E Diel, 1 Nëntor 2026

Liberalizimi i plotë i vizave, kushtet e Fratinit për Shqipërinë

Hapen negociatat, numri dy i BE-së kërkon ruajtjen e konsensusit politik. “Kur do ta marrë Shqipëria regjimin e lirë? Kjo do të varet nga rezultatet”
Erald Kapri

Shqipëria ka nënshkruar zyrtarisht me Bashkimin Europian për të nisur bisedimet për liberalizimin e plotë të lëvizjes së qytetarëve në gjithë Europën Perëndimore. Zëvendëspresidenti i BE-së, Franko Fratini, vizitoi dje Tiranën zyrtare, ku u takua me figurat kryesore dhe shpalli fillimin e negociatave për liberalizimin e plotë të vizave. Kjo marrëveshje do të thotë se tashmë e gjithë situata është në dorën e vetë Shqipërisë për të pasur një regjim të lirë vizash për të gjithë qytetarët e saj. Bashkimi Europian ka caktuar disa kushte, të cilat vendi duhet t’i plotësojë, dhe sa më shpejt të plotësohen ato, aq më shpejt do të hapen kufijtë e Europës për qytetarët e thjeshtë shqiptarë. “Ne hapëm sot negociatat për liberalizimin e vizave dhe kur Shqipëria do të marrë regjimin e lirë të vizave, kjo do të varet nga rezultatet”, - tha Fratini në konferencën e përbashkët të shtypit me kryeministrin Sali Berisha. Nisur nga kërkesat e Bashkimit Europian, por edhe e vazhdimësisë së reformave, parashikohet se në vitin 2009 regjimi i vizave do të hiqet me Shqipërinë, gjithmonë në rast se reformat ecin në ritmin aktual.
Kushtet e BE-së
Numri dy i Bashkimit Europian, Fratini, i renditi vetë të gjitha kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë, në mënyrë që vizat të hiqen për të gjithë qytetarët shqiptarë. ”Së pari, zbatimi i plotë i marrëveshjeve ekzistuese, në mënyrë të veçantë marrëveshjen për ripranimin e emigrantëve të paligjshëm dhe marrëveshjen për lehtësimin e vizave. Në mënyrë që të mos ketë inkoherencë dhe mospërputhje, do t’u dërgoj të gjitha konsullatave të vendeve anëtare udhëzime për zbatimin e tyre, përveç udhëzimeve të qarta që ambasadori i KE-së në Tiranë ka vendosur të faqen e internetit. Së dyti, është siguria e dokumenteve. Ne e dimë shumë mirë nga kryeministri se qeveria do të lëshojë për qytetarët dokumentet biometrike dhe që Shqipëria po harton Regjistrin elektronik të Gjendjes Civile. Pika e tretë është bashkëpunimi i ngushtë në luftën kundër krimit të organizuar”, - tha në mënyrë të përmbledhur Fratini.
Në krahun e Fratinit, kryeministri Berisha ndau të njëjtin optimizëm duke u shprehur se do të veprohet më shpejtësi. “Ne po dixhitalizojmë tërësisht Regjistrin e Gjendjes Civile, po vendosim një sistem të ri adresash, kemi vendosur kontrollin e integruar të kufijve dhe së shpejti instalojmë skanerin e parë në doganat tona, për ta përhapur më tej në pikat e tjera kufitare. Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të luftuar trafiqet ilegale. Toleranca zero ndaj krimit të organizuar do të mbetet motoja jonë”, - tha Berisha.
Vizita e Fratinit
Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Fratini, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm i Sllovenisë, mbërriti në Tiranë në orët e para të paradites. Gjatë fjalës së tij ai mbështeti rrugën dhe dëshirën e Shqipërisë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, ndërsa kryeministri Berisha e cilësoi si një mik të shqiptarëve. Ministri t Brendshëm i Sllovenisë, Dragutin Mate, u shpreh optimist për arritjet e vendit tonë si dhe u shpreh se Sllovenia do ta ndihmojë Shqipërinë. “Ju plotësuat disa nga kërkesat tona bazë për të filluar negociatat. Ju mund të mbështeteni te Presidenca e Sllovenisë deri në fund të gjashtëmujorit të parë, por mund të mbështeteni edhe te Sllovenia si vend për çfarëdo ndihme që lidhet me çështjet e sigurisë”, - tha Mate.

8 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›