Asambleja e PS së Greshicës kërkon zyrë për aplikimin e kartave
Asambleja e Partisë Socialiste e komunës Greshicë në Mallakastër i ka dërguar mbrëmjen e djeshme një letër-protestë kreut të shtetit Bamir Topi, OSBE-ODIHR dhe Ambasadës Amerikane në Tiranë. Kryetari i kësaj asambleje i drejtohet presidentit dhe organizmave të huaja ku i njeh me faktin se deri më sot në këtë komunë nuk janë hapur zyrat për aplikimin e shtetasve për kartat e identitetit.
Kryetari Bibil Veliaj shkruan se ka bindjen e plotë që ky veprim bëhet në mënyrë të qëllimshme nga ana e qeverisë, në kushtet kur dihet që elektorati i kësaj njësie administrative ka votuar masivisht forcën e majtë. Denoncimi shkon më tej duke u shprehur se veprimi bëhet në vazhdën e përpjekjeve të qeverisë për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve. Asambleja e Partisë Socialiste e komunës Greshicë në Mallakastër kërkon ndërhyrjen me qëllim hapjen e zyrës për aplikimin e kartave brenda javës, duke kërcënuar në të kundërt me përshkallëzim të protestës deri në bllokimin e rrugës nacionale Ballsh- Tepelenë.