Asambleja e PS, zgjidhje për krizën
aristir lumeziAsambleja Kombëtare e socialistëve pritet të paraqesë propozime konkrete, që do t’i hapin rrugë zgjidhjes së krizës politike. Të dielën PS do të mbledhë asamblenë, e cila do të trajtojë çështje të shtetit ligjor dhe demokracisë. Mësohet se në fund të kësaj mbledhjeje, e cila për nga formati është e njëjtë me mbledhjen e fundit, ku u analizua kriza ekonomike, do të miratohet një rezolutë e cila do të përbëjë në vetvete ofertën e PS-së për daljen nga kriza, duke i lënë maxhorancës hapësirë të reflektojë mbi të. Propozimet pritet të kenë në qendër një rol më të madh të opozitës në reformat e ardhshme që do të prekin dhe institucione të rëndësishme të shtetit shqiptar. Socialistët mbajnë top sekret këto propozime deri ditën e asamblesë, e cila pritet, për këtë qëllim, të zhvillohet me dyer të mbyllura pa praninë e mediave. Nuk përjashtohet të risillen për diskutim dhe teza të hedhura më parë për një konceptim të ri të institucioneve të rëndësishme në vend, por që kësaj radhe hidhen si kusht për të arritur një marrëveshje që do të çojë në zgjidhjen e krizës aktuale politike në vend, që prej zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Një grup pune i drejtuar nga sekretari socialist për çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj, do të bëjë analizën e funksionimit të shtetit nën qeverisjen e të djathtëve, por do të paraqesë dhe propozime konkrete. Në grupin e punës janë përfshirë deputetët Ilir Gjoni, Damian Gjiknuri, Sajmir Tahiri, Ditmir Bushati, Fatmir Toçi dhe Armando Subashi, të cilët sipas një ndarje të tematikës do të paraqesin ekspertizën e tyre rreth çështjeve të korrupsionit, gjyqësorit, zgjedhjeve, marrëdhënieve të parlamentit, funksionimit të institucioneve kushtetuese, mediave etj. Do të jetë Xhafaj që do të drejtojë këtë ekspertizë të situatës së funksionimit të shtetit në këtë mbledhje të asamblesë, i cili do të paraqesë në fund dhe rezolutën finale të këtij diskutimi. Deputeti i qarkut të Tiranës, Ilir Gjoni do të trajtojë çështjet e rendit dhe sigurisë kombëtare, funksionimit të shtetit në kushte emergjencash etj. Damian Gjiknuri do të trajtojë çështjet e zgjedhjeve dhe hetimit parlamentar të tyre, duke dhënë argumente pse kërkohet një hetim i tillë. Nuk përjashtohet të paraqiten në këtë mbledhje dhe opsionet e PS-së për përmirësimet e Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme bazuar në rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. Deputeti Sajmir Tahiri, pritet të trajtojë çështjet e korrupsionit në vend, bazuar në raportet e institucioneve ndërkombëtare dhe reformat që kërkohen për të përmirësuar këtë situatë. Deputeti Ditmir Bushati, pritet të trajtojë çështjet e marrëdhënieve parlamentare dhe garantimin e kontrollit parlamentar nga ana e opozitës. Një nga çështjet e mirëfunksionimit të demokracisë është dhe roli i medias, i cili do të trajtohet nga deputeti i qarkut të Vlorës, Fatmir Toçi, ku pritet të jepen dhe propozime konkrete për një televizion publik të pavarur nga politika. Ish anëtari i KLD-së, deputeti i Fierit, Armando Subashi do të trajtojë çështjet e Pushtetit Gjyqësor, ku pritet të jepen dhe propozimet konkrete për reformën në këtë fushë. Grupi i punësFatmir XhafaIlir GjoniDamian GjiknuriSajmir TahiriDitmir BushatiFatmir ToçiArmando Subashi