E Diel, 1 Nëntor 2026

“Imuniteti, detyrimi ligjor i cili heq pengesën për ecjen e Shqipërisë drejt integrimit në BE”

06-08-2012 / Gazeta 55

Flet për gazetën “55”, deputeti i PD-së, Luçiano Boçi

“Imuniteti ka qenë dhe mbetet një çështje sa e rëndësishme politike dhe publike po aq dhe në këto momente teknikale, pasi përmbushja e këtij detyrimi ligjor heq një prej pengesave për ecjen e Shqipërisë drejt qëllimit e destinacionit të saj final, Europës”.
Kështu shprehet midis të tjerave në një intervistë ekskluzive për gazetën “55”, deputeti i PD-së, Luçiano Boçi. Sipas tij, qëndrimi bllokues i PS-së, jo vetëm që nuk ëhstë as i ri dhe as i vjetër, por “është shprehje e koncentruar e mentalitetit politik të kësaj partie dhe lidershipit të saj, i cili të gjithë investimin disavjeçar e ka përqendruar në një politik-bërje pa horizont, konfliktuale dhe nihiliste, që ka synuar në vazhdimësi mosmarrjen me çdo çmim dhe çdo kusht të statusit të vendit kandidat”. Deputeti demokrat është i sigurt se miratimi i këtij drafti stimulon dhe ndihmon prokurorinë në ndërmarrjen e hapave të domosdoshme, ndaj zyrtarëve të lartë apo deputetëve, kur konstatohet apo dyshohet kryerja e një vepre penale, përfshi dhe korrupsionin

Partia Socialiste ke deklaruar se do të jetë në Kuvend, sot më 6 gusht, por s’do ta votojë draftin e kufizimit të Imunitetit për parlamentarët, gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë. Si lexohet ky qëndrim refraktar i opozitës? A do të ketë një fund “të lumtur” kjo histori jo e shkurtër?
Ky qëndrim i PS, siç e cilësoni ju refraktar, por të cilit do ti shkonte më mirë përcaktimi si bllokues, pengues sikurse dhe i papërgjegjshëm politikisht, nuk është as i ri dhe as i papritur. Ai është shprehje e koncentruar e mentalitetit politik të kësaj partie dhe lidershipit të saj, i cili të gjithë investimin disavjeçar e ka përqendruar në një politik-bërje pa horizont, konfliktuale dhe nihiliste, që ka synuar në vazhdimësi mosmarrjen me çdo çmim dhe çdo kusht të statusit të vendit kandidat. Njëkohësisht ky qëndrim tregon qartë që vendimmarrja politike brenda kësaj partie ka tejkaluar tërësisht standardet politike dhe është tashmë në duart e menaxherëve “ekonomikë” që kanë parë tek aderimi në këtë parti strehën e punëve të tyre miliardere dhe tek Edi Rama njeriun që komprometimin me paren e pisët për të pasur pak pushtet, e ka më të lehtë se shkrimin e letrave e tij të panumërta pa sens dhe destinacion të qartë. Për këtë mjafton të evidentohet spostimi i plotë që i është bërë zërave të vërtetë politikë brenda saj, e finalizuar kjo me sukses me përjashtimin komik të Islamit. Debatet që ato kanë gjeneruar përgjatë kësaj kohe, pavarësisht se drafti është tërësisht konvergues dhe ka ndërfutur të gjitha kërkesat e PS, për çështjen e 6 gushtit, për gjoja arnime e nxitime, nuk kanë të bëjnë aspak me datën por me mandatën e afërt që parashikojnë ti presë pas kalimit të këtij ligji. Mandata ose gjëma nga e cila ato ruhen, “si djalli prej temjanit”, për të cilën investuan kaq bojkot, kaq sulme institucionesh, e kaq imunitet të padrejtë, është pikërisht statusi i merituar i vendit kandidat. Krahas kësaj nuk duhet harruar se pas heqjes së imunitetit, i cili dihet se shkon më së shumti në favor të qytetarëve për një politikë ndaj tyre të përgjegjshme, pjesa që bëhet më vulnerabël dhe e goditur ligjërisht është pikërisht qeverisja dhe jo opozita, stepja e së cilës ka të bëjë jo me garancitë e kërkuara por ka të bëjë me frikën e “hapjes së petave të lakrorit” të individëve të saj. Dhe këtu Rama e di mirë që petat e tij fshehin shumë afera të së kaluarës. Ndërkohë ardhja e saj e paturp për të mos votuar, a thua se funksioni i parlamentit është bojkoti i përjetshëm, do të shënojë maskaradën e radhës ku refreni i tyre tallës me vendin “mos votimi i shërben shqiptarëve”, do të përshkojë të gjithë ligjërimet akuzueso-butaforike, të filtruara e të korrigjuara me kujdes nga vetë letërshkruesi (ndoshta është reminishencë ose zakon i së kaluarës kjo) “më i madh” i fundit i zbuluar. Në këto rrethana “happy end-i” i presupozuar duket larg, megjithëse ndërkombëtarët, si për çdo pranueshmëri të zorshme të opozitës, e kanë bërë të tyren.

Sipas jush, drafti i përbashkët për kufizimin e Imunitetit, a e ndihmon punën e prokurorisë për të luftuar korrupsionin?
Sigurisht drafti e stimulon dhe ndihmon prokurorinë në ndërmarrjen e atyre hapave të domosdoshme, deri më tani të penguara, kur nga zyrtari i lartë apo deputeti konstatohet apo dyshohet kryerja e një vepre penale, përfshi dhe korrupsionin. Gjithçka më pas është e përcaktuar qartë brenda draftit, për sa u takon hapave vazhduese, duke ruajtur një ekuilibër të fortë midis akteve për shkak të detyrës dhe ato që nuk përputhen me detyrën.
Pas këtij miratimi ligjor, organi i akuzës është i lirë të ndërmarrë procedime të kategorive të ndryshme të cilat në tërësi janë një hap shumë i rëndësishëm i luftës kundër korrupsionit.
 
Drafti i propozuar në parlament parashikon që imuniteti të jetë “profesional”, që do të thotë se zyrtari i lartë, gjyqtari apo parlamentari nuk mban përgjegjësi për kryerjen e detyrës funksionale si i zgjedhur. A mendoni se me kufizimin e imunitetit ndaj këtyre kategorive  do të nxitet lufta ndaj korrupsionit dhe rritet transparenca publike?
Drafti parashikon që deputeti apo zyrtari i lartë nuk mund të akuzohet për vepra penale që lidhen drejtpërdrejtë me ushtrimin e profesionit të tij dhe gjatë kohës së ushtrimit të këtij profesioni ndërkohë që sikurse gjithë qytetarët e tjerë duhet ti nënshtrohet drejtësisë për çdo akuzë që i referohet emrit të tij si qytetar i thjeshtë jashtë kohës së ushtrimit të detyrës së tij. Ky perifrazim i thjeshte, jo ezaurues në fakt sqarohet në të gjitha etapat e ligjit, i cili në mënyrën si është ndërtuar është koherent dhe i shërben qartazi rritjes së transparencës dhe njëkohësisht shënon një etapë të rëndësishme të luftës ndaj korrupsionit, duke e goditur atë pikërisht në kategorinë më të përfolur nga publiku shqiptar në atë të zyrtarëve të lartë dhe të politikanëve të lartë. Sensibiliteti i qytetarit në këtë pikë ka qenë dhe mbetet i lartë dhe krijimi i këtyre hapësirave investiguese dhe akuzuese do të sillte tek ai besim më të madh ndaj politikës dhe qeverisjes, të cilat në funksionin e tyre, qëllim kanë shërbimin e plotë ndaj tij.
 
Data 6 gusht po afron me shpejtësi, po kështu dhe muaji tetor ku Shqipëria do të ketë një “provim”, që nëse kalohet pritet marrja e statusit të vendit kandidat. Heqja e imunitetit është një pyetje e këtij provimi: A do të përmbyllen reformat integruese në kohë? Nëse “jo”, a ka përgjegjësi?
Imuniteti ka qenë dhe mbetet një çështje sa e rëndësishme politike dhe publike po aq dhe në këto momente teknikale, pasi përmbushja e këtij detyrimi ligjor heq një prej pengesave për ecjen e Shqipërisë drejt qëllimit e destinacionit të saj final, Europës. Me kohë ne një gjë të tillë e kemi merituar si vend e si komb dhe kryerja e detyrimeve politike i ka takuar dhe i takon politikës brenda së cilës krahas sinqeritetit politik të së djathtës bashkëjeton dhe pjesa regresive, e cila frenon dhe ndalon progresin e kërkuar dhe dëshiruar. Megjithatë, në besimin tim të plotë, përgjigja e kësaj radhe do të jetë afirmative. Ndërsa përgjegjësitë e një rrëzimi të mundshëm për shkak të mosvotimit të reformave, kanë qenë dhe janë të qarta për të gjithë. Opozita në rendjen e saj për pak pushtet, e sunduar nga hijet e së kaluarës dhe aferat e së sotmes duket nuk po mund të kapërcejë dot mentalitetet dhe veprimet penguese.
Intervistoi Lavdrim Lita

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›