Asgjë e pamundur

Sulmuesi i Schalke 04, Raul ka thënë se skuadra gjermane guxon të ëndërrojë finalen e Ligës së Kampionëve, pas përgatitjes së përballjes gjysmëfinale me gjigantin Manchester United.
Schalke për herë të parë në histori ka kaluar në mesin e katër ekipeve më të mira të garës elite të klubeve evropiane, pas eliminimit të kampionit në fuqi, Inter, në përballjet çerekfinale.
Pas fitores 5-2 në udhëtim në Giuseppe Meazza javën e kaluar, Schalke përfundoi punën me fitore 2-1 edhe në ndeshjen e kthimit në stadiumin e vet Veltins Arena.
“Është moment special, hera e parë në histori të klubit që jemi në gjysmëfinale”, tha 33 vjeçari Raul, i cili e fitoi tri herë Ligën e Kampionëve me Real Madridin.
“Asgjë nuk është e pamundur në futboll, edhe kundër Manchester Unitedit, pse të mos ëndërrojnë për finale”, shtoi ai.
Raul shënoi golin e parë pak para përfundimit të pjesës së parë dhe shtoi rekordin e tij në Ligën e Kampionëve në 71 gola, ndërsa mesfushori i Interit, Thiago Motta barazoi disa minuta pas vazhdimit.
Mbrojtësi Benedikt Hoewedes i dha fund përballjes me golin e fitores në minutën e 81-të. Pas eliminimit të Valencias në rrethin e dytë të garës dhe tani Interit në rrugë drejt gjysmëfinales, Raul ka thënë se qielli është kufi për Schalken në kërkim të finales që zhvillohet më 28 maj në Wembley.
“Është pozitë e shkëlqyeshme. Valencia kishte menduar se do të kualifikohej përballë nesh e pastaj edhe Interi. Shpresoj që edhe Real Madridi të kalojë në finale dhe të takohemi kundër tyre, por fillimisht duhet të përqendrohemi në gjysmëfinale”, u shpreh Raul.
Ndërsa trajneri i Interit, Leonaro, ishte i sinqertë pas humbjes. “Schalke e meritoi fitoren, ata ishin ekip më i mirë në të dy ndeshjet, ndërsa ne jemi paksa të lodhur. Ata kanë mundësi kundër Manchester Unitedit”, tha braziliani.
Por, trajneri i Schalkes, Ralf Rangnick, ka paralajmëruar ekipin e tij se do të jetë autsajder kundër Manchesterit. “Ekipi është shpërblyer me fitore, por ne do të jemi autsajder kundër Manchester Unitedit. Megjithatë, djelmoshat mund të jenë krenarë për arritjen e tyre”, tha ai.
Schalke pret Manchester Unitedin më 26 prill në ndeshjen e parë gjysmëfinale, ndërsa takimi i kthimit në Old Trafford është më 4 maj.