Çfarë është korrupsioni? (Përgjigja nuk është e thjeshtë)
Autori i Lajmit: Nga Xhon HukerKishte mbretëruar një heshtje e ngurtë me rastin e paraqitjes së Teri Rodsit para një grupi të zyrtarëve qeveritarë në një kryeqytet afrikan-perëndimor. Ai kishte caktuar takimin për të diskutuar licencën e kompanisë së tij, “Celtel International”, të nevojshme për të formuar shërbimin e telefonisë mobile atje. Rods dhe partneri i tij, Mo Ibrahim, kanë themeluar “Celtel” në vitin 1998 me qëllim të bërjes së biznesit në Afrikën subsahariane,
duke bërë lojë të ndershme.
Falë përkushtimit dhe kuptimit të politikës lokale, ata tashmë kanë krijuar shërbime telefonike në disa vende fqinje, pa dhënë as më të voglin ryshfet. Rods kishte shpresuar
se takimi në fjalë do të sqaronte mënyrën e sigurimit të licencës, për të cilën ata tanimë
kishin paguar tarifën statusore prej 750,000 dollarësh.
Në vend të kësaj, zyrtarët qeveritarë nuk thanë thuajse asgjë. Vetëm më vonë Rods kuptoi pse. Njëri prej tyre kishte dërguar një faks atë mëngjes në selinë e “Celtel”-it në Amsterdam, me emrat e përfaqësuesve qeveritarë që do të merrnin pjesë në takim, me shuma parash pranë emrave të tyre, që arrinin një shifër prej gjithsej rreth 50,000 dollarësh.
Ato ishin pagesat vetëm për të marrë pjesë në takim. Për ta arritur marrëveshjen, duhej dhënë edhe ryshfete të tjera. Për shkak të shërbimit të dobët telefonik, Rods nuk kishte marrë vesh asgjë rreth faksit kur ishte takuar me zyrtarët. Ata dukej se ishin duke pritur diçka, por meqë asgjë nuk thoshin, takimi kishte hyrë në një qorrsokak.
Korrupsioni evident
Në këtë situatë, korrupsioni është shumë evident. Por, kur shikon se si bëhet biznesi në botë, shpesh nuk është e qartë se çka është korrupsion, e çka jo. Ne zakonisht identifikojmë korrupsionin me pagime pas dore, me lidhjet miqësore dhe nepotizëm, por të gjitha këto aktivitete mund të jenë plotësisht legjitime kur praktikohen me përgjegjësi në kontekst të duhur kulturor.
Korrupsioni është aktivitet që korrupton (prish, blen). Ai rrezikon sistemin në të cilin shfaqet. Për shkak se sistemet e biznesit mund të funksionojnë në mënyra shumë të ndryshme, aktivitete të llojeve të ndryshme mund ti korruptojnë ato.
Li Kam Sheung ka filluar firmën e prodhimit të ushqimeve kineze “Lee Kum Kee” si një biznes të vogël në vitin 1888. Deri në vitin 2005, kompania në pronësi familjare kishte
punësuar 3,900 punëtorë dhe shiste prodhimet e saj në 80 vende. Nipi i Liut, Man Tat, ishte kryesues i grupit dhe kishte emëruar të katër bijtë e tij si kryesues dhe/ose shefa
ekzekutivë të divizioneve të ndryshme.
Man Tat ishte i vetëdijshëm për rëndësinë e sjelljes së përvojës menaxheriale në kompaninë e tij në zhvillim e sipër. Ai adresoi këtë nevojë pjesërisht, duke dërguar djemtë e tij në shkolla të biznesit në SHBA, para se ti bindte ata ti bashkoheshin
kompanisë. Ai po ashtu kishte punësuar ekspertë të tjerë të shkolluar, që nuk ishin familjarë të tij. Ai dëshironte menaxherë profesionistë që nuk u pengonte nepotizmi.
Dallimet kulturore
Perëndimorët tentojnë që ta lidhin nepotizmin me kushërinjtë dembelë e jo kompetentë të shefave. Kjo gjë mund të jetë e dobishme në një kulturë konfuçiane, ku luajaliteti ndaj familjes është gjë e shenjtë. Një gjysh kinez ka autoritet. Ai mund të kërkojë dhe të marrë më shumë punë nga pjesëtarët e familjes, sesa nga të tjerët. Familjarët mund të mos jenë kandidatët më të talentuar të mundshëm për atë post, por gjyshi i njeh dobësitë dhe përparësitë e tyre, duke ditur se çfarë detyrash tu japë.
Nepotizmi shndërrohet në korrupsion kur të vjetrit nuk punësojnë të afërmit e tyre me kujdes. Por, nepotizmi i përgjegjshëm mund të jetë plotësisht legjitim për një kompani
në ambientin adekuat kulturor, gjë që ilustrohet mirë nga “Lee Kum
Kee”. Dallimet e tilla kulturore vijnë nga fakti që kulturat perëndimore janë të ndërtuara në rregulla dhe transparencë, derisa pjesa më e madhe e kulturave të tjera janë të bazuara në lidhje (raporte) njerëzore. Perëndimorët u besojnë institucioneve të bazuara në rregulla; të tjerët u besojnë familjarëve dhe miqve të tyre shumë më shumë, prandaj janë
të prirë që të kultivojnë raporte të fuqishme.
Dhuratat ndaj zyrtarëve mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e marrëdhënieve. Për shembull, biznesmenët koreanë kur të arrijnë që të bëjnë ndonjë takim me ndonjë zyrtar të rëndësishëm, ata i çojnë atij një zarf plot para, gjë që merret si shenjë falënderimi. Ata shpesh dërgojnë dhurata zemërgjera edhe në rast të lindjeve,
vdekjeve, apo martesave në familjet e zyrtarëve.
Natyrisht, kjo dhënie e dhuratave, në përputhje me kulturën, mund të kalojë në ryshfet quid-pro-quo (diçka për diçka), sikur që ndodh shpesh në Kore.
(Autori është profesor në shkollën e biznesit “Tepper School” të Univesitetit “Carnegie Mellon” USA)
Ky lajm është publikuar: 14/01/2010