Eurot false, linja e trakut Rumani - Maqedoni - Shqipëri
Paratë false kanë çuar në pranga një grup prej 13 vetash, të cilëve u janë sekuestruar 73 mijë euro. Operacioni për kapjen e tyre është realizuar nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, e cila e ka koduar me emrin “Graniti”, që është edhe nofka e këtij institucioni. Operacioni u realizua në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa” dhe në rrugën nacionale Elbasan-Tiranë, ku ranë në pranga dy maqedonas, të cilët mendohet se janë krerët e rrjetit, një kosovar dhe dhjetë shqiptarë. Kreu i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, në një konferencë të përbashkët për shtyp me prokurorin Gentian Osmani, deklaroi se pas një pune operative hetimore dhe procedurale u mundësua zbatimi i metodave speciale të hetimit për një periudhe 3-mujore, ku është arritur të sigurohen provat e mjaftueshme për t’u vërtetuar fakti që shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vënë në qarkullim kartëmonedha “euro” të falsifikuara. U dokumentua tërësisht se kartëmonedhat euro ishin të prerjes njëqindëshe dhe dyshohet se kanë hyrë në Shqipëri nga Maqedonia, përkundrejt përfitimit me përqindje. Policia tha se në cilësinë e provës materiale bllokoi 730 kartëmonedha, me vlerë totale 73 mijë euro. Gjithashtu, u bllokua një “Shotgan”, një pistoletë model P38, si dhe katër automjete.
Nga hetimet e kryera rezultoi se grupi kriminal drejtohej nga shtetasi kosovar Avni Hajrullau dhe shtetasi maqedonas Kemal Rexhepi. Policia shpjegoi se ato prodhoheshin në Rumani dhe merreshin nga Rexhepi, i cili nga Maqedonia i transportonte drejt Tiranës. Në momentin e arrestimit, 35 mijë euro u kapën në një lokal te stadiumi “Qemal Stafa”. Ndërsa 38 mijë euro iu kapën dy maqedonasve, të cilët po vinin nga Elbasani në drejtim të Tiranës.
Burimet nga grupi hetimor shtuan se një denoncim për eurot e falsifikuara është bërë më 20 mars të këtij viti nga një qytetar nga Kukësi. Sipas të dhënave hetimore, ai kishte këmbyer para me euro për disa pagesa, pasi kishte gruan të shtruar në spital. Në momentin që ka bërë pagesën me euro, është zbuluar që ato ishin false. Pas këtij akti, ai ka denoncuar në polici dhe i janë bllokuar eurot.
Ndërsa nga ekspertiza e kryer për eurot rezultoi se 38 mijë eurot e bllokuara rrugës për në Tiranë kanë një cilësi të lartë që dallohet vetëm me aparate të specializuara. Por, ato kanë pasur vetëm katër numra serie dhe janë prodhuar më shumë se 380 kartëmonedha me to. Madje, kjo është zbuluar vetëm gjatë kontrollit të parave, kur dilnin numra të njëjtë serie. Pjesa tjetër, pra 35 mijë eurot e bllokuara te stadiumi “Qemal Stafa”, janë cilësi më e dobët falsifikimi. Meqë falsifikimi ishte më i dobët për t’i bërë të besueshme, u ishin vënë numra të ndryshëm serie që nuk përsëriteshin. Ato dërgoheshin në qendra tregtare, por mendohet se bashkëpunohej edhe me kambistë të ndryshëm. Megjithatë, hetimet vazhdojnë dhe priten arrestime të tjera.