PS: Listat e kandidateve, para 18 majit
Partia Socialiste do të ketë gati para datës 18 maj, listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e Qershorit. Kastriot Islami ka sqaruar se anëtarët e kryesisë, do të jenë të parët në lista nëpër qarqet e gjithë vendit, ndërsa kryetari aktual Edi Rama nuk do të jetë pjesë e listës. Kjo dhe për faktin se kriteret e miratuara nga Asambleja Kombëtare, nuk lejojnë kryetarët e bashkive dhe komunave të kandidojnë për deputetë, por dhe pse selia rozë nuk ka nxjerrë ende zyrtarisht emra.
Mësohet se brenda datës 16 maj, lista e kandidateve do të jetë gati, për ta depozituar më pas në KQZ brenda afateve, që parashikon kodi zgjedhor. Ajo që konfirmohet është se një pjesë e konsiderueshme e emrave të kandidatëve, do të jenë prurje të reja në politike, apo thënë ndryshe deputetë për herë të parë, emra të cilëve kryetari Rama u ka besuar edhe hartimin e programit elektoral e infrastrukturës zgjedhore. Në listat paraprake të PS-së, ka edhe biznesmenë, të shpërndarë në qarqe të ndryshme. Por një nga aleatët e selisë rozë, Paskal Milo, kërkon që njerëzit e biznesit që do të kalojnë në politikë duhet që më parë të bëjnë transparencën e pasurive të tyre. Afati i fundit i detyruar nga kodi që partitë garuese në zgjedhje, të dorëzojnë listat e 140 kandidatëve, është 18 maji. Më pas do të jetë rezultati i 28 qershorit, që do vendosë shpërndarjen e mandateve për parlamentin e ardhshëm.