Gramozi zbut “ujqërit”
Në një stadium zyrtarisht pa shikues dhe me një Dos Santos të “arratisur pa adresë”, Gramozi iu imponua totalisht Skënderbeut me një fitore bindëse 2-0 në javën e 15-të Kategorisë Superiore. Me kujtimet e hidhura nga humbja 4-1 e fazës së parë në Korçë dhe të supermotivuar nga barazimi 1-1 në kryeqytet me Tiranën, Gramozi iu imponua korçarëve që nga minuta e parë. Gjithsesi, ishte zëvendësuesi brazilian Jurandir Oliveira ai që shënoi golin e parë të kolonjarëve në minutën e 49-të. Vlonjati Arlindo Rustemi në minutën e 64-t i dha fund rezistencës së “ujqërve të dëborës”. Duket qartë se puna e trajnerit Agim Canaj po jep fryte në Ersekë. Skënderbeu vazhdon të zhgënjejë në transfertë, ku ende nuk ka arritur asnjë fitore (ashtu si dhe Gramozi e Vllaznia). Gramozi, ashtu si korçarët, i ardhur nga Kategoria e Parë, jo vetëm që mori revanshin në përballjen e tyrë të dytë në Kategorinë Superiore, por realizoi edhe rokadën e vendeve me Skënderbeun (14 pikë), duke pasur tani një pikë më shumë se formacioni i Gerti Haxhiut.
Flamurtarin e zënë krizat e detit
Teuta regjistroi një fitore minimale 1-0 me Flamurtarin e vendit të fundit, por në humbjen e vlonjatëve një rol të dorës së parë ka dhe sulmuesi korçar Devis Mema, i cili shpërdoroi mundësinë e artë nga nga pika e bardhë. Një “Niko Dovana” të ftohtë pa shikues, formacioni durrsak pa kapitenin Vangjel Mile kërkoi fitoren nga minuta e parë, por goli i fitores së dytë sezonale ndaj Flamurtarit u realizuar vetëm në pjesën e dytë, kur Erion Dushku shënoi me kokë në minutën e 68-të pas harkimit të Bledar Hodos. Edhe në fazën e parë, Teuta kishte fituar 3-0 në Vlorë.
Në minutën e 29-të, portieri debutues durrsak Bledian Rizvani u shndërrua në heroin e takimit, kur grushtoi penalltinë e gjuajtur keq nga Mema, ky i fundit e pati sërish mundësinë të shënonte, pasi topi u rikthye edhe një herë tjetër te sulmuesi i Flamurtarit, por sërish pa rezultat. Për Devis Memën kjo është penalltia e dytë që ai humbet nga tre të gjuajtura në tri ndeshjet e fundit (përfshirë edhe atë kundër Gramozit në Kupë).
Teuta u ngjit në kuotën e 22 pikëve, 11 më shumë se Flamurtari i vendit të fundit, që përjetoi në Durrës humbjen e 8 sezonale e duke hedhur një tjetër hap të gabuar, por me drejtimin e qartë nga Kategoria e Parë. Kjo ishte dhe fitorja e 35-të e Teutës në 127 ndeshje historike, kundrejt 46 të Flamurtarit (46 barazime).
17 Dhjetor 2009