E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Do t’u nis letër deputetëve të PS

 Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli do t’i dërgojë një letër 65 deputetëve të Partisë Socialiste për t’iu bërë apel që të mos djegin mandatin e tyre. Topalli e bëri këtë deklaratë në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, në TV Klan duke deklaruar se “do t’i lutet deputetëve socialistë të mos e skadojnë mandatin e tyre”. “Si kryetare e Kuvendit, natyrisht unë kam përgatitur një letër, ku do ti dërgohet individualisht secilit prej deputetëve të PS-së që kanë marrë mandatin nga KQZ-ja, por që nuk e kanë ushtruar. Një letër personale secilit prej tyre duke i shprehur dëshirën e thellë dhe sinqeritetin më të madh dhe duke i ftuar që të vijnë në seancat që vijojnë nga dita e hënë dhe në seancën në vijim deri në momentet kur vjen skadenca”, deklaroi Topalli. Kryeparlamentarja theksoi se është e vendosur për të zbatuar atë çfarë parashikon Kushtetuta e Shqipërisë. “Jam e sigurt dhe e vendosur se Kushtetuta, ligji themelor i Shqipërisë do të zbatohet në këtë rast si në çdo rast tjetër. Natyrisht nuk është kryetarja e Kuvendit që i heq mandatin, por KQZ-ja”, theksoi Topalli. Sipas saj ligji themeltar i shtetit shqiptar ka dy nene kur mandati mbaron apo bëhet i pavlefshëm, neni 71, pika 2 dhe neni 72. Kryeparlamentarja theksoi se me datën 7 shtator është mbledh seanca e parë dhe është bërë verifikimi i mandateve. “Si kryetare e Kuvendit, unë i çoj këtë letër duke i thënë që mos pranoni skandencën e mandatit, duke iu lutur të mos lejojnë secili, me emër individual që mandati i tyre të bëhet i pavlefshëm. Unë bëj konstatimin, i kam kërkuar administratës, Byrosë Juridike të paraqesë me shkrim të gjithë ecurinë e kësaj periudhe. Ajo do të kalojë për diskutim në komisionin e Rregullores dhe në Këshillin e Legjislacionit. Momentin që, këto do të mblidhen dhe do të bëjnë konstatimin e situatës në të cilën Kuvendi i Shqipërisë ndodhet ne, këshilli Legjislativ ia çon për dijeni KQZ-së. Ky institucion ka për të detyrë për të zbatuar Kodin Elektoral që ka një numër të votave më të madhe se sa Kushtetuta, për ta aplikuar menjëherë. Me vendimet e KQZ, vazhdojmë komunikimet e Kuvendit, sipas varianteve që paraqet Kodi Elektoral”, ritheksoi Topalli. Për sa i përket situatës së përmbytjeve në qarkun e Shkodrës, kryeparlamentarja vlerësoi në maksimum punën e kryer nga ana e Qeverisë dhe Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile. “S’kam pasur asnjëherë mendim ndryshe në lidhje me ministrin Basha. Ka punuar me përgjegjësi e seriozitet”, iu përgjigj Topalli pyetjes në lidhje me punën e bërë nga Basha, si kryetar i Komitetit Ndërministror të Emergjencave. Sipas kryeparlamentares situata është menaxhuar në mënyrë të shkëlqyer nga ana e KESH-it dhe ajo më pas nga ana e qeverisë, duke shmangur katrastrofën, ku janë derdhur 2.6 miliardë metër kub ujë, aq sa duhej për të zbrazur liqenet të Komanit dhe Vaut të Dejës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›