E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kriza, të ndërrohet Republika e re me një Republikë tjetër”

 Kastriot IslamiUna-men-krajzis vjen nga anglishtja dhe do të thotë kriza-e një-njeriu.  Eurodeputetja gjermane Doris Pack, që ka mbuluar Shqipërinë në Parlamentin Evropian, si jo rrallë herë, para disa ditësh deklaroi se “kriza në Shqipëri është krizë personale e Edi Ramës”. Bile, shkoi edhe më larg duke i kërkuar “socialistëve të distancohen nga kjo sjellje”. çuditërisht, PS ende nuk ka reaguar në këtë rast. Nuk me takon mua të analizoj deklaratën e eurodeputetes dhe përse PS nuk ka reaguar. Shqetësues është fakti që ky term “uan-men-krajzis” artikulohet shumë jo vetëm në Tiranë dhe jo vetëm në anglisht.  Ndërkohë që temë e ditës mbetet kërkesa për zgjedhje të parakohshme. Korrelacioni i zonjës Pack, midis kërkesës për zgjedhje të parakohshme dhe uan-men-krajzis duket se nuk është vetëm në kokën e saj ndërkohë që ajo pati si gjithnjë “guximin” për të thënë opinione që me vështirësi thuhen diplomatikisht...Por cila mund të ishte zgjidhja midis kësaj situate ku përplasen, bashkëjetojnë “racionalja me irracionalen”? Më poshtë, pas një analize. jepet një “ofertë” për zgjidhjen e krizës aktuale...“Republika e re” që nisi në vitin 2008...Me ndryshimin e sistemit elektoral, të reformimit të Kodit Zgjedhor dhe veçanërisht me ndryshimet kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit dhe të mocioneve të besimit/mosbesimit të Kryeministrit, mund të thuhet pa asnjë mëdyshje se Shqipëria ka nisur rrugën e një Republike të Re, të ndryshme nga ajo e mëparshmja. Synimi ishte që kjo “Republikë” a) të jetë më stabël politikisht, b) të garantojë qeverisje të qëndrueshme dhe c) rregulla loje zgjedhore e marrëdhënie kuvendore maxhorancë-opozitë të standardeve evropiane. Kjo është kaq e vërtetë jo vetëm nga miratimi me konsensus të gjerë nga Kuvendi por edhe nga përgëzimet që mori kjo “republikë e re” nga faktori ndërkombëtar dhe mbi të gjitha që, asnjë nga ata që e kanë miratuar nuk ka dalë ta kundërshtojë deri tani. Por kjo “Republikë e re” rrezikon të “rrëzohet” nga bojkoti, protestat dhe zgjedhjet e parakohshme nëse ky “skenar” rezulton i suksesshëm. Ky do të ishte një precedent sesi, përmes këtyre veprimeve mund të sfidohet stabiliteti i një Republike që është ngritur me konsensus nga aktorët kryesorë politikë për të siguruar stabilitet politik dhe garantuar qeverisje të qëndrueshme në funksion të integrimit evropian të vendit.Kur janë zhvilluar zgjedhje të parakohshme?Që nga zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991, në Shqipëri janë zhvilluar vetëm dy herë zgjedhje të parakohshme, në vitin 1992 dhe në vitin 1997. Zgjedhjet e parakohshme të vitit 1992 do të shënonin realisht ndryshimin e regjimit dhe zgjedhjet e 1997 do të pasonin kolapsin e shtetit për shkak të piramidave fiskale dhe zgjedhjet e parregullta të vitit 1996. Në asnjë rast tjetër në Shqipëri nuk ka pasur as zgjedhje vendore dhe as të përgjithshme të parakohshme, ndonëse në asnjë rast në raportet e OSBE/ODHIR zgjedhjet në Shqipëri nuk janë cilësuar në përputhje me standardet demokratike ndërkombëtare. Nga ana tjetër pothuajse pas çdo proces elektoral, përjashtim bëjnë rastet e zgjedhjeve të përgjithshme në vitet 1992 dhe 2005, ku opozita ka kontestuar rezultatin e zgjedhjeve dhe kjo është shoqëruar me kërkesën për zgjedhje të parakohshme dhe/ose bojkot të përkohshëm të Kuvendit dhe një angazhim për tërheqjen e vëmendjes së faktorit ndërkombëtar. Faktori ndërkombëtar përmes prezencës së OSBE në Tiranë gjithnjë ka luajtur rolin e moderatorit duke gjetur një zgjidhje kompromisi dhe shmangur zgjedhjet e parakohshme. Pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 Shqipëria ndodhet në të njëjtën situatë, ndonëse është anëtare e NATO dhe raporti i OSBE/ODHIR ka shënuar progresin më të madh deri tani, por pa mundur që standardet të plotësohen tërësisht.  Pse kërkohen zgjedhjet e parakohshme?Zgjedhjet e parakohshme si tradicionalisht, edhe këtë radhë kërkohen nga opozita, këtë radhë socialiste, me të njëjtin arsyetim se “është cenuar legjitimiteti i zgjedhjeve”. Por këtë radhë argumenti politik është relativisht shumë më i dobët. Së pari, opozita ka hartuar në një konsensus të plotë me maxhorancën dhe pa prezencën e faktorit ndërkombëtar një Kod Zgjedhor që është miratuar në Kuvend me mbi 80 për qind të votave. Pra opozita ka arritur të sigurojë të gjithë mekanizmat ligjorë që do të garantonin zgjedhje të lira e të ndershme. Së dyti, pavarësisht të gjithë vërejtjeve, komenteve e konstatimeve për zgjedhjet, në të gjithë nivelet e administrimit të zgjedhjeve, PSSH përmes komisionerëve të saj dhe Kolegjit Zgjedhor, të zgjedhur me konsensusin e saj të plotë, ka certifikuar legalisht rezultatin zgjedhor. Së treti në raportin e OSBE/ODHIR, pra të “arbitrit ndërkombëtar të zgjedhjeve” nuk ka asnjë element që vë në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve apo e thënë më shkoqur nuk ka asnjë element që flet për manipulim të rezultatit zgjedhor. Për rrjedhojë, argumentet e opozitës për të kërkuar zgjedhje të parakohshme, por t’i referohemi traditës shqiptare janë të pamjaftueshme për të argumentuar racionalisht kërkesën për zgjedhje të parakohshme. Mundësitë për të zhvilluar zgjedhje të parakohshmeMe ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe të ndryshimeve kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit dhe të mocioneve të besim/mosbesimit të Kryeministrit, me negocimin dhe angazhimin e drejtpërdrejtë Rama-Berisha, dhe miratimin me konsensus të gjerë të Kuvendit, është synuar dhe arritur 1) konsolidimi i konfiguracionit politik të Kuvendit përmes reduktimit të  numrit të partive kuvendore me 1-2 deputetë duke rritur kështu mundësitë për qeverisje të qëndrueshme, 2) rritja e shanseve për të respektuar mandatet katërvjecare duke rritur kështu mundësitë për të garantuar stabilitet politik. Pra rregullat e lojës janë ndërtuar të tilla që garantojnë 1) stabilitet polik dhe 2) qeverisje të qëndrueshme. Indirekt kjo do të thotë që zvogëlohen shanset për të kërkuar dhe realizuar në mënyrë kushtetuese zgjedhje të parakohshme që janë shprehje e destabilitetit të qeverisjes dhe e destabiltetit politik. Sipas kësaj logjike zgjedhjet e parakohshme do të mund të zhvilloheshin vetëm kur është e pamundur të ndërtohet apo të qëndrojë në këmbë maxhoranca qeverisëse, e cila përkthehet ndryshe si paqëndrueshmëri e qeverisjes dhe destabilitet politik njëkohësisht. Nuk ka asnjë rast tjetër kushtetues që parashikon zgjedhjet e parakohshme. Mundësia për të detyruar maxhorancën kushtetuese përmes bojkotit të Kuvendit e protestave paqësore të pranojë zgjedhjet e parakohshme nuk ka asnjë logjikë kushtetuese, ndërkohë që politikisht varet nga qëndrueshmëria e qeverisë dhe stabiliteti i maxhorancës për të përballuar këtë taktikë politike të opozitës. Ndërkohë që bazuar në filozofinë kushtetuese të stabilitetit të qeverisjes dhe atij politik kjo rrugë nuk do të ishte e këshillueshme sepse do të përbënte një precendet për të “rrëzuar” “Republikën e re” pavarësisht se cila forcë politike do të ishte në qeverisje dhe cila në opozitë. Kurse rruga e protestave jopaqësore besoj është përjashtuar si mekanizmin antikushtetues ndonëse mund të rezultonte edhe i suksesshëm. Mundësitë e opozitës për të realizuar zgjedhje të parakohshmeNë rrugë kushtetuese opozita nuk ka asnjë mekanizëm për të realizuar zgjedhje të parakohshme dhe kjo është e përjashtuar që kur ajo ka bërë kompromisin për ndryshimet kushtetuese që çuan në lindjen e “Republikës së re”. Ka vetëm një mundësi teorike nëse opozita arrin të sigurojë 71 vota në Kuvend dhe një kandidat për Kryeministër pasi të ishte shpërbërë maxhoranca aktuale. Këtë mundësi do ta jepte mekanizmi i “mocionit të mosbesimit konstruktiv” gati i pamundur në praktikë dhe në realitetin aktual shqiptar i përjashtuar plotësisht. Por edhe në këtë rast kryeministri në detyrë mundet përmes një mocioni besimi ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.Mundësitë e maxhorancës për të zhvilluar zgjedhje të parakohshmeNisur nga dispozitat kushtetuese vetëm partitë politikë përbërëse të maxhorancës kanë në dorë mundësinë për të realizuar zgjedhje të parakohshme. Në rastin konkret aktual këtë mundësi e ka vetëm Berisha, i cili përmes një mocioni besimi, mund të çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.  Aktualisht,Berisha nuk ka asnjë arsye politike që të realizojë zgjedhje të parakohshme. Aq më pak për shkak të “skenarit” të opozitës që edhe ai e konsideron “uan-men-krajzis”. Teorikisht një kryeministër mund të kërkonte zgjedhjet e parakohshme vetëm pas një llogaritjeje politike nga e cila i rezulton  1) se është më mirë të zhvillojë zgjedhjet para afatit normal sepse kështu ndërpret efektet negative që gërryejnë qeverisjen e tij, ose 2) ose është i sigurt që përmes zgjedhjeve të parakohshme siguron një fitore më të qartë, para se ato të zhvilloheshin në afatin normal, ose 3) ose se nuk i funksionon koalicioni. Në rastin konkret deri në zgjedhjet e ardhshme vendore nuk ka asnjë shans që Berisha të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Vetëm pas fitimit të liberalizimit të vizave dhe të një rezultati pozitiv në zgjedhjet vendore nga koalicioni PS-LSI, llogaritjet politike mund t’i rezultonin Berishës të tilla që t’i siguronin një fitore më të thellë dhe për rrjedhojë një maxhorancë të kualifikuar për të kryer reformat integruese. Ky do të ishte i vetmi rast kur maxhoranca aktuale mund ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme. Por edhe në këtë rast shanset do të ishin të ulta sepse ato do të refuzoheshin fuqimisht nga opozita. Praktikisht, zgjedhjet e përgjithshme me probabilitet të lartë do të zhvillohen në vitin 2013. Ofertë për zgjidhjen e krizës aktuale... Bazuar në sa më sipër shanset janë pothuajse zero për të patur zgjedhje të parakohshme në këtë mandat. Pavarësisht zhgënjimit të madh nga rezulati zgjedhor i 28 qershorit 2009 dhe dëshirës së socialistëve për të realizuar zgjedhje të parakohshme është fatkeqësisht e pamundur, që ato të realizohen në rrugë kushtetuese dhe kjo e vërtetë rezulton nga një lexim racional dhe i ndershëm i Kushtetutës dhe realitetit politik shqiptar. Nuk ka biles, asnjë ndërkombëtar që mund të të këshillojë ndryshe. Për më tepër nuk mund të ndodhë ndryshe, sepse realizimi i zgjedhjeve të parakohshme apo nëse do ta quanim ndryshe “rrëzimi” i Republikës së Re nisur nga mospranimi i rezultatit të zgjedhjeve përmes një “vendimi politik”, do të përbënte një precedent të rrezikshëm dhe pafundësisht të përsëritshëm. Aq më tepër kjo do të refuzohej nga maxhoranca që do ta paraqiste këtë precedent me themel “uan-men-krajzis” pra krizën e një njeriu. Dhe nisur nga ky precedent kjo krizë do të përsëritej duke mbetur një “uan-men krajzis” dhe vetëm emri i njeriut në qendër të saj do të ndryshonte...Ndërkohë që “Republika e Re” do të mbetej e rrëzuar nga cikli i këtyre “uan-men-krajzis”... Ka një zgjidhje të ndershme, dhe kjo mund të përbënte një moment kompromisi që forcat kryesore politike të merren vesh për të ndërruar “Republikën e Re” që është vetëm njëvjeçare me një “republikë tjetër” që do të duhet të konceptohet përmes një debati të gjerë politik, mediatik e publik. Ndoshta me të vetmin kusht që ky debat dhe kompromis të mos prekte këtë mandat kuvendor, megjithëse kjo do t’i mbetej forcave politike për ta vendosur. Kjo nuk do të ishte shumë serioze por do të ishte shumë më serioze se të tentohet të “rrëzohet” pafundësisht “Republika e re” e ngritur me konsensusin e gjerë të dy palëve aktualisht në konflikt dhe me qëndrime aktuale diametralisht të kundërta, e të papërputhshme. Kjo do të ishte një ofertë për zgjidhje kompromisi midis dy qëndrimeve aktuale të papërputhshme. Personalisht jam krejtësisht kundër...sepse jam në favor “stabilitetit politik dhe qëndrueshmërisë së qeverisjes” pavarësisht se cila forcë politike është maxhorancë apo opozitë, ndonëse qëllimi është gjithnjë për të mos qenë në opozitë...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›