Asfalt mbi rrugët pa kanalizime
tirane
Bashkia e Tiranës ka nisur të asfaltojë rrugë në të cilat mungon rrjeti i kanalizimeve. Bëhet fjalë për rrugë, të cilat nuk plotësojnë asnjë parametër teknik. E thënë ndryshe, kryebashkiaku Rama ka nisur ndërtimin e rrugëve elektorale. Denoncimi vjen nga kryetarja e njësisë administrative numër 6, Luzhiana Abazaj. Sipas saj, kreu i bashkisë ka vendosur që të asfaltojë rrugën e Qelqit, e cila shtrihet në një nga zonat më të vjetra në Kombinatit. Por sipas Abazajt, asfaltimi i kësaj rruge nuk do të sillte asnjë dobi për qytetarët, pasi me nisjen e shirave kjo zonë do të përmbytet sepse mungojnë kanalizimet.
Denoncimi
Në fillim të vitit, Bashkia e Tiranës i ka paraqitur kryetares së njësisë administrative numër 6, Luzhiana Abazaj, listën e rrugëve ku Bashkia e Tiranës do të ndërhynte për t'i asfaltuar. Bëhet fjalë për gjashtë rrugë të zonës së Kombinatit. Por ajo çka të bie në sy është fakti se në këtë listë nuk figuron të jetë rruga e Qelqit. "Dy net më parë disa qytetarë të zonës më informuan se Bashkia e Tiranës kishte nisur punimet për asfaltimin e kësaj rruge. Por kjo rrugë nuk përmbush asnjë kriter teknik. Ndërkohë nga ana e Bashkisë së Tiranës na është dhënë një listë me emrat e të gjashtë rrugëve që do të asfaltohen. Me anë të një shkrese zyrtare, unë i kam kërkuar Bashkisë së Tiranës që të bashkëpunonim për të vendosur se në cilat rrugë duhen bërë punime", ka deklaruar Abazaj. Por, sipas saj, deri më sot nuk është marrë asnjë përgjigje. Madje, ndërhyrjet në rrugën e Qelqit janë bërë pa u vënë në dijeni ajo. "E gjendur përballë një situate të tillë kërkova të flisja me vetë kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama. Por ky i fundit më kërkoi që kërkesën time t'ia nisja me anë të email-it, në një kohë kur unë i kisha dërguar shkresa zyrtare. Sa për këtë të fundit përgjigjja e kryebashkiakut ishte: "S'kam kohë t'i lexoj shkresat", është shprehur në denoncimin e saj kryetarja Abazaj.
Rruga
Rruga e Qelqit shtrihet në zonën e njohur si zona e populiteve. Këto pallate dykatëshe ndodhen disa metra larg rrugës kryesore dhe janë objektet më të hershme në zonën e Kombinatit. Aktualisht punonjësit e bashkisë kanë gërryer sipërfaqen e tokës, duke e bërë gati atë për asfaltim. Banorët e zonës do të donin që të jetonin në një ambient të pastër, me rrugë të shtruara, pa pluhur dhe pa baltë, por fatkeqësisht asfaltimi i kësaj rruge nuk i jep zgjidhje këtij problemi. Kjo, pasi asfaltimi i kësaj rruge po kryhet pa bërë më parë kanalizimet dhe, sipas ekspertëve, kjo do të sillte shumë probleme për banorët e zonës. Rrugët do të përmbyteshin nga ujërat, për të mos thënë që në katet e para të pallateve dykatëshe uji rrezikon t'u futet në banesë. Në fakt, nuk është hera e parë që Bashkia e Tiranës kërkon të asfaltojë rrugë të cilat nuk përmbushin kriteret e duhura. Sipas kryetares së njësisë administrative numër 6, Luzhiana Abazaj, në fushatën zgjedhore të vitit 2005 është bërë e njëjta gjë me një segment tjetër rrugor po në këtë zonë. Dhe pasojat janë të dukshme. Shumë banorë ankohen për cilësinë e asfaltimit të rrugës, e cila edhe pse nuk kanë kaluar shumë vjet gropat e krijuara në të janë të shumta. Përveç kësaj, edhe kjo rrugë është asfaltuar pa ndërtuar më parë rrjetin e kanalizimeve.
Rrugët e miratuara për asfaltim
Shaban Bardhoshi
Hamdi Pepa
Llazi Miho
Llambi Bonato
Hamdi Cenoimeri
Sabaudin Gabrani