Asfaltohet sheshi, hapet rruga nga Stacioni i Trenit
Një shtresë e mirë asfalti është hedhur prej disa ditësh në sheshin "Skënderbej". Për kryeqytetasit ky ka qenë ndër investimet më të lavdërueshme që ka bërë Bashkia e Tiranës. Këto ditë në shesh nuk kalon më me ankthin se mund të të shkatërrohet automjeti. Ndonëse, për shumëkënd natyrshëm ka lindur pyetja pse kjo masë nuk u mor kohë më parë, kur mijëra makina detyroheshin çdo ditë të kalonin në sheshin gjithë gropa të qendrës. Po kështu, dje Bashkia e Tiranës ka lënë të lirë qarkullimin e mjeteve, me drejtim lëvizjeje nga Stacioni i Trenit drejt sheshit "Skënderbej". Ndonëse tabela sinjalistike, e vendosur nga bashkia, ndalon lëvizjen e mjeteve në atë kah, qarkullimi është lejuar. Policia e Shtetit konfirmon se ndonëse herë pas here i është drejtuar me shkresë zyrtare Bashkisë së Tiranës për të ndryshuar skemën e lëvizjeve të mjeteve, ende nuk ka një përgjigje prej tyre dhe në këto kushte po vijon të respektojë grafikun e vendosur nga Pushteti Lokal, ndonëse kjo rëndon trafikun.