Kristaq Skrami: Ja objektivat e Teatrit Kombëtar për vitin 2010
Kristaq Skrami, drejtori i Teatrit Kombëtar në Tiranë, ka shprehur për mediat të rejat e sezonit të ardhshëm, i cili fillon me muajin janar të vitit që vjen dhe përfundon në muajin maj të po këtij viti. Para mediave titullari i këtij institucioni bën të ditur se ka nisur puna për premierën “Elektra” nga Sofokliu, e cila pritet të ngjitet në muajin shkurt në TK nën regjinë e Adonis Filipit. Gjithashtu, në muajin janar do të nisë puna për një tjetër premierë, e cila parashikohet të ngjitet në skenë në muajin mars. Bëhet fjalë për veprën e shkruar prej italianit Lugi Pirandello “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, e cila do të vijë në skenë nën drejtimin e regjisorit Mehmet Xhelili. Direkt pas këtyre dy premierave në muajin mars, do të nisin përgatitjet për vënien në skenë të një drame shqiptare, e cila pritet të jetë gati për publikun rreth muajit prill. Drama shqiptare do të përzgjidhet në kohën e duhur, duke pasur parasysh prurjet e dramaturgëve shqiptarë me rastin e 65-vjetorit të krijimit të Teatrit Kombëtar. Në muajin maj është parashikuar të vihet në skenë "Hamleti" i Shekspirit. Kësaj here jo një regjisor shqiptar, por regjisori grek Jorgo Qimulis është angazhuar për ta sjellë veprën para publikut. Muaji maj do të sjellë një sërë aktivitetesh festive në kuadër të krijimit të Teatrit Kombëtar. Po atë muaj do të kthehet një tjetër aktivitet i rëndësishëm teatror. Bëhet fjalë për Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit me pjesë kombëtare. Ndërkohë, në kuadër të aktiviteteve ndërkombëtare, drejtori Skrami ka përmendur pjesëmarrjen e veprës “Alegreto Albania” të regjisorit Altin Basha në bienalen teatrore "Neë Plays from Europe", e cila më parë është njohur me emrin "Bienalja Teatrore e Bonit". Aktiviteti organizohet në Visebaden të Gjermanisë. Kjo pjesëmarrje vjen në kuadër të bashkëpunimit me ETC-në për shkëmbimin e vlerave artistike dhe promovuese. Ky është një ndër evenimentet më të rëndësishme për Tetatrin Kombëtar përsa i përket pjesëmarrjes në festivale, pasi pjesëmarrja në këtë festival është pjesëmarrja që synohet nga teatrot më prestigjioze në Europë.
Përkujtohet shfaqja e parë e cirkut shqiptar
“Shkopi magjik”, shfaqja e parë e cirkut shqiptar, dhënë në nëntor të viti 1959, do të përkujtohet nga artistët më të mirë të cirkut në datën 19 dhjetor me një shfaqje tjetër të titulluar “Qielli pikon yje” dhe në datën 26 dhjetor me shfaqjen e fundit për vitin 2009 me titull “Duke kaluar ylberin”. Në këtë shfaqje do të risillen disa nga numrat më të realizuar dhe me shkallë më të lartë rreziku si numrat “Shkalla në ekuilibër”, “Vertikale me rrëshqitje”, “Bambuja” etj. Kjo shfaqje përveç artistëve me përvojë si Fitnete Duro, Kujtim Dumi, Fatos Alla, Sokrat Buzo dhe Pranvera Sallata, do të prezantojë edhe emrat premtues të cirkut të sotëm si Manushaqe Mullai, Stela Blloshmi, Erando Jucja, Xhejms Kodra, Juxhina Madhi, Rubin Zuna, Klaudia Duro etj. Regjia e shfaqjes është realizuar nga Kiço Londo, në një konceptim modern të ndërthurur me traditën, efekte speciale dhe shumë surpriza të tjera. 50 vjetori i krijimit të cirkut shqiptar u përkujtua javën e kaluar edhe me sesione shkencore, ekspozita fotografike dhe dekorim të artistëve që kanë lënë gjurmë në historinë e gjatë të cirkut shqiptar.
17 Dhjetor 2009