Pranga dy policëve të Kakavijës
GJIROKASTER/ PIRO NASE
Arrestohen befasishëm dy policë të Kakavijës për shpërdorim detyre. Shkak ka qenë vendosja e vulave të Stacionit Kufitar të Kakavijës tek disa pasaporta shqiptare, pa prezencën e disponuesve të tyre. Ylli Hoxha 40 vjeç dhe Brisilda Biraçi, 24 vjeçe, punonjës policie në sportelin e pasaportave në Kakavijë janë arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Dy kontrollorët janë arrestuar pasi Antikrimi i Gjirokastrës, së bashku me SHKB, vërtetuan se të dy kishin vulosur 9 pasaporta ndërkombëtare shqiptare pa praninë e zotëruesve të tyre. Përveç kontrollorëve të arrestuar Biraçi dhe Hoxha, policia ka vënë në pranga sekserin që siguronte të ardhurat nga kjo punë ilegale. Spiro çami 35 vjeç nga fshati Dervician i Gjirokastrës, punonjës në një agjenci udhëtarësh në Kakavijë, ishte personi që siguronte pasaportat nga emigrantët shqiptarë në territorin grek, duke u hedhur në to vulat e Kakavijës kundrejt shumave të ndryshme të hollash. Policia e Gjirokastrës ka bërë të ditur për gazetën "Panorama" se çami grumbullonte pasaporta nga persona të interesuar të cilët donin të merrnin vula hyrjeje për në Republikën e Shqipërisë nga punonjësit e policisë në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës pa qenë prezent. Në bashkëpunim me dy punonjësit e policisë të prangosur mëngjesin e djeshëm, ai siguronte vulat e hyrjes për në Shqipëri, duke përfituar shuma të hollash të cilat varionin nga 600-800 euro për person për një vulë të vetme. Kanë qenë këto informacione kur u regjistrua procedimi penal në organin e akuzës së Gjirokastrës dhe për disa ditë rresht, nga shërbimet policore Spiro çami është mbajtur nën vëzhgim deri sa mbrëmjen e së shtunës u arrestua në flagrancë në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës. Nga kontrolli i ushtruar në automjetin tip "Mercedez-Benz" me targa greke, pronë e çamit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale nëntë pasaporta shqiptare jobiometrike, të cilat kishin vula hyrëse për në territorin shqiptar. "Pasaportat ishin vulosur mëngjesin e së shtunës nga ana e policëve të arrestuar", pohojnë burimet zyrtare. Ndërkohë përveç pasaportave, 35-vjeçarit iu gjetën edhe 1200 euro, 50 mijë lek si dhe tre aparate celularë me kartat SIM. Biletashitësi Spiro çami është arrestuar për veprat penale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit, si dhe të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.