Heynckes mund të dëmtojë Bayernin

Trajneri i Bayer Leverkusenit, Jupp Heynckess, e gjen vetën në një pozitë të pazakontë, nga ku mund të dëmtojë seriozisht shpresat e Bayern Munichut për kualifikim në Ligën e Kampionëve, ndërsa do t’i drejtojë ata nga sezoni i ardhshëm.
Leverkuseni, i dyti, pothuajse ka siguruar kualifikimin e drejtpërdrejtë së bashku me liderin Borussia Dortmund, që ka pesë pikë në tepër, ndërsa një fitore ndaj Bayernit të dielën do t’i mbante ata në garë për titull, pesë ndeshje para fundit.
Për Bayernin, që është i katërti dhe kërkon pozitën e tretë për të pasur mundësi të merr pjesë në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve me Heynckesin dhe finalen në Munich, humbja do të ishte goditje e rëndë.
Një pikë prapa Hannoverit, distanca mund të rritet në katër në rast të humbjes në shtëpi nga Leverkusen. “Kam thënë se të gjitha mendimet e mia tani janë me Leverkusenin”, tha Heynckes i cili dy herë më parë ka qenë trajner i Bayernit.
“Kam një punë për të bërë deri në fund të sezonit dhe nuk mendoj për Bayernin. Ndeshja do të jetë vendimtare për sezonin tonë dhe kështu do t’i qasemi asaj. Ne duhet të fitojmë sepse fitorja mban të gjitha opsionet e hapura”, përfundoi ai.