Lëkundjet ciklike të sasisë së reshjeve
Autori i Lajmit: Prof. Dr. Myzafer Kazazi
Në këtë artikull, duke u mbështetur në të dhënat shumëvjeçare të prurjeve mesatare vjetore në vendmatjet hidrometrike të rrjetit hidrografik të lumenjve me të dhëna më të plota dhe më të sigurta për periudhën 1949 - 2000 do të analizoj në mënyrë më të thjeshtë lëkundjet ciklike të rrjedhjes ujore, të cilat edhe më parë janë analizuar dhe botuar në studimet periodike të Institutit Hidrometeorologjik, por tani për një periudhë relativisht më të gjatë vrojtimi.
Dihet se vrojtimet mbi reshjet në territorin e vendit tonë e kanë zanafillën në një periudhë më të hershme se ajo e rrjedhjes ujore dhe konkretisht pas vitit 1931 me krijimin e mbretërisë shqiptare. Si të tilla disponohen të dhëna të përpunuara për një periudhë 1931 - 2007 (78-vjeçare) në disa stacione meteorologjike të vendit si Shkodër, Tiranë, Korçë, Kukës, Vlorë, Kuçovë, Lushnje etj., ndërsa të dhënat e përpunuara mbi prurjet mesatare në rrjetin lumor e kanë zanafillën që nga viti hidrologjik (X. 1948 - IX. 1949) deri në vitin 2000 (52-vjeçare).
Eshtë njohur fakti se rrjedhja ujore e një territori hidrografik të caktuar është produkt i klimës ose më konkretisht produkt i sasisë së reshjeve të rëna, të cilat shprehen në milimetra në ditë, muaj ose vit.
Në zonat malore me temperatura të ulta (negative) dimërore që karakterizohen me reshje të shumta dëbore, rrjedhja ujore në këtë rast është produkt i reshjeve të dëborës dhe i temperaturës së ajrit, pasi shtresa e dëborës në lartësinë e vijave ujëndarëse të pellgjeve ujëmbledhëse dhe në pllajat malore kontribuon pak në rrjedhjen ujore gjatë muajve të ftohtë të dimrit (janar - shkurt) dhe kontribuojnë shumë në rrjedhjen ujore të rrjetit lumor gjatë muajve pranverorë (prill - maj) me rritjen e ndjeshme të temperaturave të ajrit.
Për të realizuar lëkundje ciklike të rrjedhës ujore do të shfrytëzojmë të dhënat e sasisë vjetore të reshjeve të stacionit meteorologjik të qytetit të Shkodrës, e cila përfaqëson stacionin me periudhë më të gjatë vrojtimi në gjithë territorin e Shqipërisë 1888 - 1917 dhe 1931 - 2007 si dhe prurjen mesatare vjetore të lumit shkumbin në vendmatjen hidrometrike Murrash.
Eshtë për tu theksuar se studimi i luhatjeve ciklike të reshjeve dhe rrjedhjes vjetore nëpërmjet grafikëve kronologjik nuk jep gjithmonë një paraqitje të plotë mbi ciklikën e luhatjes së rreshjeve dhe rrjedhjes ujore, si rrjedhim i pranisë së cikleve të shkurtër që vihen re në sfondin e përgjithshëm të luhatjes shumëvjeçare të ujëshmërisë së lumit. Edhe grafiku i vlerave mesatare lëvizëse të rrjedhjes vjetore për interval kohe (n - vjet), të cilat mënjanojnë ndikimin e luhatjes së mprehtë në vite të veçantëe, në saj të zbutjes, bëjnë të papërcaktueshëm kufijtë e cikleve të ndryshimit të luhatjes së ujëshmërisë, ndryshimin e fazave ujëshumtë nga fazat ujëpakët dhe anasjelltas.
Mënyra më e mirë dhe më e saktë për të studiuar lëkundjet ciklike të reshjeve vjetore dhe rrjedhjës vjetore në ecurinë e tyre kronologjike është paraqitje e tyre nëpërmjet kurbave integrale të shmangieve nga mesatarja të shprehura në madhësi absolute ose relative nëpërmjet koeficenteve modular.
Kurba integrale lejon vlerësimin e pozicionit të një serie (vargu) vrojtimi relativisht të shkurtër (n - vite) kundrejt ciklit të ndryshimit të ujëshmërisë të periudhës së gjatë shumëvjeçare të vendmatjes hidrometrike bazë (N - vite).
Në saj të kësaj, kurbat integrale kanë gjetur përdorim të gjerë në studimin e luhatjes dhe përcaktimit të periudhës llogaritëse të rrjedhës ujore.
Kurbat integrale ndërtohen duke mbledhur njëra pas tjetrës, shmangiet e koeficentëve modularë të serisë kronologjike të rrjedhjes vjetore, prej vlerës së tyre mesatare shumëvjeçare të barabartë me njësinë.
Madhësia e koeficentëve modular varet nga shkalla e ndryshueshmërisë së rrjedhjes vjetore në aksin e dhënë hidrometrik (koeficenti i variacionit, Cv) prandaj për krahasimin e luhatjes shumëvjeçare të rrjedhjes mënjanohet ndikimi i (Cv) dhe kurbat integrale ndërtohen sipas ordinatave: (Fig.1 dhe Fig.2)
Që të analizohen lëkundjet ciklike të prurjeve mesatare vjetore në ndihmën e kurbave integrale është e nevojshme që kohëzgjatja e vrojtimeve, në të cilat mbështetemi të jetë sa më e gjatë, por jo më e vogël se 30 vjet. Prandaj për këtë qëllim kemi shfrytëzuar për reshjet të dhënat e stacionit meteorologjik Shkodër dhe të dhënat për rrjedhjën ujore të vendmatjes hidrometrike të lumit Shkumbin - Murrash.
Për serinë e reshjeve të stacionit meteorologjik Shkodër kemi një periudhë të ndërprerjeve të vrojtimeve 13 vjeçare (1918 - 1930) prandaj periudha e viteve 1988 - 1917 (30 vite) janë analizuar veçmas nga periudha e viteve 1931 - 2007 për të cilën kemi të dhëna edhe në stacionet e tjera të vendit figura 1.
Faza e viteve ujëshumtë në kurbën integrale pasqyrohet me pjesën ngjitëse të kurbës, ndërsa faza ujëpakët në pjesën zbritëse të kurbës.
Në kurbën integrale të rreshjeve vjetore të Shkodrës së periudhës 1988 - 1917 (30 vjeçare) vihen re vitet 1888 - 1901 (14 vjet) që përfaqësojnë një fazë ujëshumtë të reshjeve. Në këtë fazë sasia mesatare shumëvjeçare e reshjeve në Shkodër rezulton 1538 mm, ndërsa për fazën ujëpakët 1902 - 1914 (13 vite) sasia mesatare shumëvjeçare e reshjeve rezulton 1247 mm. siç vihet re në periudhën 1888 - 1917 karakterizohet nga një fazë ujëshumtë 14-vjeçare dhe një fazë ujëpakët 13-vjeçare. Për mungesë të të dhënave mbi reshjet vjetore për periudhën 1918 - 1930 po përjashtojmë çdo koment apo gjykim të ujëshmërisë së saj.
Në kurbën e dytë integrale të periudhës 1931 - 2007 vëmë re një fazë ujëshumtë që zgjat më shumë se ajo e viteve 1888 - 1901 dhe konkretisht vihet re se faza ujëshumtë e ka zanafillën në vitin 1949 dhe përfundon në vitin 1981 (33-vjeçare) sasia mesatare shumëvjeçare e reshjeve për këtë periudhë në Shkodër rezulton 2066 mm, ndërsa faza ujëpakët 1982 - 2007 (26-vjeçare) karakterizohet me sasi reshjesh më të pakët. Sasia mesatare shumëvjeçare e reshjeve në këtë periudhë rezulton 1647 mm që përbën një sasi prej 20% më të vogël se ajo e fazës ujëshumtë ose 10% më të vogël se ajo e periudhës së përgjithshme të vrojtimeve 1931 - 2007, e cila karakterizon vlerën mesatare shumëvjeçare prej 1835 mm. Edhe duke ndërtuar kurbën integrale të shmangieve të koeficentit modular nga njësia me rreshjet e stacionit meteorologjik Tiranë vihet re një përputhje e plotë e kësaj kurbe me atë të Shkodrës si për fazën e viteve ujëshumtë ashtu edhe për fazën e viteve ujëpakët.
Dhe tani le të analizojmë lëkundjet ciklike të rrjedhës vjetore në vendmatjen hidrometrike të Shkumbinit në Murrash. Këto të dhëna të përpunuara që nga viti hidrologjik (X 1948 - IX 1949) konçidojnë me fundin e një faze ujëpakët që e ka zanafillën ndofta para vitit 1931 (viti i parë i të dhënave mbi sasinë e rreshjeve vjetore).
Duke e konsideruar edhe në rastin e rrjedhjes mesatare vjetore vitin 1949 si fillim të fazës ujëshumtë në rrjetin hidrometrik të vendit dhe vitin 1981, fundin e kësaj faze vëmë re se kjo fazë (1949-81) 33-vjeçare përfaqësoi fazën me më shumë ujëshmëri në territorin hidrografik të vendit për 100-vjeçarin e kaluar.
Prurja mesatare shumëvjeçare e lumit Shkumbin në vendmatjen hidrometrike Murrash për periudhën e vrojtimeve 1949 - 2000 rezulton Q0 = 33.1 m3/sek që i përgjigjet nga moduli specifik q0 = 25.7 l/Skm2 ndërsa për fazën ujëshumtë 1949 - 81 prurje mesatare shumëvjeçare rezulton Q0 = 36.6 m3/s ose modul specifik q0 = 28.4 l/sek për çdo 1 km2 të pellgut ujëmbledhës, ndërsa faza ujëpakët 1982 - 2000 (28 vjet) ka një prurje mesatare shumëvjeçare Q0 = 27.0 m3/s ose një modul mesatar specifik q0 = 21.0 l/skm2. Siç shihet faza ujëshumtë në dallim me fazën ujë pakët ka një diferencë prej afro 10.0 m3/sek ose një modul specifik prej afro 7.4 l/Skm2 më të lartë se faza ujëpakët. Po të kemi parasysh si edhe vitet 2001 - 2007 paraqiten si vite me reshje të pakta. Kjo diferencë do të rezultonte 8.0 - 9.0 l/Skm2 më e vogël.
Analiza e lëkundjeve ciklike të reshjeve dhe rrjedhës ujore në territorin e Shqipërisë paraqet interes si në aspektin shkencor ashtu edhe në aspektin praktik. Rëndësia e studimit të këtyre lëkundjeve, është fakti, sepse kjo periudhë vitesh të thatë që po përjetojmë në këto 25 - 30 vitet e fundit nuk është e rastit, pasi është përjetuar edhe më parë në fillimet e viteve 1900 apo mesi i dekadës së tretë të shekullit të kaluar.
Duke analizuar vitet e kalimit nga faza ujëpakët në fazën ujëshumët dhe anasjelltas vihet re një fazë ndërmjetëse vitesh ku vitet ujëshumtë dhe ujëpakët alternohen njëri me tjetrin (periudhë tranzicioni apo kalimtare) për të kaluar nga njëra fazë ujëshumtë në fazën ujëpakët apo për të kaluar nga faza ujëpakët në atë ujëshumtë.
Veçoritë e fazës ujëshumtë 1949 - 1981
Në këtë fazë për stacionin meteorologjik Shkodër vihen re 20 vite me reshje mbi 2000 mm prej tyre edhe vite me sasi të mëdha reshjesh si viti 1952 me 2681 mm, viti 1968 me 2674 mm, viti 1969 me 2681 mm dhe 5 vite të thatë prej tyre viti 1953 me 1268 mm, viti 1961 me 1456 mm dhe 1977 me 1473 mm dhe 8 vite me reshje mesatare të përafërta me mesataren shumë vjeçare (1835 mm). Në këtë fazë siç shihet raporti i viteve ujëshumtë ndaj viteve ujëpakët rezulton 4 me 1.
Vitet e fazës ujëshumtë 1949 - 81 në rrjetin hidrografik të vendit pasqyrohen me ujëshmëri të lartë, por shoqërohen shpesh herë me prurje të plota dhe prurje maksimale me pasoja katastrofike. Në këtë fazë vihen re prurjet e plota të vitit 1956 dhe veçanerisht e plota 16 nëntorit 1962 dhe 13 janarit 1963, të cilat janë pasqyruar në një studim të veçantë nga institute hidro -meteorologjik, botim Hidmet - 1964.
Në shumë vendmatje hidrometrike niveli dhe prurja e këtyre diteve konsiderohen si më të lartat deri në ditët e sotme me disa përjashtime. Plota e vitit 1966 në lumin Seman, Vjosë dhe Erzen e kaloj nivelin dhe prurjet e vitit 1962 - 63 ndërsa plota e 31 dhjetorit të 1970 dhe 1 janarit 1971 ka qenë e përmasave të jashtëzakonshme në pellgun e lumit Vjosa. Ujërat e Vjosës përmbytën fshatin Novoselë tek ura e Mifolit, duke pezulluar për disa ditë qarkullimin e automjeteve në rrugën Fier - Vlorë. Në këtë sektor të Vjosës mund të kalohej vetëm me varka. Ndërsa në pellgun e lumit Drin i Bardhë përmendim plotën e vitit 1979 që ndodhi vetëm 1 vit pas ndërtimit tëe hidrocentralit të Fierzës. Plota që me pasoja të rënda në territorin e pellgut hidrografik të Drinit të Bardhë (prishje e urës 300-vjeçare Prirzen). Punonjësit e hidrocentralit të Fierzës u detyruan të hapnin portat e nivelit të emergjencës për uljen e nivelit të liqenit, u prish linja hekurudhore që lidhte Prishtinën me Shkupin (pellgu i lumit Vardar).
Plota me pasoja katastrofike përmendim atë të vitit 1905 në pellgun e lumit Drin e Buna. Në këtë plotë, niveli i ujit të Bunës sipas një foto të "Marubit" shënon mesin e dritares së doganës së Pazarit të Vjetër si dhe plota e vitit 1916 e shënuar me një bllok betoni nga komanda ushtrisë austriake mbi rrugën automobilistike pranë urës së Bunës.
Veçoritë e fazës ujëpakët 1982 - 2007
Në këtë fazë në stacionin meteorologjik Shkodër vihen re një numër prej 18 vitesh të thatë me reshje të pakta siç është viti 1982 me 1246 mm, viti 1983 me 1118 mm, viti 1989 me 1351 mm, viti 1993 me 1303 mm, viti 2003 me 1175 mm dhe viti 2007 me 1309 mm reshje. Në këtë fazë kemi vetëm 3 vite që i kalojnë 2000 mm reshje si viti 1995 me 2304 mm, viti 1996 me 2384 mm si dhe viti 2004 me 2233 mm reshje. Kemi vetëm 4 vite që afrohen me vlerat e reshjeve mesatare shumëvjeçare (1835 mm). Raporti i viteve të thatë (me reshje të pakta) me atë të viteve me reshje më të shumta rezulton 6 me 1 në favor të viteve të thatë.
Në këtë fazë plotat në lumenjt e vendit nuk janë karakterizuar me plote të mëdha që të dallohen për daljen e tyre nga shtrati dhe përmbytjen e zonave fushore, nivelet maksimale të ujit, të ujërave të lumenjve të vendit në këto vite nuk rezulton të kenë kaluar nivelet e regjistruara në fazën ujëshumtë (1949 - 81).
Në këtë fazë kemi patur përmbytje në zona fushore jo nga dalje e ujërave nga shtrati i lumenjve, por përmbytje nga shirat e shumtë, të cilat nuk kanë patur mundësi të tërhiqen nga rrjeti i kanaleve kullues dhe mos funksionimin e elektropompave në hidrovore.
Eshtë i njohur fakti se pas krijimit të Shërbimit Hidrometeorologjik të Shqipërisë në shkurt të vitit 1949, numri i stacioneve hidrometrike dhe meteorologjike është rritur në sasi hap pas hapi dhe për pasojë periudha e vrojtimit të funksionimit të tyre rezulton në seri vitesh të ndryshme vrojtimi, njohja me lëkundjet ciklike të reshjeve dhe rrjedhës vjetore na detyron që për përcaktimin e vlerave të reshjeve dhe prurjeve mesatare shumëvjeçare në këto stacione të përcaktojmë më parë se në cilën fazë të ujëshmërisë janë grumbulluar këto të dhëna në mëyrë që të bëhet një vlerësim më i saktë si i reshjeve ashtu dhe prurjeve mesatare shumëvjeçare të tyre. Po qe se periudha e vrojtimit i përket fazës ujëshumtë, atëherë vlera e tyre duhet të reduktohet (të zvogëlohet) mbi bazën e koeficentit modular të shmangjes nga njësia dhe nëqoftëse periudha e funksionimit të vrojtimeve të tyre i përket fazës ujëpakët atëherë vlera e prurjeve dhe reshjeve mesatare duhet të reduktohet (të rritet) gjithmonë mbi bazën e vlerës së koeficentit modulare të shmangies nga njësia të periudhës së funksionimit.
Në përfundim mund të themi se duke bërë analogji me kurbat e shmangieve të koeficentit modular nga njësia të paraqitura për reshjet e Stacionit Meteorologjik të Shkodrës dhe Stacionit Hidrometrik të Shkumbinit - Murrash. Mund të presim në vite në vazhdim një periudhë tranzicioni të fazës ujëpakët drejt fazës ujëshumtë.
Ky lajm është publikuar: 14/01/2010