E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohet në Apel kërkesa për lirim e Aldo Bares

TIRANË- Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda në kryeqytet, vendosi rrëzimin e kërkesës së kreut të "bandës" së Lushnjës Aldo Bare dhe mbrojtësit të tij ligjor për shuarjen e masës së sigurisë "arrest me burg" dhënë në vitin 2006 dhe verifikuar vetëm dy javë më parë, konkretisht dy ditë pas ekstradimit të tij nga Turqia.


Togat e zeza të kësaj gjykate, të kryesuara nga gjyqtarja Nure Prendi pasi shqyrtuan ankimin e vendimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, dëgjoi palët në proces vendosi të rrëzojë ankimin e vendimit dhe të lërë në fuqi vendimin e dhënë në vitin 2006.


Në seancën e djeshme gjyqësore nuk ishte i pranishëm vetë i ekstraduari i pak ditëve më parë nga Turqia, shtetasi Aldo Bare, por vetëm avokati i tij Vladimir Meçe.


Në ankimimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, avokati mbrojtës i kërkoi Gjykatës së Apelit të shpallë të pavlefshme masën e sigurisë "arrest me burg" dhënë ndaj klientit të tij në mungesë më 26 mars 2006, si dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të kësaj mase pas ekstradimit nga Turqia vetëm dy javë më parë. "Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka vepruar në kundërshtim me ligjin në vendosjen e masës së sigurisë ndaj klientit tim",-tha avokat Meçe.


Në fjalën e tij, avokati argumentoi se seanca për vlerësimin e kushteve të zbatimit të masës duhet të shqyrtohej nga një trup gjykues dhe jo një gjyqtar i vetëm, për aq kohë sa dosja në ngarkim të Aldo Bares ndodhej në gjykim. Sipas tij, Bare mbahet në burg për një vit e 5 muaj që nga koha kur i kanë mbaruar afatet e paraburgimit.


Por, kjo kërkesë e mbrojtjes nuk u morr parasysh nga trupi gjykues që vendosi të lërë në fuqi vendimin e dhënë në mars të 2006. Sipas akuzës, Aldo Bare akuzohet për një sërë veprash të rënda penale të ndodhura në qytetin e Lushnjës me rrethin nga viti 1997-2006.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›