E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia fsheh shifrat për sukseset e saj

Drejtori i Përgjithshëm, Hysni Burgaj, pretendon se ka rritje të luftës ndaj krimit në të gjitha fushat Për herë të parë në një analizë nuk publikohen të dhënat e kriminalitetit

Për herë të parë në historinë e saj, policia shqiptare deklaron se ka pasur rritje të luftës kundër kriminalitetit, por nuk ka publikuar asnjë shifër. Këtë deklaratë, kreu i policisë e ka bërë dje, pas analizës së punës për tremujorin e parë të këtij viti, por veç fjalëve të tij, nuk është publikuar asnjë shifër, e krahasuar edhe me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Prej kohësh, policia publikon zyrtarisht vetëm sukseset e saj dhe nuk tregohet transparente në lidhje me ngjarjet e ndodhura. Pavarësisht se çdo ditë ndodhin vjedhje, rrahje, plagosje, kërcënime, apo edhe vepra të tjera penale, policia shqiptare nuk i publikon ato për të qenë e hapur me të gjithë e për të treguar punën e saj. Të vetmet deklarata të policisë që nuk mungojnë asnjëherë janë ato për goditjet e personave apo grupeve kriminale. Nëse për policinë nuk ekziston termi “arrestim” për çdo ngjarje, atëherë informacioni është konfidencial dhe shumë rrallë mund të publikohet nga organet zyrtare. Kështu, duket se po ndodh edhe me analizat e policisë, që gjithmonë kanë qenë të hapura dhe publike. Por, ditën e djeshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka zhvilluar analizën e punës për periudhën janar-mars 2010. Në deklaratën për shtyp, pasi takimi ka qenë me dyer të mbyllura, ku nuk lejohej media, Policia e Shtetit deklaroi se gjatë kësaj analize, ku merrnin pjesë drejtorët e drejtorive të policive në qarqe, diskutimet u ndalën mbi rezultatet dhe problemet e tremujorit të parë në luftën kundër kriminalitetit dhe përcaktimi i drejtimeve kryesore të punës së Drejtorive të Policisë për tremujorin e dytë. “Puna e përgjithshme e strukturave të policive në qarqe, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në drejtimet dhe prioritetet kryesore, është vlerësuar si shumë pozitive nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Ai është shprehur se vihet re që ka një rritje të rezultateve dhe zbulueshmëri të kënaqshme të veprave penale të krimit të organizuar, veçanërisht në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike”, deklarohet në komunikimin me media nga ana e policisë. Por në asnjë rresht të saj nuk përmendet sesa kanë qenë shifrat e luftës ndaj kriminalitetit gjatë këtij tremujori dhe sa janë konkretisht më të larta, ose më të ulëta krahasuar me vitin 2009. Madje, në njoftimin zyrtar, nuk ka as ndonjë tabelë zyrtare, për të treguar për çdo vepër penale sesa janë goditur konkretisht, duke sjellë për herë të parë në historinë e policisë bllokim të informacionit zyrtar.

Më tej, në njoftim deklarohet se ka rritje të evidentimit në fushën e krimit ekonomik dhe financiar, por nuk tregohet sesa është përqindja e rritjes dhe sa raste janë më shumë sesa vitet e tjera, pavarësisht se tabelat për vitet e tjera ekzistojnë edhe në faqen zyrtare në internet të Policisë së Shtetit. “Në analizën e përmbledhur të punës së kryer nga secila prej drejtorive në qarqe, Burgaj vuri në dukje rritjen e rezultateve për evidentimin e krimit të organizuar dhe krimeve ekonomike-financiare në Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Lezhë, Kukës dhe Berat. Ndërkohë, puna e policisë së Qarkut Vlorë shënon rritje të rezultateve në evidentimin e veprave penale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Ndërsa Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë ka tregues pozitivë në rritjen e rezultateve për evidentimin e krimeve kundër pronës. Një tjetër pikë e veçantë ku u ndal drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ishte lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike nga të gjitha drejtoritë e qarqeve. Burgaj u ka kërkuar drejtorëve të policive në qarqe ta marrin me seriozitetin më të madh këtë çështje, për të vazhduar me rezultatet pozitive. Nga ana tjetër, Burgaj ka kërkuar që të vazhdohet t’i kushtohet vëmendje e veçantë parandalimit dhe zbulueshmërisë së veprave të ndryshme penale, veçanërisht të krimeve kundër pronës”, deklarohet në njoftim. Të pyetur zyrtarisht për shifrat e analizës, policia dha përgjigje se vetëm ky njoftim është caktuar për publikim.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›