E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Vijojmë bojkotin dhe protestat sa kohë që refuzohet hetimi i zgjedhjeve”



Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, konfirmoi dje vendimin e opozitës për vijimin e protestave popullore në të gjithë Shqipërinë. Rama deklaroi se vendi është në krizë politike, pasi Parlamenti që buroi nga zgjedhjet e deformuara dhe të manipuluara nuk ka legjitimitetin e duhur. Kreu i PS-së theksoi se e vetmja zgjidhje që nxjerr vendin nga kriza është hetimi i zgjedhjeve. Rama përsëriti edhe njëherë qëndrimin se Partia Socialiste do të vijojë bojkotin dhe protestat për sa kohë që maxhoranca dhe kryeministri Berisha do të refuzojnë të hapin kutitë e votimit. Ai tha se protesta e radhës e Partisë Socialiste do të zhvillohet në qytetin e Beratit, ndërkohë që përmendi gjithashtu edhe projektligjin që po firmoset nga qytetarët për hetimin e zgjedhjeve. Rama deklaroi se shumë shpejt, numri i firmave për këtë projektligj do të arrijë 50 mijë.

Kriza

Kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se Parlamenti shqiptar po përjeton një gjendje të vështirë. Sipas tij, Parlamentit i mungon legjitimiteti për shkak të manipulimeve të ndodhura në zgjedhje. Rama deklaroi se si të mos mjaftonte kriza politike, vendi po përjeton krizë ekonomike dhe krizë të demokracisë. Kryetari i PS-së tha se dalja nga kriza do të ndodhë vetëm në rast se do të hapen kutitë e votimit dhe do të bëhet hetimi i zgjedhjeve. “Ne jemi të shqetësuar për gjendjen e vështirë ku është katandisur Parlamenti shqiptar dhe kthimin e tij në një hallkë krejt formale të shtetit, e cila një herë në javë funksionon për interesat e pushtetit. Ky Parlament pa legjitimitet, që mbahet hapur si shkollë nate vetëm falë një pazari interesash familjare e klanore, nuk mund të përballojë asnjë sfidë në këtë kohë kur vendit i duhen hapa të guximshëm politikë e ligjorë për të dalë nga bataku i krizës së demokracisë, i krizës së shtetit të së drejtës dhe i krizës së ekonomisë që po thellohen dita-ditës. Zhytja e përditshme në batakun e krizës së trefishtë ku ka rënë vendi nuk mund të mbulohet me paradën e rëndomtë të qeverisë në mediat e vëna në shërbim të plotë të saj dhe nuk mund të ndalet me propagandën e shëmtuar anti-opozitare të pushtetit. Ne jemi në çdo minutë të gatshëm të japim ndihmën tonë për të lehtësuar plagët e dhimbjet e keqqeverisjes dhe jemi plotësisht të bindur se transparenca e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit, është receta e vetme për të ndalur degradimin e mëtejshëm të demokracisë të shtetit të së drejtës e të ekonomisë”, - tha Rama.

Aksioni

Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi dje se opozita është e gatshme të hyjë në Parlament në rast se do të garantohet hetimi i zgjedhjeve. Nga ana tjetër ai konfirmoi vazhdimin e bojkotit për sa kohë që kryeministri Berisha do të vijojë të mbajë të mbyllura kutitë e votimit. Rama theksoi vendimin për vijimin e protestave, e cila, sipas tij, do të zhvillohen së afërmi në qytetin e Beratit. “Këmbëngulja e pushtetit për të qëndruar në këmbë mbi kutitë e mbyllura të 28 qershorit, duke mos lejuar nxjerrjen e së vërtetës dhe duke shpërfillur opozitën, e vetëfajëson përditë e më shumë këtë pushtet për grabitjen e zgjedhjeve, thellon krizën e trefishtë dhe rrit koston e procesit politik në dëm të procesit të integrimit europian të vendit. Ne do të vazhdojmë të theksojmë gatishmërinë tonë për të hyrë në Parlament me t’u krijuar kushtet për hetimin e pakushtëzuar parlamentar të zgjedhjeve dhe ndërkohë do të vijojmë rrugën e protestave qytetare, në Berat këtë të premte, e më tej në qytete të tjera, duke zgjeruar valën e tyre në çdo rrugë të Shqipërisë. Numri i firmave të qytetarëve mbi nismën ligjore për hapjen e kutive shumë shpejt do të mbërrijë në 50 mijë. Shurdhëria e pushtetit ndaj kërkesave tona elementare për një vend demokratik, është rruga më e mbrapshtë për vetë pushtetin. Ne nuk ndalemi, nuk zmbrapsemi, nuk lodhemi”, - tha kryetari i PS-së Edi Rama.

Leskaj, takim me kryesenatorin kanadez, Kinsela

Deputetja dhe anëtarja e Kryesisë së PS-së, Valentina Leskaj, takoi dje kryetarin e Parlamentit kanadez, Noel Kinsela. Leskaj e informoi kryesenatorin kandadez me situatën politike në vend dhe me rrethanat që e kanë detyruar Partinë Socialiste për të vendosur marrëdhënie të kushtëzuara me Kuvendin, e që lidhen me çështje themelore të demokracisë, siç është e drejta e votës. Leskaj u ndal në domosdoshmërinë për të rikthyer besimin te sistemi, besim që është cenuar rëndë nga manipulimi i zgjedhjeve të 28 qershorit dhe që mund të rikthehet vetëm nga ballafaqimi me të vërtetën. “Vendimi i Partisë Socialiste i kontribuon të drejtave themelore të njeriut dhe vendosjes së demokracisë funksionale si kërkesë bazike për proceset integruese të Shqipërisë”, - tha Leskaj. Kinsela, nga ana e tij, theksoi se Shqipëria, tashmë që është vend anëtar i NATO-s, do të përfitojë nga standardet e demokracisë së kësaj organizate edhe përmes prezencës dhe angazhimit me strukturat e saj, siç është dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s

14 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›