Luan Rama: Kreu i PS të shkëputet nga Berisha
LSI i kërkoi dje kryetarit socialist Edi Rama të distancohet nga konsensusi dhe bashkëpunimi me Sali Berishën për Reformën Zgjedhore. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun, Luan Rama, akuzoi kreun socialist se vazhdon t'i japë konsensus maxhorancës për reforma të dështuara, duke mbajtur peng vendin. "E ftojmë publikisht kryetarin në pushtet të Partisë Socialiste në opozitë që të distancohet qartë dhe prerë nga konsensusi politik apo nga konsensusi i së keqes me Berishën, i cili po mban peng reformat e mëdha të zhvillimit të mëtejshëm të vendit", tha sekretari i LSI-së. "Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh shqetësimin se konsensusi politik midis lidershipit të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste po mban peng në mënyrë të qëllimtë reforma të rëndësishme, që kanë të bëjnë me zhvillimet demokratike dhe të ardhmen e vendit dhe në mënyrë të veçantë po mban peng Reformën Zgjedhore dhe Reformën në sistemin e Drejtësisë", tha Luan Rama. Sipas tij, "bashkëfajësia në deformimin e Kushtetutës paralajmëroi gjithçka po ndodh aktualisht dhe që ka të bëjë me sulme të qëllimta dhe të organizuara të maxhorancës mbi Prokurorinë dhe mbi organet e drejtësisë, që frymëzohen nga afera korruptive dhe që synojnë eliminimin e pavarësisë së këtyre organeve dhe shndërrimin e tyre në instrumente të imponimit të pushtetit".