E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti i PS, i pajustifikueshëm, Edi Rama do të mbajë përgjegjësi

Reagon LSI-ja, pas vendimit të deputetëve socialistë

TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim e ka konsideruar dje të pajustifikueshëm vendimin më të fundit të selisë rozë për bojkotin e Kuvendit në shenjë proteste kundër kërkesave të partisë së Ilir Metës për një riformatim të përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Shpreh keqardhjen për reagimin e Partisë Socialiste dhe të Grupit të saj parlamentar për t'u larguar nga parlamenti për të mos i lënë hapësirë diskutimit parlamentar mbi amendimet për Kodin e Zgjedhjeve pas kthimit të tij për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës. Gjykojmë se bojkoti i parlamentit, nuk është një mënyrë e sjelljes konstruktive parlamentare. Aq me tepër kur bëhet fjalë për përmirësime të Kodit Zgjedhor, i cili, tashmë është evidentuar që ka probleme të mëdha me standardet e pranuara për zgjedhjet, kryesisht duke shkelur parimin e gjithëpërfshirës dhe barazinë e konkurrentëve në zgjedhje. Reflektimi i PS për një çështje të tillë është kërkuar jo vetëm nga LSI dhe shumë parti të tjera të përjashtuara nga administrimi i procesit zgjedhor, por edhe nga partnerë të rëndësishëm ndërkombëtare, nga Partia e Socialistëve Evropianë dhe Grupi Socialist në Parlamentin Evropian”, deklaroi kreu i Komitetit Drejtues Kombëtar
të LSI-së, Edmond Haxhinasto.
Ndërkaq zëvendëskryetari i LSI dhe kryetar i grupit Parlamentar, “E majta për Integrim”, Pëllumb Xhufi, menjëherë pas largimit nga salla të deputetëve socialistë, tha se, “ky nxitim i PS-së për të kaluar sërish Kodin është “si nxitimi i atij vjedhësit të vogël, që shkon në supermarket dhe kërkon të dalë sa më përpara se mos e kapin. Dhe një nxitim i tillë nga Partia Socialiste, e cila ka përgjegjësi parësore, prej protagonisti, jo vetëm për hartimin e këtij Kodi, jo vetëm për hartat  e tjera, siç është Kushtetuta, por edhe për vonesën me të cilin kaloi ky kod, është krejtësisht i pajustifikuar, është krejtësisht i padenjë dhe unë kërkoj si dizinteresuar që jam në këtë histori dhe siç jemi tashmë në këtë histori, që është në të mirë të zotërinjve të të dy krahëve, të cilët mendojnë se kanë fatet e vendit në dorë, që të reflektojnë dhe të bëjnë një ndryshim, i cili do ta bënte më të pranueshëm, më të besueshëm vetë Kodin dhe vetë procesi zgjedhor do të krijonte një klimë më të distresuar dhe më të ç’tensionuar”,  deklaroi Xhufi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›