Kushtetuesja, dekretohen 3 kandidatë
ADI SHKEMBI
Presidenti Bamir Topi dekreton emrat e tre gjyqtarëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Pas më shumë se një muaji konsultimesh, kreu i shtetit ka hedhur dje firmën për tre anëtarë, të cilët do të zënë vendet e gjyqtarëve aktualë që u ka përfunduar mandati.
Dekretet
Zyra e shtypit e Presidentit bëri të ditur dje se Altina Xhoxhaj, Bashkim Dedja dhe Vangjel Kosta janë dekretet e Kreut të Shtetit për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Kushtetutës, emrat e tyre do t'i nënshtrohen votimit me kuti në Parlament, përpara se të marrin zyrtarisht detyrën e re. Deri tani i ka përfunduar mandati Kujtim Putos (që nga 1 prilli 2010), Fehmi Abdiu (nga 27 prill 2010) dhe Sokol Sadushi (nga 27 prilli 2010). Ndërkohë javën e ardhshme i përfundon mandati edhe tre anëtarëve të tjerë të kësaj gjykate, Xhezair Zaganjori, Petrit Plloci dhe Admir Thanza. Sipas ligjit themeltar të shtetit, një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese qëndron në detyrë deri sa Parlamenti voton zëvendësuesin e tij. Ndërkohë, Presidenti Topi pritet të çojë në Parlament edhe dy anëtarë për Gjykatën e Lartë, për shkak se prej disa javësh i ka përfunduar mandati Irma Balës (që nga 9 prilli) dhe Evjeni Sinoimeri (që nga 2 maji).
Emrat e rinj
Dy nga tre gjyqtarët e dekretuar dje nga Presidenti Bamir Topi nuk janë figura të panjohura për politikën. Altina Xhoxhaj ishte një prej pesë gjyqtarëve, që Kreu i Shtetit dekretoi dy vjet më parë për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Por emri i saj u rrëzua së bashku me katër kandidaturat e tjera nga Partia Demokratike, për shkak se ajo akuzoi Presidentin se nuk ishte konsultuar për emrat e gjyqtarëve të rinj. Rrëzimi i pesë emrave të parë bëri që Topi të dërgonte në Parlament pesë kandidatë të tjerë, të cilët u votuan pasi më parë kreu i shtetit u konsultua me juristë të njohur. Ndërkohë një emër po kaq i njohur është edhe ai i Bashkim Dedes. Fillimisht emri i tij u përmend në vitin 2008, kur Presidenti i dekretoi së bashku me Adriatik Llallën si kandidat për postin e Inspektorit të Përgjithshëm të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive. Maxhoranca me shumicë votash zgjodhi Llallën në këtë post, të cilin ai e mban edhe aktualisht. Ndërkohë, Bashkim Dedja ishte në listën e anëtarëve që do të përbënin Kolegjin Zgjedhor për zgjedhjet e 28 qershorit. Por me një procedurë të fshehtë, Dedja ishte një prej emrave që dy partitë e mëdha e hoqën nga lista e gjyqtarëve që do të përbënin Kolegjin, i cili është edhe hallka e fundit e vendimmarrjes së procesit zgjedhor.
Altina Xhoxhaj
Gjyqtarja kryeqytetase, dekretuar e para dje nga Presidenti Topi ka një karrierë 16 vjeçare në drejtësi si gjyqtare penaliste, familjare, tregtare dhe civiliste e përgjithshme. Që prej vitit 2006 Xhoxhaj është anëtare e KLD-së, zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore. Gjatë viteve '98 - 2000 Xhoxhaj ka punuar si pedagoge e jashtme, në Fakultetin e Drejtësisë Tiranë, ndërsa një vit pas diplomimit '94-'95 ka punuar Këshilltare Ligjore në Ministrinë e Drejtësisë, Departamenti i Kodifikimit. Xhoxhaj ka marrë pjesë në dhjetëra kurse kualifikimi brenda dhe jashtë vendit, ndërsa zotëron tre gjuhë të huaja. Dy vjet më parë ajo u dekretua nga Presidenti Topi si anëtare e Kushtetueses por u rrëzua nga parlamenti për shkak të përplasjeve politike të atëhershme.
Bashkim Dedja
Dekreti i dytë i kreut të shtetit për anëtar të Gjykatës Kushtetuese është emri i gjyqtarit të Apelit Durrës, Bashkim Dedja. Dedja ndodhet prej 10 vjetësh në Apelin e Durrësit, ndërsa karrierën në gjyqësor e ka nisur në Faktin e kryeqytetit. Në janar të vitit të kaluar ai u përzgjodh nga shorti anëtar i Kolegjit Zgjedhor, por me të drejtën që u jepte ligji, partitë e kontestuan bashkë me dy emra të tjerë duke bërë që Dedja të mos zgjidhej anëtar i Kolegjit Zgjedhor. Ndërkohë në korrik 2008, gjyqtari Dedja ishte një nga dy propozimet e Presidentit për kreun e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Përfundimisht Kuvendi miratoi kandidaturën e Adriatik Llallës.
Vangjel Kosta
Ish-avokati i Fatos Nanos dhe shumë personaliteteve të tjera, Vangjel Kosta ishte dekreti i tretë që firmosi dje presidenti Bamir Topi për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Kosta ka punuar nga viti 1984 deri në vitin 1993 si gjyqtar dhe kryetar i Gjykatës së Durrësit. Në vitin 1993 deri 2000 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së lartë, ndërsa pas kësaj kohe ka ushtruar profesionin e avokatit, si dhe jurist i shërbimit ligjor falas, pasi ka punuar në OJQ-në CAFOD Albania. Ndërkohë, gjatë kësaj kohe Kosta ka mbrojtur mjaft çështje, kryesisht civile në gjykatë, ku vlen të përmendet ish-kryeministri Fatos Nano i paditur për shpifje nga avokati dhe politikani Idajet Beqiri. Pak muaj më parë Kosta
mbrojti shkrimtarin e shquar Ismail Kadare.