Rama pas pilafit: Jam gati të ulem në tryezë për të diskutuar për “spiunët”

Partia Socialiste shprehet e gatshme të ulet në një tryezë me të gjitha palët e interesuara për çështjen e p/ligjit "Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë", i njohur ndryshe si ligji i 'dosjeve'.
Kryetari i PS-së, Edi Rama, tha sot në një konferencë për shtyp, se "jemi gati të ulemi në tryezë me të gjitha palët e interesuara si dhe me ekspertët ndërkombëtarë, për të kryer me dinjitet e seriozitet një proçes të hapur e koherent dhe për të votuar, me të gjithë bashkë, një ligj të standardeve europiane, i cili garanton realisht shlyerjen e një detyrimi të madh shoqëror, jo vetëm ndaj së shkuarës, po edhe ndaj të ardhmes, jo vetëm ndaj të përndjekurve të së djeshmes, po edhe ndaj qytetarëve të së nesërmes".
Rama falenderoi qeverinë e SHBA-së dhe OSBE-në, të cilët, sipas tij, "mbrojnë të njëjtin mendim në kundërvënien ndaj projektit të papranueshëm të Kryeministrit Berisha, që është një projekt antikushtetues".
Kuvendi diskutoi në seancën plenare të së hënës së kësaj jave rreth projektligjit "Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë", ndërkohë që opozita e braktisi seancën. Kuvendi vendosi që p/ligji të diskutohet sërish në seancën plenare të së hënës së ardhshme.