“Të hapur për çdo koalicion për zgjedhjet e 2009”
Komiteti i Përgjithshëm Drejtues i PAD-së i mbledhur dje, vendosi për "lojë" të hapur me çdo krah politik në favor të interesave të kësaj partie. Çdo gjë do të varet nga Kodi i ri Zgjedhor, vonesat e të cilit, sipas Cekës, po dëmtojnë fushatën elektorale të çdo partie. Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, deklaroi të shtunën gjatë Asamblesë Parlamentare të kësaj partie, se "bllokimi i Reformës Zgjedhore na ka penguar që të paraqesim sot një projektvendim final, që do të shënonte dhe fillimin e punës konkrete për fushatën elektorale". Asambleja Kombëtare e PAD-së e mbledhur dje, pati si qëllim analizimin e gjendjes politike në prag të fillimit të vitit zgjedhor 2008-2009 si dhe përcaktimin e strategjisë dhe taktikave elektorale. Kryealeancisti Neritan Ceka përsëriti qëllimin që dy partitë e mëdha kanë në hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, duke akuzuar kryesisht Partinë Socialiste. "Kjo reformë ka qenë kundër partive politike përcaktuese, duke pasur si qëllim paralizimin e tyre dhe në fund dhe fshirjen e tyre nga skena politike. E ardhmja do tregojë se ky synim nuk do realizohet dhe do të jetë ideatorja e këtij plani, Partia Socialiste që do ta pësojë nga ky plan, sipas të vërtetës biblike se 'kush i hap varrin tjetrit bie vetë brenda'", tha Ceka. Ai ripërsëriti gjithashtu edhe qëndrimin e PAD-së ndaj protestës së opozitës, ku nuk kurseu akuzat ndaj kreut socialist Edi Rama, duke u shprehur se ai mashtroi qytetarët e Tiranës me vdekjen e Trebickës. Duke u ndalur te reforma në drejtësi, kryealeancisti deklaroi se, "drejtësia i ka të gjitha mundësitë që të reformojë vetveten". PAD, tha ndër të tjera Ceka, e konsideron periudhën që po kalojmë si nga më të rëndësishmet për kombin shqiptar, pavarësia e Kosovës, nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe veçanërisht hapja e procedurës për pranimin në NATO, janë një pranim i faktit që Shqipëria ka bërë hapa të ndjeshëm në përparim të demokracisë, së ekonomisë së tregut dhe stabilitetit në vend dhe në rajon. Ai nënvizoi nevojën e një politike të re në marrëdhëniet midis partive politike dhe në raportet pozitë-opozitë.