e 28 qershorit të lira dhe të ndershme dhe i bën thirrje opozitës të kthehet sa më parë në Kuvend. Vlerësimi është bërë gjatë takimit të Asamblesë Parlamentare që u mbajt në Athinë, ku u vlerësua dhe puna e vëzhguesve të zgjedhjeve në Shqipëri. “Konkluzioni ynë është se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme dhe në rrugën e drejtë të një demokracie të plotë”, - deklaron Volfgang Grosruk, zëvendëspresidenti i Asamblesë së OSBE-së, ndërsa Rikardo Migliori, anëtar i Asamblesë tha: “Zgjedhjet në Shqipëri, sipas OSBE-së, ishin më të mirat nga pikëpamja organizative që janë zhvilluar. Do të thosha një hap domethënës nga pikëpamja politike, pasi kredibiliteti i Shqipërisë u rrit, çka është shumë e rëndësishme, veçanërisht në këtë moment të integrimit të Shqipërisë në Europë”. Grosruk i kujtoi opozitës se është demokraci dhe pranimi i rezultateve të zgjedhjeve. “Është për të ardhur keq që opozita nuk po merr pjesë në Parlament. Pjesë e pjekurisë demokratike është të pranosh dhe rezultatin e zgjedhjeve. Shpresoj që Partia e opozitës të marrë pjesë sa më shpejt në Kuvend. Kjo është e vetmja rrugëdalje për të zhvilluar demokracinë. Shpresoj që drejtuesit e opozitës shqiptare të verifikojnë rezultatet e vëzhgimit tonë, të Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian, pasi sipas mendimit tonë, zgjedhjet në Shqipëri ishin të lira dhe të drejta”, - tha zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. “Shpresoj që më në fund gjithçka të hyjë sërish në dialektikën demokratike, pasi është e drejtë e detyrueshme për opozitën të përfaqësojë popullin që e ka votuar”, - shtoi anëtari i kësaj asambleje, Rikardo Migliori. Anëtarët e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së kanë vlerësuar gjithashtu bashkëpunimin PD-LSI, si tregues të shëndetshëm për demokracinë në Shqipëri. Në fund, anëtarët e Kryesisë së kësaj asambleje rekomanduan përmirësime në proceset e ardhshme zgjedhore.
14 Tetor 2009