Prifti: Të ndryshojë marrëveshja mes OSSH e KESH për energjinë
Sipas marrëveshjes mes KESH dhe OSSH, furnizimi i shpërndarjes nga korporata bëhet në masën 70% të energjisë që ajo konsumon. Pjesën tjetër të energjisë, kompania e privatizuar me marrëveshje ka të drejtë ta importojë ose ta marrë nga KESH. Ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, lidhur me këtë pikë u shpreh dje se ka udhëzuar KESH që në tenderin e ardhshëm të OSSH-së të marrë pjesë dhe të ofrojë më shumë sesa 70% të energjisë që e ka me marrëveshje. "Ne besoj se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do t'ia japim këtë mundësi KESH-it, që të mund të furnizojë OSSH-në më shumë se 70%", u shpreh Prifti. Sipas tij, duhet pasur parasysh, se çmimi me të cilin OSSH-ja blen energji është më pak se sa gjysma e çmimit, që KESH-i mund ta shesë energjinë në tregun rajonal dhe për këtë dhënia e një sasie më të madhe energjie, nga sa përcakton kontrata OSSH-së, nuk ka ndonjë interes të madh financiar për KESH-in. Po dje ministri takoi edhe ministren kosovare të Energjisë dhe Minierave, Justina Pula. Në deklaratën e saj, ministrja përmendi se mes Kosovës dhe Shqipërisë ekziston një marrëveshje shkëmbimi energjie në import dhe eksport. "Ekziston një marrëveshje jo vetëm në nivel ministror, por edhe midis KEK-ut dhe KESH-it, kompani që operojnë në mënyrë të pavarur", tha ajo. Lidhur me importin e përfolur në median kosovare nga KEK, ministrja Pula tha se KEK-u për shkak të situatës emergjente që ekziston në Shqipëri ka marrë nga KESH energji, që në një kohë tjetër do ta kthejë mbrapsht sipas nevojës.