Polonia jep 12 bursa studimi në universitet
Polonia ofron 12-të bursa studimi për vitin akademik 2010-2011. Bëhet fjalë për të drejta studimi për studime universitare dhe pasuniversitare, në universitetet publike të Polonisë. "Të interesuarit për këto të drejta studimi duhet të paraqesin pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, dosjen me dokumentet përkatëse", thuhet në deklaratën për mediat të MASH. Kështu për studime universitare, aplikantët duhet të paraqesin kërkesën për studime, duke specifikuar degën në të cilën kandidati dëshiron të studiojë. Po kështu duhet vërtetimi i notave për tri vitet e para dhe të semestrit të parë të vitit të katërt të shkollës së mesme. Ky vërtetim duhet të jetë i firmosur nga Drejtoria ose Zyra Arsimore e rrethit përkatës. Në dosje bashkëngjitet raporti mjekësor për aftësi studimi, certifikata e lindjes ose fotokopja e kartës së identitetit si dhe 4 fotografi, 4 cm x 6 cm. Ndërsa për studime pasuniversitare, kandidati veç kërkesës duhet të dorëzojë fotokopjen e noterizuar të diplomës së shkollës së lartë, listën e notave, CV, dy letra rekomandimi, raportin mjekësor dhe 4 fotografi. Aplikantët fitues për studime universitare do t'i nënshtrohen vitit përgatitor të gjuhës polake, i cili fillon në shtator 2010, ndërsa aplikantët për studime pasuniversitare duhet ta njohin gjuhën polake. Ata duhet të mbulojnë vetë shpenzimet e udhëtimit për në Poloni, si dhe shpenzimet e ushqimit dhe të akomodimit, të cilat shkojnë afërsisht 350 € në muaj. Pala polake merr përsipër tarifën e shkollimit dhe mundësinë për akomodimin dhe ushqimin me pagesë në konviktet dhe mensat e studentëve. Afati i fundit për pranimin e dokumentacionit është data 11 qershor 2010.