E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS denoncon shfrytëzimin e nxënësve në mitingje, PD e konsideron xhelozi

Partia Socialiste ka kritikuar ashpër qeverinë Berisha për përdorimin e nxënësve të shkollave në fushatat elektorale. Kryetarja e Komisionit të Edukimit në Asamblenë Kombëtare të PS, Ledi Shamku ka qenë dje në Belsh për të parë nga afër denoncimet që mbërritën mbrëmjen e së premtes nga qytetarë të Belshit dhe komunave Grakan, Marinë, Kosovë etj në selinë e PS për përdorjen e fëmijëve të tyre ditën e shtunë, për mitingun e Kryeministrit Sali Berisha. Sipas Shamkut, ky është një fenomen që po shndërrohet në një dukuri të pazakontë për të gjithë shkollat e vendit. Shamku ishte dje pranë një shkolle ku ishin vendosur autobusë për të marrë nxënës të klasave që nga 5 e deri te maturat për të qenë dekor i fjalimit të Berishës. Sot në këtë komunë dhe në këtë bashki, apo në komuna të tjera, bëhet mësim me urdhër për arsyen e vetme se Sali Berisha vjen të përurojë fillimin e punimeve në një rrugë rurale. Ky obsesion i këtij njeriu për tu rrethuar nga turma, pa e vrarë fare ndërgjegjja se këto turma janë më së shumti fëmijë, ka bërë që ti mbledhë, ti nxjerrë nga dita e pushimit, ti dhunojë nga e drejta e vetë, ti nxjerrë dhe ti mbledhë në shkolla për arsyen e thjeshtë, sepse shkolla për të shërben si pikë mbledhje dhe detyrimi për ti dërguar këta fëmijë dhe mësues në mitingjet e veta, ka deklaruar Shamku, sipas së cilës kjo politikë kaq e mbrapshtë që zgjat prej shumë kohësh, pavarësisht denoncimeve të PS, të shoqërisë civile, të Avokatit të Popullit dhe mediave të lira i ka kthyer shkollat fatkeqësisht në kazerma rekrutimi. Unë nuk jam sot këtu për të replikuar me Sali Berishën, por për të qetësuar fëmijët, prindërit e mësuesit, se kjo dhunë primitive në arsim merr fund një herë e mirë më 28 qershor, ka përfunduar Shamku. Ndërkaq, shqetësimit të PS, i është përgjigjur PD, nëpërmjet zëdhënëses për shtyp, Erla Mëhilli. Anëtarja e SHPK-së së ndërtimit të Edi Ramës, në fakt do të ishte më mirë të thonim e Studio Shkrelit, doli sërish e tmerruar nga mitingu i madh i Berishës në Dumre, në të cilin u inauguruan punimet në rrugën Belsh-Kuçovë, një investim prej 600 milionë lekësh dhe denoncoi sipas saj pjesëmarrjen e nxënësve, në ditë pushimi, në këtë takim, deklaroi Mëhilli, duke shtuar sipas saj se ndërtimi i kësaj rruge është një ngjarje e gëzueshme për të madh e të vogël, për të gjithë qytetarët e asaj zone, ndaj edhe shqetësimi i Shamkut se po ndërtohen rrugë të reja, tregon një shenjë xhelozie verbuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›