E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Fondet nga buxheti, veç ndihmave që japin qytetarët

 Partia Socialiste e cilëson vjedhje menaxhimin e ndihmave që biznesi dhe qytetarët po japin për banorët e përmbytur të  Nënshkodrës. Deputeti socialist Erion Braçe propozon një rialokim te fondeve te buxhetit te shtetit për banorët e përmbytur, veçmas dhurimeve të qytetarëve. Kjo ishte dhe arsyeja se përse PS ngriti strukturat e saj të ndihmës në zonën e Nënshkodrës, thotë Braçe. "Më lejoni t'i referohem kronikës që pashe dje. Në mënyrë të pashembullt pashë atë që drejton shtabin, heroin e ri të qeverisë së djathtë të zotit Sali Berisha që kur banori i kërkonte ushqim për bagëtinë porosiste me telefon të sillnin ushqim për banorin. Në tragjedinë e Gërdecit, ne pamë me shqetësim shumë të madh pikërisht sjelljen e qeverisë jo vetëm në kompensim të dëmeve, por dhe në abuzimin skandaloz që bëri me donacionet e qytetarëve apo të bizneseve. I mori dhe i kanalizoi në llogarinë e saj buxhetore. Kjo nuk mund të ndodhë më. Kjo po ndodh edhe tani. Qeveria po kanalizon në llogarinë e saj buxhetore të gjitha donacionet e qytetarëve. Ato janë kontribute të drejtpërdrejta të qytetarëve për banorët e asaj zone. Qeveria nuk mund t'i marrë këto para dhe t'i fusë në fondin e kompensimit. është vjedhje. Gjithë qytetarët e Shkodrës duhet ta dinë që kontributi i çdo qytetari nuk është kontribut për qeverinë e këtij vendi. Qeverisë së këtij vendi, ne i kemi besuar paratë e taksave tona që tani duhet të kenë një rishpërndarje të re përmes buxhetit të shtetit" tha Braçe. Deputeti socialist kërkoi sërish nga organi i akuzës të nisë hetimet për përmbytjet. "Nëse Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama vazhdon të heshtë dhe të mos ndëshkoje, thotë Braçe, ajo nuk ka më arsye të qëndrojë në krye të organit të akuzës: "Cili zyrtar i këtij shteti që nuk bën punën e tij duhet të qëndrojë në detyrë?"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›