E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi-Uidhers, me varka në Shkodër

 RIDVAN DIBRAPresidenti Bamir Topi i bëri thirrje dje autoriteteve shtetërore që të bashkëpunojnë për të evidentuar në mënyrë sa më të saktë dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e ditëve të fundit në Shkodër. Kreu i shtetit ishte së bashku me Ambasadorin e SHBA, Xhon Uidhërs, Ambasadorin e KE-së, Helmuth Lohan dhe Ambasadorin e Spanjës, Manuel Montobio de Balanse, përdorën varkat dhe jelekët e shpëtimit për të parë nga afër zonat e përmbytura. "Patjetër që kjo zonë do t'i kthehet normalitetit me ndihmën e strukturave të shtetit dhe unë u bëj thirrje të gjithëve që të vazhdojnë bashkëpunimin, të ketë një evidentim të qartë të të gjitha dëmeve që kanë ardhur nga kjo situatë. Strukturat qendrore dhe strukturat e pushtetit vendor të bëjnë të mundur që gjithçka të kompensohet dhe jam i bindur që, sikurse është premtuar, të ketë një kompensim real, të drejtë, mbi bazën e një gjykimi profesional dhe të gjithë pastaj t'i kthehen jetës normale. Unë dëshiroj edhe një herë të ritheksoj nevojën e kësaj daljeje, e cila nuk bëhet kurrë për ekzibicion publik", u shpreh Presidenti Topi. Kreu i shtetit dhe ambasadorët panë nga afër situatën në komunën Ana e Malit dhe Obot, dy nga zonat më të prekura nga dalja e lumenjve. Sipas Topit, nga dita e djeshme ka filluar normalizimi i situatës. "Më lejoni që të vlerësoj një kthim të situatës, mbasi u kalua situata kritike me basenet, tani po kalohet gati-gati çdo ditë në situata më normale dhe, nga ajo që na u referua dhe nga ajo që e pamë me sy, ka një absorbim të dukshëm të ujit nga Buna. Jam i bindur që me masat e marra dhe me masat që do të merren, kjo situatë, edhe me ndihmën e kushteve të motit që për fat të mirë ka kthyer, situata do të kthehet në normalitet", tha më tej kreu i shtetit. AmbasadorëtNga ana tjetër, Ambasadori Uidhërs bëri të ditur se gjatë ditës së sotme qeveria amerikane do të përcaktojë asistencën për t'i ardhur në ndihmë veriut, ndërkohë që në një fazë të dytë do të parashikohet edhe rikuperimi dhe rehabilitimi i banorëve. "Shteti amerikan në të vërtetë është përqendruar në këtë situatë dhe nesër do të bëjmë me dije fazën e parë të asistencës, që ne dëshirojmë të ofrojmë, e cila do të pasohet pastaj me fazën tjetër që është rikuperimi dhe rehabilitimi i njerëzve që të mund t'i rikthehen jetës normale. Dëshiroj të them gjithashtu, që jemi impresionuar shumë me mënyrën se si banorët e kanë përballuar këtë situatë dhe dëshirojmë t'i përgëzojmë për të gjitha aftësitë e tyre për të rekuperuar gjithçka", tha ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërsa ambasadori i Spanjës në Tiranë, Manuel Montobio de Balanse, vendi i të cilit ka Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian premtoi ndihma nga vendet e Unionit për përballimin e situatës. "Ne dëshirojmë që Bashkimi Evropian është me ju, komuniteti ndërkombëtar është me ju dhe gjithë ky solidaritet do të përkthehet në ndihmë, që do të ofrohet nga Bashkimi Evropian dhe nga partnerët për të gjithë këtë situatë me të cilën ju jeni duke u përballur", theksoi Montobio.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›