E Diel, 1 Nëntor 2026

TKOB Ariet dhe duetet më të famshme në skenën 57 vjeçare

Autori i Lajmit: Redaksia
Çdokush do të mund të gjej veten në Teatrin e Operas dhe Baletit këtë muaj, ku shfaqje të larmishme do të ngjiten në skenën 57 vjeçare.
Ashtu si çdo institucion tjetër kulturor në vend edhe Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit do të vijojë me kalendarin artistik. Nën kujdesin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj, në TKOB do të vihet në skenë një opera enkas për të rinjtë dhe të vegjëlit. Pas suksesit që pati baleti "Arrëthyesi" do të rikthet për publikun kryeqytetas në datat 16 dhe 17 janar.
Nën koreografinë e mjeshtit Ilir Kërni, ky balet do të ringjitet edhe një herë në skenë për të përcjellë gjithë magjinë e tij. Marrin pjesë solistët, trupa e baletit e T. K.O.B-së, orkestra simfonike, si dhe nxënës të Shkollës së Mesme Koreografike Kombëtare, që sipas Kernit “Janë një ndihmesë dhe një mbështetje e madhe për realizimin e kësaj shfaqjeje baleti”. "Arrëthyesi" është një balet i mbështetur mbi një përrallë me dy akte në tri skena dhe e kompozuar në vitet 1891-1892 nga Çajkovski.
Ky balet pa premierën e tij në Teatrin Imperial të Rusisë në vitin 1892. Jo vetëm në Rusi, por edhe në Perëndim baleti "Arrëthyesi" u bë ndoshta baleti më popullor, veçanërisht në periudhën e Krishtlindjeve. Kompozitori realizoi një ndarje duke veçuar tetë numra nga baleti përpara premierës dhe formoi suitën Arrëthyesi, ndërsa për publikun shqiptar këtë vepër do ta ngjisë në skenë Ilir Kerni. Në rolet kryesore do të interpretojnë emra të njohur të skenës, solistët e TKOB-së, Enada Hoxha, Gerd Vaso, Ilir Kerni, Ledia Sulaj, Elton Merja, Evis Nallbani, Dion Gjinika, Fatjon Lito, Jonida Onuzi, Rovena Shqevi, Elona Dervishi, Adela Mucollari, Greta Hushi, etj.
Skenografia është konceptuar nga Zorz Drausnik, ndërsa kostumet janë realizuar nga kostumografja, Elva Bella. Dirigjent i shfaqjes është Petrika Afezolli. Që në momentin e krijimit si balet “Arrëthyesi” ka fituar një popullaritet në ngjitjet skenike dhe është në repertorët e teatrove të mëdhenj kudo në botë. Historia rrjedh nga tregimi "Arrëthyesi dhe Mbreti i minjve", i Erenst Theodor Amadeus Hoffmann. "Arrëthyesi" u luajt për herë të parë nën drejtimin e vetë kompozitorit, më 19 mars 1892 në Shën Petersburg”.
Ndërsa “Arrëthyesi” është shfaqja që vjen nga festat e fundvitit, në Teatrin e Operas dhe Baletit do të ketë shfaqje për të gjithë, dashamirës të baletit, operas, arieve, dueteve më të famshme, valleve popullore, por edhe për fëmijët.
Një mbasdite koreografike e kompanive të minibaletit “Të vegjlit për të vegjlit” do të mund ta shihni në 19 janar. “Gjerdani i perlave popullore” është një tjetër traditë e Teatrit të Operas dhe Baletit. Artistët më të mirë të Ansamblit Popullor dhe folkloristë të vegjël do të japin shfaqje më 20 janar.
Një koncert gala, i cili do të ngjisë në skenë shumë emra artistësh të njohur popullorë, të cilët me talentin e tyre do të bëjnë që koncerti të prezantohet para publikut artdashës me tërë shkëlqimin e tij.
Mbrëmja e 20 janarit në metropolin shqiptar do të jetë nën atmosferën e këngës dhe valles shqiptare, e cila do të vijë në skenën e TKOB si një gjerdan i thurur me perla të folklorit popullor. Shfaqjet e këtij muaji nuk mbarojnë këtu. Në 22 janar rikthehet novela koreografike rinore “Tirana by night”. “Tirana by night” është një formë e re baleti, ku të rinjtë, do të ngjiten në skenë duke sjellë një performancë ndryshe nga ato që kemi parë deri tani. Me anë të kësaj shfaqjeje do të përcillet vizioni i të rinjve, se si sillen brenda një nate në kryeqytet.
Vepra “Tirana by night”, që do të vihet në skenën e TKOB jep një mesazh, një amanet, i cili është testamenti i autorit, i cili edhe në momentet e fundit të jetës së tij dëshironte ta shihte Shqipërinë të pastër e të integruar në rrugën e zhvillimit evropian. Mbrëmja gala e 24 janarit do të mbledhë bashkë solistët më të njohur të TKOB për të dhënë një koncert me ariet dhe duetet më të famshme...

Ky lajm është publikuar: 14/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›