“Asambleja franceze do të përshpejtojë Ratifikimin e Protokollit në NATO”

Kryetarja e Kuvendit takon Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Francës, Bernard Accoyer dhe nënkryetarin Lafiner
Franca vlerëson përpjekjet e Shqipërisë në rrugën e integrimit drejt strukturave euro-atlantike. Personalitetet franceze në takimet e zhvilluar me kryeparlamentaren Jozefina Topalli evidentuan progresin reformator të qeverisë shqiptare dhe u shprehën të entuziazmuar për demokracinë funksionale të Shqipërisë.
TIRANE - Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, po zhvillon një vizitë zyrtare në Francë ku fillimisht u prit në një takim nga kryetari i Asamblesë Kombëtare Bernard Accoyer.
Kreu i Asamblesë franceze e ftoi Jozefina Topallin për të marrë pjesë në seancën parlamentare. Nën duartrokitjet e deputetëve dhe kabinetit qeveritar të pranishëm, ai u shpreh se ndihej i lumtur dhe i nderuar që priste homologen shqiptare në Paris.
Gjatë takimit Accoyer vlerësoi rolin e Topallit për dinamizmin e marrëdhënieve mes dy parlamenteve në interes të bashkëpunimit më të ngushtë mes dy vendeve.
Ai i konfirmoi Kryetares Topalli angazhimin e tij për të përshpejtuar procedurën e Ratifikimit të Protokollit të NATO-s nga kjo Asamble.
Kjo çështje ishte edhe një ndër temat kryesore ku u përqendrua biseda edhe në takimin me nënkryetarin e Asamblesë Kombëtare Marc Lafiner, të cilit i takoi të ishte drejtues i seancës ku u votua MSA-ja Shqipëri-BE.
Nënkryetari i Asamblesë Kombëtare Marc Lafiner tha se protokolli i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO do të realizohet menjëherë sapo qeveria franceze të sjellë këtë Protokoll në Asamblenë Kombëtare.
“Ne do të veprojmë në mënyrën më të shpejtë, sikundër ndodhi me Ratifikimin e MSA-së që u miratua pak ditë më parë. Madje isha unë që e drejtova këtë seancë dhe isha shumë i lumtur që më takoi ta bëja, duke menduar për ju atë moment dhe vizitën tuaj të pritshme”, tha ai.
Lafiner iu referua edhe ratifikimit të MSA-së Shqipëri-BE duke vënë në dukje se kjo u ratifikua në unanimitet nga deputetët francezë.
“Ishte shprehje e vlerësimit për progresin e bërë nga Shqipëria dhe vullnetit të saj politik për të vijuar me reformat”, shtoi ai.
Temë e bisedës ishte edhe situata në rajon veçanërisht në përpjekjet e Republikës së Kosovës në përballjen e sfidave të një shteti të ri.
Ata ndanë mendimin se Kosova duhet të njihet sa më parë edhe nga vende të tjera dhe se misioni EULEX duhet të shtrihet në të gjithë territorin e Kosovës dhe në bashkëpunim me autoritetet e këtij shteti të përmbushë rolin e tij.
Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për Francën dhe veçanërisht për Presidentin Sarkozy për mbështetjen e finalizimit të statusit të Kosovës dhe ndërtimin e shtetit më të ri në botë.
Në përfundim të takimit, të pyetur nga mediat Lafiner dhe Topalli shprehën sërish angazhimin e përbashkët për të intensifikuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e vizitave në të gjitha nivelet. Duke iu përgjigjur ftesës së Kryetares së Kuvendit, Nënkryetari Lafiner u shpreh se do të vizitojë Shqipërinë në tre muajt e ardhshëm.
Ndërsa nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u shpreh se Franca është një vend mik i fuqishëm i Shqipërisë dhe njëherazi është një vend kryesor mbështetës i proceseve integruese.
“Në fushën politike, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon ka një kontribut shumë të vlerësuar nga të gjithë ne. Pata rastin për të falënderuar Asamblenë Kombëtare, Kryetarin, nënkryetarin dhe deputetët e tjerë që kemi takuar për faktin se në unanimitet të plotë, vetëm dhjetë ditë më parë, Asambleja votoi marrëveshjen e stabilizim asocimit. Tani pritet që të futet në një axhendë shumë të shpejtë protokolli i NATO-s, që bën të mundur që vitin e ardhshëm, me rastin e 60 vjetorit të NATO-s, pikërisht këtu në Francë në Strasburg, Shqipëria bashkë me Kroacinë të bëhet anëtare me të drejta të plota. I transmetova drejtuesve të Asamblesë Kombëtare dëshirën e madhe të shqiptareve për të pasur në Shqipëri presidentin Nicola Sarkozy në një moment kur t’ia lejojë axhenda.
Deri tani asnjë president francez nuk e ka vizituar vendin dhe besoj se shqiptarët do të ishin të lumtur dhe të nderuar t’i uronin mirëseardhjen një presidenti francez.
Gjithsesi mbështetja që kam gjetur në Francë është një inkurajim i madh për të vazhduar më tej me reformat”, theksoi kryetarja e Kuvendit .