Skandal, incident apo provokacion?
Ngjarja e dy a tri ditëve më parë gjatë paradës së Forcave të Armatosura të Greqisë në qendër të Athinës po lakohet nga shtypi si “skandal i rëndë”, si “fyerje për shtetin shqiptar” si nxitje “e urrejtjes ndaj shqiptarëve”, si “incident” etj. Po si provokacion a mund të merren thirrjet në kor për gjakderdhje, duke i quajtur shqiptarët “derra” që “duhen rrjepur” dhe me lëkurën e tyre të qepen “veshje”? Do të thosha se më shumë se sa skandal, shfrim urrejtjeje ose incident, ngjarja është një provokacion i studiuar imtësisht nga qarqe antishqiptare. Nuk ka pse të fshihemi pas gishtit.
Zëvendës Kryeministri Meta, njëherësh Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, bën mirë që dëftohet i kujdesshëm për të mos shkaktuar të çara në marrëdhëniet ndërshtetërore. Por shtypi i pavarur joqeveritar, nuk ka pse të heshtë. Gjithsesi, Meta e dha pazarin e vet të atypëratyshëm, përpara se shteti grek të marrë përgjegjësinë dhe të ndëshkojë provokatorët. “Ky incident ka prapavijë serioze politike”, tha Meta. Më shkurt, më qartë, më drejtpërdrejt, zor se mund të thuhej me gjuhë diplomatike.
Pyetjet që të vijnë në mendje aty për aty janë dy: Sa mund t’i mbajnë këllqet qeverisë së Papandreut të reagojë në situata të tilla kërcënuese? Si anëtare e BE-së, a do ta ruajë dot Greqia baraspeshën, përballë ushtarakëve që zor se guxojnë të këndojnë në kor këngë luftënxitëse pa një emër përmbledhës, të shprehur a të nënkuptuar?
Tashmë është e qartë si drita e diellit se çfarë gjendje financiare të mjeruar po përjeton Greqia. Me litarin në fyt, Papandreu zor se do të gjejë forca t’i shkojë deri në fund çështjes, edhe nëse do ta dëshironte me gjithë mend. Tridhjetë miliardët e akorduar prej BE-së dhe prej FMN-së, nga njëra anë, dhe çmenduria shoviniste, nga ana tjetër, janë dy gurë peshe që nuk mund të rëndojnë njëtrajtësisht për një kohë të gjatë. Një thërime mbi njërën a tjetrën anë, baraspesha prishet. Kishte të drejtë Anxhela Merkel që nguli këmbë t’i kushtëzohej ndihma Greqisë, me gjithë kundërshtimet e partnerëve. Mesa duket, pasardhësja e fiseve gjermanike, ua njihte mirë huqet pasardhësve të fiseve helene që u shkoi mendja të sajonin Kalin e Trojës, për t’ua dalë mbanë qëllimeve të tyre ekspansioniste. Pavarësisht kritikave që shtypi i djeshëm europian nuk ia kursente Kancelares së Gjermanisë, duhet pranuar se ajo është një shtetare me vizion të qartë përtej oborrit të shtëpisë së vet. Një Greqi me financa në rënie të plotë, ku gëlojnë ende falanga shovinistësh fanatikë, mund të bëhet shkak për të destabilizuar jo vetëm financat e shteteve të zonës euro, por gjithë baraspeshën politike të BE-së.
Mbi ne, shqiptarët, problemi grek ka ndikim të drejtpërdrejtë, jo vetëm se atje punojnë dhe jetojnë qindra-mijëra bashkatdhetarë, jo vetëm se u gjendën dy a tre oficerë ekstremistë që të përgatisin një apo dy detashmente ushtarake me ide luftënxitëse. Shtypi i Tiranës, me të drejtë, vinte në dukje se thirrjet antishqiptare në Greqi nuk janë një rast i veçuar, i paprecedent. Do të shtoja se nuk mungon as precedenti i grushtit të shtetit nga ana e ushtarakëve grekë. Ja pse kori i tyre antishqiptar duhet marrë si një provokacion i rrezikshëm. Situatat e turbullta janë shtrat i ngrohtë për kultivimin e ideve destabilizuese. Le të sjellim në kujtesë grushtin e shtetit të juntës ushtarake më 21 prill 1967, të udhëhequr nga koloneli Jorgos Papadopullos, i cili rrëzoi nga froni mbretin Konstandi II. Prill ishte edhe atëherë. Krizë, edhe atëherë. Jo ekonomike, por institucionale, për shkak se Mbretëria nuk ishte e aftë të modernizonte vetveten, me gjithë mbështetjen e fuqishme të SHBA-së. Krizën, si në çdo rast, e shkaktuan të majtët që, me protesta të njëpasnjëshme, kërkuan pushtetin me çdo kusht. Dhe, në vend që ta merrnin vetë, ia dhuruar diktaturës fashiste të kolonelëve. Sot të majtët janë në pushtet, por me litar në fyt, ndërsa ca ushtarakë, mbështetës të nacionalizmit ekstrem, gjejnë rastin t’i rikthehen vetvetes për rivendikime territoriale që historia i ka zhvleftësuar, por nuk i ka varrosur dot njëherë e përgjithmonë.
E kam thënë edhe herë tjetër, dëshiroj ta përsëris, madje më fuqishëm se sa përpara, që politika destabilizuese antishqiptare e Edi Ramës, nuk duhet marrë si një akt i shkëputur nga konteksti i zhvillimeve rajonale. Kësisoj, nuk duhet marrë as si rastësi grindja mes klaneve rivale që përfaqësojnë Partinë Socialiste të Shqipërisë në Greqi. Klani i Ramës, apo klani i Ruçit? Nuk është ky thelbi i çështjes. Qarqeve greke antishqiptare aq u bën se cili prej të dy klaneve do të ketë përparësinë. Ato rrahin të matin pulsin për të vërtetuar se kush mund ta kultivojë më mirë ferrën helmuese në truallin shqiptar. Pararojën e kanë futur në Shqipëri që prej më shumë se pesëmbëdhjetë vjetësh, nën petkun e klerikut Janullatos. Fortesën-përbindësh po e ndërtojnë me lejen e Kryetarit të Bashkisë, mu në qendër të kryeqytetit tonë, si simbol të fondamentalizmit helen. Kolonën e Pestë e kanë në këmbë, më agresive se kurrë, në emër të politikës së zhbërjes me pretendime të jashtëligjshme, gjoja për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, të certifikuara bindshëm edhe nga faktori ndërkombëtar. Një sinjal grek për ta trimëruar rezervën antishqiptare në Shqipëri, vjen në kohën e duhur, ndërsa vendi ka nevojë më shumë se kurrë për paqe dhe mirëkuptim të ndërsjelltë mes pozitës dhe opozitës.
Edhe më gjerë, po ta shohësh, në planin rajonal, vatrat e nxehta përreth kombit tonë ushqehen dita-ditës me prush luftënxitës. Në Veri, një Serbi që kërkon të shtyjë urët në zonën e Mitrovicës, mbërthyer për vdekje në trojet shqiptare të Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit. Në Lindje, një Maqedoni e brishtë për shkaqe objektive që burojnë nga përbërja e saj multietnike, si edhe për shkakun subjektiv të pretendimeve greke lidhur me emrin. Në Jug, një Greqi e trullosur prej krizës financiare që e ka mbërthyer. Falangat e fanatikëve grekë nuk do të kishin ëndërruar një truall më të përshtatshëm për të nxjerrë në pah idetë e tyre shoviniste ndaj së ashtuquajturës çështje vorioepirote dhe për t’ia kaluar harresës çështjen çame.
Në këto rrethana dhe në tollovinë politike që synon të mbajë në këmbë Edi Rama, zërat antishqiptarë nuk janë për t’u shpërfillur. Përkundrazi, ato duhen konsideruar si provokacione të mirëfillta.