E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo, bukuroshja “vrasëse”

4-2. E pagabueshme. Triumfatore. Dominuese. Kampione dimri. 18 javë larg zyrtarizimit të titullit të 18-të. Dinamo, 13 fitore në 15 javë; 41 pikë nga 45 të mundshmet; +15 nga Besa e vendit të dytë (por me një ndeshje më pak) është bukuria “vrasëse” e sezonit 2009-2010. “Viktima” e radhës, Vllaznia, me atë fitore 4-2, por me një tripletë të Fatjon Sefës, golashënuesit të dytë më të mirë të kampionatit, me 9 gola, një më pak se shoku i tij i ekipit, Elis Bakaj (10), edhe ky firmosës në fitoren e 13 sezonale të formacionit të Shkëlqim Muçës.

NDESHJA
E shpejtë qysh në minutat e para, me dy gola të bukur nga Sefa (4’) dhe Bakaj (8’), por me emocione pa fund në pjesën e parë pas dy golave të Vllaznisë, të realizuar në harkun e tri minutave, fillimisht me malaziazin Blaze Rajoviç (23’) e më pas me mbrojtësin e Kombëtares, Elvin Beqirin (25’). Fraksioni i dytë rinis sërish me një gol të shpejtë të gjigantit Sefa (48’) për të vazhduar me lushnjarin në të 52’, fitues absolut i të gjitha dueleve ajrore me mbrojtjen shkodrane, por dhe ndaj portierit të dytë të Vllaznisë, Olti Bishani. Takimi nuk ka më histori në ndeshjen e 125-të midis dy ekipeve (49 fitore Dinamo, 41 fitore Vllaznia, 34 barazime), dhe Vllaznia largohet nga kryeqyteti të paktën e lehtësuar se u mund nga ekipi më i mirë i momentit, pavarësisht se në Shkodër kishte barazuar pa gola me Dinamon.

PAK TIFOZË

Vetëm 2 tifozë në tribunat për karshi të “Qemal Stafa”, kapaciteti maksimal i të cilave është 9800 shikues. Një dramë e madhe e futbollit shqiptar. Në impiantin ndërkombëtar tifozët më të rregullt janë policët, të cilët bëjnë edhe sigurinë e mbarëvajtjes së takimit.

Një serb zbukuron Apoloninë

Apolonia i mori revanshin Laçit me një fitore të pastër 2-0, falë dy golave të realizuar nga sulmuesi serb Mlladen Bërkiç, nga një në çdo pjesë loje, edhe pse luajti për më shumë se 80 minuta me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të Shkëlzen Kelmendit. Formacioni i Hasan Likës bëri autokritikën më të mirë në shtëpi pas humbjes shokuese 3-0 në transfertë me Shkumbinin e Peqinit. 29-vjeçari Bërkiç, golashënuesi më i mirë i Apolonisë dhe një nga lojtarët e huaj më cilësore të kampionatit shqiptar, realizoi në pjesën e parë në minutën e 25-të, për të dyfishuar shifrat në të 68’, duke i dhuruar fitoren e 8-të sezonale bardhejeshilëve dhe ringjitjen në vendin e tretë. Dy golat ndaj laçjanëve e ngjitën Bërkiçin në kuotën e 6-të rrjetave të realizuara, tre prej të cilave Laçit, pasi Bërkiç shënoi edhe në ndeshjen e fazës së parë, kur Apolonia humbi 3-2 në Laç, një ndeshje e kontestuar fort nga ish-trajneri boshnjak i fierakëve, Esad Karishik, sidomos për presionin e jashtëzakonshëm gjatë pjesës së dytë. Të dyja skuadrat u barazuan përsa numrit të fitoreve gjatë 17 ndeshjeve historike midis tyre: 7 fitore Apolonia, 3 barazime dhe 7 fitore Laçi. Edhe golat janë të barabartë: nga 23 për secilën skuadër.

Poker krutan, hakmarrje e ëmbël

Kastrioti shpërtheu në Krujë me një fitore të bujshme 4-1 ndaj Shkumbinit të Peqinit, duke u rikthyer te triumfet trepikëshe pas një serie prej tre javësh pa fitore, qysh nga ajo e arritur me Apoloninë në Fier (3-2). Renato Kalari çeli serinë e “pokerit” krutan në minutën e 12-të, duke ia lenë radhën Eleandro Pemës (25’ e 76’) e në fund Oriand Abazajt (86’) për të nënshkruar triumfin e pestë sezonal në 15 javë kampionat. Për Shkumbinin (humbja e 7-të e peqinasve) golin e vetëm e realizoi Lorenc Pashja (32’). Kastrioti u ngjit në kuotën e 19 pikëve, duke lënë pas vetes Shkumbinin (18). Katër ditë më parë, Shkumbinin shfryu rrëndshëm ndaj Apolonisë në Peqin (3-0), por në Krujë, formacioni i Kristaq Miles ishte hija e vetvetes në humbjen e shtatë sezonale, njëherësh edhe më e thella. Kjo është fitorja më e thellë e Kastriotit gjatë këtij sezoni në kampionat, por shifrat 4-1 krutanët i kishin fiksuar më parë edhe në fitoren kundër Sopotit të Librazhdit në turin e parë të Kupës së Shqipërisë. Dy skaudrat kanë zhvilluar midis tyre 10 ndeshje, duke pasur tashmë këtë bilanc: 3 fitore Kastrioti, 3 barazime dhe 4 fitore Shkumbini.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 15

16.12.2009

13:00 Gramozi-Skënderbeu 2-0
Jurandier Oliveira 49’, Arlindo Rustemi 64’

13:30 Apolonia-Laçi 2-0
Mlladen Brkic 25’, Mlladen Brkic 68’
Karton i kuq: 10’ Kelmendi

13:30 Dinamo-Vllaznia 4-2
Fatjon Sefa 4’, Elis Bakaj 8’, Fatjon Sefa 48’, Fatjon Sefa 52’/ Blaze Rajovic 23’, Elvin Beqiri 25’

13:30 Kastrioti-Shkumbini 4-1
Renato Kalari 12’, Eleandro Pema 25’, Eleandro Pema 76’, Oriand Abazaj 82’ / Lorenc Pashja 32’

13:30 Teuta-Flamurtari 1-0
Erion Dushku 68’

17.12.2009
13:00 Besa-Tirana

RENDITJA
1 Dinamo 15 41
2 Besa 14 26
3 Apolonia 15 24
4 Tirana 14 22
5 Teuta 15 22
6 Kastrioti 15 19
7 Shkumbini 15 18
8 Laçi 15 17
9 Vllaznia 15 15
10 Gramozi 15 15
11 Skënderbeu 15 14
12 Flamurtari 15 11

17 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›