Njëanshmëria e majtizmit ekstrem në ekranet tona
Dy net më parë, më 5 prill të këtij viti, në njërin nga TV-të tona, patëm rastin të shihnim një debat televiziv, me z. Marku, në të majtë të shikuesit, z. Zogaj në të djathtë dhe Mentor Nazarkon në mes të tryezës, si moderator. Biseda nuk ishte e balancuar, se Marku u ndodh kundër dy kundërshtarëve. Drejtuesi i bisedës ishte me mendime të përbashkëta me Preç Zogajn dhe, për më tepër, ishte ndërhyrës në dobi të Zogajt.
Bisedë e qetë, se të dy palët debatuese, mbase për hir të qetësisë në mendime nga ana e Markut, nuk u pa as Preç Zogaj të ngrinte tonin dhe të fliste me pasion, siç e kemi parë shpesh kohët e fundit.
Këtu mund të nervozoheshin personat e drejtpeshuar që ishin para ekranit, qoftë edhe për kohën e pabarabartë, kuptohet në dëm të bashkëfolësit Marku. Sepse drejtuesi i programit ishte, njëherësh edhe diskutues. Dhe kjo e bënte raportin e forcave, që shfaqnin mendimet përkatëse, në raportin 2:1. Meqë s’e kemi parë ndonjëherë M. Nazarkon në një rol të tillë televiziv, do të donim t’i bënim, fillimisht, këtë vërejtje: Sa më pak ndërhyrje, mundësisht mos të dallohet se ç’anë mban ai vetë, pavarësisht se shikuesi e ka parë në shumë emisione dhe di fort mirë se i ç’ane është ai: i së djathtës apo i së majtës. Puna e Mentorit do të ishte e suksesshme në qoftë se ai do ta ndante mirë kohën në dispozicion të të dy anëve, qoftë edhe pa kronometrin në tryezë.
Sepse ky problemi i kohës së bisedës gjithmonë është i anuar, me bollëk për disa, në mungesë të theksuar nga ata që e respektojnë kohën e tjetrit. Kjo nuk është aq e parëndësishme sa duket. Disa nuk e kanë për pesë kohën e tjetrit dhe flasin me leje e pa leje të drejtuesit, duke qenë - nëse mund të shpreheshim kështu, - rrëmbyes të kohës së tjetrit. Këta individë duket se janë pëlqyes të zërit të tyre, pavarësisht se bëhen përsëritës dhe në të folurin e tyre nuk mungon edhe shprehja: “siç e thashë më parë”!
Rekordmen në këtë drejtim është Edi Rama. Drejtuesi i programit nuk e përmban dot. Dhe, duke parë orën, vëren që koha në dispozicion ka marrë fund, pa mundur të përfshihet në këtë kohë të programuar, as çereku i pyetjeve.
Në rastin tonë, te drejtuesi i bisedës, M. Nazarko, dalloheshin temat të cilat nuk i kishte për zemër dhe nuk dëshironte që të cekeshin. Për shembull çështja e 1997-s dhe katrahura që u bë në këtë vit të mbrapshtë. Nuk ishte e vështirë të kuptohej se kjo temë nuk i interesonte Preç Zogajt, por edhe Mentorit vetë. Marku ngulmoi që ta zhvillonte këtë temë, por ndërhyrjet e drejtuesit të programit ishin të shpeshta e me gjestikulacione e rrudhje buzësh, në kuptimin që “sikur ta kapërcejmë”?
Në të vërtetë kjo është njëra nga temat tepër delikate, sepse koha tregoi që firmat huamarrëse dhe shkëndia që i vuri flakën barutit, i kishte të implikuarit shumë më tepër të majtë sesa të djathtë. Eksperti për këtë është kryetari i zgjedhur nga të humburit në firmat piramidale z. Misret Sahiti dhe jo Fahrudin Arapi, që u caktua nga qeveria e majtë e pasnëntëdhjetë e shtatës, për të bërë “transparencë”. Në fakt, e groposi atë. Përderisa u shit një helikopter i Vefës, sa një autobus i përdorur, për interesa të majta klienteliste! Nga ana tjetër kanë dalë tre libra të argumentuar për zullumin që u bë në pikat më të nxehta, ku dolën në shesh anëtarët e Komiteteve të Shpëtimit Publik, që bënin ligjin në qytete pa qeverisje. Librat “Unë e pashë kush e dogji Vlorën”, “Vrasës e Shpëtimtarë”, “Skaner, 1997” asnjëri nga majtistët tanë nuk ka marrë përsipër t’i përgënjeshtrojë. Vetëm nëpër debate publike, edhe sot e kësaj dite flitet me një retorikë të zbrazët majtiste: “Na dogjën, na vranë, na prenë, na shkatërruan hotelet, kadastrat dhe hipotekat”! Këtyre fjalëve në tym iu bashkëngjitën edhe premtimet: “Të gjithë të humburit në firmat do të rimburoheshin 100 %”! Kjo është “transparenca” e majtizmit të skajshëm, që jehon edhe sot e kësaj dite. Preçi nuk ngriti tonet kësaj here dhe tema u mënjanua, sepse edhe Marku e pa që nuk mund të vazhdohej më gjatë në këtë temë.
Sidoqoftë Mentori ngriti, në përputhje me këtë temë të padëshiruar prej tij, një veprim të Berishës që, sipas tij, u ftoh me amerikanët. Marku e hodhi poshtë këtë tezë të Nazarkos që, në këtë rast, nuk ishte në rol të drejtuesit të programit televiziv, por në rol të diskutuesit. Marku do të kishte dashur të fliste më shumë. Ambasadori amerikan për çështjet ballkanike, Gelbart, në atë kohë e kritikoi ashpër qëndrimin e Prodit, me atë manevrën për t’i dhënë me marifet Sllobodan Millosheviçit, një shumë prej 900 miliardë liretash nga taksapaguesit italianë, për të forcuar makinën luftarake të kasapit të Ballkanit, që nuk do të vononte të masakronte Kosovën. Dhe këtë shtetar majtist italian, e kishin pritur me nderimet e Zani çaushit, ata që bënin ligjin në Vlorë. E bënë edhe qytetar nderi të Vlorës! Sa për marrëdhëniet e Amerikës me Shqipërinë, ato kishin tradita në të djathtën shqiptare, të përfaqësuar nga Berisha dhe jo me majtizmin tonë që u bë proamerikan (!) për mbijetesë!