E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e PR-së, Mediu: Duhet të ndryshojë Kodi Zgjedhor

Propozimet Aleatët e Berishës kërkojnë kalimin në shtatë rajone në gjithë vendin

Partia Republikane kërkoi dje ndryshime në Kodin Zgjedhor në kuadër të përgatitjeve të saj për zgjedhjet e ardhshme lokale. Këto kërkesa u artikuluan dje nga ana e kryetarit të PR-së, Fatmir Mediut, ministër i Mjedisit, në mbledhjen e Asamblesë Rajonale të Partisë Republikane në Qarkun e Tiranës. Diskutimet në këtë asamble u përqendruan në rëndësinë që paraqesin zgjedhjet e ardhshme lokale dhe në fillimin e përzgjedhjes së kandidaturave për njësitë vendore, por kryetari i PR-së gjeti rastin të bënte edhe kërkesat e tij për Kodin Zgjedhor. Sipas Mediut, është e udhës që të ketë një korrigjim të sistemit aktual zgjedhor, për sa i përket mënyrës së ndarjes së rajoneve. “Sipas bindjes sonë, proporcionali rajonal kërkon një ndarje më të drejtë dhe të barabartë rajonale, në 7 rajone me rreth 20 mijë votues çdo rajon”, deklaroi Mediu, duke qenë se aktualisht në vend ekzistojnë 12 rajone elektorale. Po kështu, kryetari i PR-së deklaroi se është e nevojshme që për zgjedhjet e ardhshme të kalohet nga votimi i kontrolluar politik, në një votim me një teknologji, ku e drejta e votës dhe qytetarit nuk tjetërsohet subjektivisht. Sipas Mediut, ishte e nevojshme që për të bërë këto ndryshime, të kërkohej një kompromis i gjerë mes palëve politike. Por nga ana tjetër, në fjalën e tij, ministri Mediu deklaroi se PS kërkon që ts imponojë krizën e saj edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale. Sipas tij, kërkesat e saj të sajuara për zgjedhjet e shkuara, të çojnë drejt këtij përfundimi. “PS nuk mori përsipër përgjegjësinë e saj përballë votuesve dhe fatit të vendit, por kërkon të krijojë dhe të sajojë kriza institucionale që nuk ekzistojnë. Ajo edhe është në Parlament, edhe nuk është, dhe kërkon bashkëpunimin me ndërkombëtarët, por asnjëherë nuk i dëgjon propozimet dhe zgjidhjet që ata i ofrojnë”, deklaroi Mediu, duke u shprehur se kjo strategji kërkon të krijojë një tjetër krizë. Sipas tij, shqiptarët e votuan më 28 qershor mazhorancën me bindje të plotë, sepse ata donin të ecnin të sigurt në rrugën europiane të Shqipërisë. “çdo votues i majtë apo i djathtë, nuk vuri në mëdyshje se njerëzit për të cilët ata votonin kishin të njëjtin vizion dhe qëllim të përbashkët, për ta bërë Shqipërinë europiane”, theksoi Mediu. Sipas tij, zgjedhjet e qershorit morën edhe certifikimin e ndërkombëtarëve.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›