E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ledi Shamku dhe 4 grevistë në spital



Aristir Lumezi

Gjendja shëndetësore e grevistëve në çadrën e urisë është përkeqësuar më shumë dje, kur katër grevistë u detyruan të lenë grevën. Deputetja e qarkut të Tiranës, Ledi Shamku u largua me urgjencë dje në mesditë nga çadra ku qëndronte që prej ditës së parë të grevës, për shkak të komplikacioneve me shëndetin e saj. Një komplikacion me bajamet dhe temperatura e lartë detyruan mjekët që monitorojnë grevistët të vendosnin transportimin e saj në qendrën spitalore "Nënë Tereza", për të vazhduar në kushte të tjera mjekimin. Kishte ditë që shëndeti i Shamkut ishte rënduar, për shkak të kushteve jo të përshtatshme në të cilën zhvillohej greva, por dje për shkak të acarimit të bajameve u bë i pamundur qëndrimi i mëtejshëm në grevë. Sipas mjekëve, ajo duhej të trajtohej me antibiotikë. Por dita e 13 e grevës së urisë ka detyruar dhe katër grevistë të tjerë të lenë çadrën dhe të ndërpresin grevën e urisë, për shkak të rëndimit të shëndetit të tyre. Hasan Sulo, Martin Hasa dhe Ymer Murati, nga Tirana dhe Ibrahim Ceka nga Malësia e Madhe, i cili është ish i përndjekur politik, u larguan dje, duke çuar në 32 numrin e grevistëve që largohen nga çadra.
Gjendja
Gjendja shëndetësore e grevistëve, edhe pse në aparencë duket e qetë, pas 13 ditësh ngujim në fakt fsheh probleme. çdo ditë e më shumë grevistët i drejtohen infermierisë, ku marrin serum, për të mbajtur në ekuilibër parametrat e gjakut, ndërsa çdo ditë bëhen analiza të gjakut për të parë se ku gjendet rezervat e tyre të rezistencës. Vetëm pasi dalin përfundimet e analizave, mjekët në konsultë dhe me profesor Sabit Brokaj, vendosin nëse grevisti duhet të qëndrojë edhe për ndonjë ditë apo duhet të transportohet për në qendrën spitalore, për të marrë mjekimin e nevojshëm që nuk do lejonte rrezikimin e shëndetit të tij. Grevistët thonë se 4-5 prej tyre, që kanë marrë dhe serum, pritet të dalin nga çadra në orët në vijim, por nuk përmendin emrat e tyre, pasi nuk duan që familjarët të shqetësohen. Dje pasdite në çadrën e grevës së urisë shihje më shumë grevistë që qëndronin të shtrirë në shtratet e tyre, në pamundësi të bëjnë lëvizje të panevojshme, për shkak të dhimbjeve që ata ndjejnë në gjymtyrët e poshtme kryesisht, ndërsa më të paktë janë ata që luajnë letra, tavëll apo lexojnë ndonjë libër. Shumica e syve të grevistëve janë të ngulur në ekranet e televizorëve, që organizatorët e grevës kanë shpërndarë në çadrën e madhe në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Tri ditë më parë, në çadër kishte më shumë gjallëri, të ngujuarit lëviznin më shumë në ambientet e saj, luanin dhe shkëmbenin dhe ndonjë batutë mes tyre, ndërsa dje kjo situatë i përkiste të shkuarës. Ndërsa dalja e Ledi Shamkut duket se ka lënë një boshllëk të madh në këndin ku rrinë gratë greviste, ajo që nuk ka ndryshuar në çadër, janë lulet e mbështetësve që mbeten të freskëta, pasi çdo ditë qytetarë, të njohur dhe anonimë, u sjellin grevistëve lule të çdo lloji.

Të larguarit nga greva

1-Klodiana Spahiu, Durrës
2-Ramazan Ceka, Elbasan
3-Romeo Sinaj, Vlora
4-Demo Muhaj, Tirana, (rikthyer)
5-Edmond Prifti, Patosi
6-Bledar Meço, Fier
7-Niko Gora, Korça
8-Isa Arapi, Vlora
9-Salarjon Totaj, Fier
10-Klodian Rira, Prrenjas
11-Arbër Begaj, Tirana,
12-Alfred Davidhi, Fier,
13-Ervin Bushi, Fier,
14-Elisa Spiropali, Tirana,
15-Kujdesim Basha, Kukës,
16-Saimir Gura, Shkodër,
17- Lekë Njeza, Tiranë
18- Bujar Neziri,
19- Besnik Bare,
Tiranë (rikthyer)
20-Andi Hajdari, Tiranë
21-Fatmir Kalemaj, Patos
22-Astrit Agjami, Kukës
23-Asllan Dogjani, Kukës
24-Endrit Gjikondi, Tiranë
25-Artmir Ahmetaj, Tiranë
26-Afrim Syla, Kukës
27-Astrit Sefekolli, Korça
28-Hasan Sulo, Tiranë,
29-Martin Hasa, Tiranë
30-Ledi Shamku, Tiranë
31-Ymer Murati, Tiranë
32-Ibrahim Ceka, M. Madhe

Vizita në spital
Një grup deputetësh të Tiranës shkuan dje pasdite në qendrën spitalore "Nënë Tereza", për të vizituar kolegen e tyre, Ledi Shamku, që doli dje nga greva. Mësohet se ajo ka pasur dhe temperaturë, si shkak i acarimit të bajameve, ndërsa ka nisur trajtimin me antibiotikë. Eduard Shalësi, Sajmir Tahiri, Damian Gjiknuri, Vasilika Hysi, Eglantina Gjermeni, Ditmir Bushati dhe deputetë të tjerë vizituan dje deputeten Shamku në spital, por dhe grevistët e tjerë që u dërguan sot në spital, ashtu si dhe ata që vazhdojnë të qëndrojnë aty, si deputeti i Kukësit, Asllan Dogjani, i cili pati probleme kardiake gjatë ditëve të grevës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›