Rama: Berisha largohet në 2010
Berat/ Dilaver Xhelili
“Ne do ta bëjmë vitin 2010, vitin e lirisë së votës e do të protestojmë për largimin e këtij pushteti që grabiti votat”, tha dje Edi Rama në mitingun e protestës në qytetin e Beratit. Përveç temës së krizës ekonomike dhe vështirësive që do të ndjejnë shqiptarët nga viti që vjen, Rama i qëndroi sërish çështjes së kutive dhe largimit të Sali Berishës nga pushteti.
“2010 duhet të jetë viti i ndarjes me këtë qenefpolitikë dhe ne jemi këtu për ta udhëhequr me më vendosmëri se kurrë këtë betejë për një politikë të re, për një Shqipëri evropiane. Ku demokracia të jetë realitet, shteti i së drejtës të jetë garanci dhe ekonomia të jetë në duart e konkurrencës së lirë dhe jo të shtetit e pushtetit që prek edhe lirinë e zgjedhjeve”, u shpreh Rama para qytetarëve beratas. Kreu socialist tha dje se kjo qeveri ka humbur të drejtën të qeverisë prandaj do kërkojë me forcë largimin e saj. “Sali Berisha ka humbur të drejtën për ta qeverisur Shqipërinë, duke i shkelur të drejtën më elementare të popullit sovran për të parë votën e vet. Është një e drejtë që nuk mund të vazhdoj t’ju mohohet shqiptarëve me forcë në vitin 2010 dhe në 2010, ne do ta kërkojmë me forcë këtë të drejtë”, u shpreh Rama, ndërsa shtoi se “do ta kërkojmë me forcë, duke kërkuar largimin e Sali Berishës, përderisa kutitë nuk hapen dhe ndërkohë demokracia shqiptare po bëhet përditë e më shumë një kuti e mbyllur me liri e të drejta të cunguara, me një shtet të së drejtës përtokë, me një ekonomi shifrash të rreme. Ne nuk do të presim që Shqipëria të bjerë në greminë, por do të protestojmë për të larguar qeverinë”. Kryesocialisti bëri përgjegjës qeverinë për ngecjen e procesit të integrimit të vendit, ndërsa hodhi poshtë akuzat që bëhen ndaj opozitës si justifikim ndaj kësaj gjendjeje. “Nga ky shesh i këtij qyteti, të cilit Sali Berisha i ka borxh një mandat deputeti, se ka kot që përpiqet të mbulojë zullumet e veta, duke ju hakërryer opozitës si një i marrë. Nuk e ka fajin opozita për qindra miliona eurot e popullit shqiptar që janë varrosur nën gërmadhat e tunelit të shembur në Kalimash dhe kërkojnë përpara drejtësisë si të pandehur, Sali Berishën, Sokol Olldashin, Lulëzim Bashën dhe të tërë çetën që e ktheu rrugën e kombit në rrugë të korrupsionit shtetëror”, u shpreh Rama. Kryesocialisti përsëriti kërkesën e hapjes së kutive ose të largimit të Berishës. “Hap kutitë ose largohu është mesazhi i popullit opozitar për Sali Berishën, është kryefjala e protestës sonë. “Ky pushtet i grabitur do t’i mbajë forcërisht mbyllur kutitë e votimit. Ky pushtet agresiv do të bëj çmos ta kthej qeverinë e vendit në një regjim për llogari të një familjeje, familjes së Sali Berishës. Rezistencën tonë demokratike ndaj këtij regjimi të neveritshëm, vetëm do ta shtojë. Fuqinë e zërit tonë në funksion të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të çdo shqiptari, vetëm do ta shtojë”, u shpreh Rama.
Kriza
Duke përmendur rritjen e çmimit të energjisë e vështirësitë ekonomike të qytetarëve dhe bizneseve, Rama ritheksoi vendosmërinë e opozitës për të çuar deri në fund betejën për transparencën e zgjedhjeve. “Nuk ka festë për familjet shqiptare që presin një faturë të re. Çmimi i energjisë bën zero rritjen e rrogave dhe pensioneve. Kjo do të sjellë rritje të pashmangshme çmimesh në dyqanet që do të mbijetojnë. Në këtë ngricë ekonomike që ka pllakosur vendin ligjëron një parlament pa legjitimitet. Ky pushtet i grabitur do t’i mbajë forcërisht mbyllur kutitë e votimit, ky pushtet agresiv do të bëjë çmos për ta kthyer qeverisjen në një regjim për familjen e Sali Berishës”, u shpreh Rama. Sipas tij, 30 mijë familje të reja bien nën nivelin e varfërisë dhe hyjnë në kushtet e ndihmës ekonomike. Por, për ndihmën ekonomike ka më pak para, ajo ka filluar të pritet arbitrarisht, fillimisht duke mos u dhënë më asgjë prej muajsh invalidëve në shumë zona të vendit.