I riu nga Berati gjendet pa ndjenja në autostradë
27/01/2010 Kishte shenja dhune
DURRES- Është gjetur pa ndjenja dhe me shenja të dukshme dhune në anë të autostradës Tiranë-Durrës një shtetas që më pas rezultoi se ishte nga Berati. Për më shumë se 6 orë Miftar Gj. nga Berati me banim në Tiranë ka mbetur i paidentifikuar, pasi nuk kishte asnjë mjet identiteti me vete. 29-vjeçari është gjetur i shtrirë në anë të autostradës fare pranë Urës së Dajlanit. Ekspertët e kriminalistikës dhe mjekët e mjekësisë ligjore kanë vërejtur se viktima kishte shenja të dukshme të përdorimit të forcës në pjesën e shpatullës dhe në fytyrë. Nga pohimet e paramendohet se beratasi po qarkullonte përgjatë autostradës në anë të gardhit prej llamarine që përshkon këtë segment në zonën e banuar të lagjes së Shkozetit. Nuk dihet se përse beratasi Miftar Gj. është detyruar të ecë në këmbë në mesnatë paralelisht me autostradën dhe pse është gjetur pikërisht në atë zonë. Hetimet paraprake kanë shtyrë agjentët e Policisë Kriminale të dyshojnë në përdorimin e qëllimtë të dhunës fizike ndaj 29-vjeçarit, ndërsa ka të mundur që ai të jetë goditur edhe nga ndonjë mjet.