BSH-ja: “Në 2007-n, edhe 9 mijë shqiptarë të tjerë të papunë”
Raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë shpjegon qartë se për vitin e kaluar numri i të papunëve në vend ka mbetur sërish i lartë. E thënë ndryshe, rreth 6 mijë persona, për shkak të marrëdhënieve informale të punës apo dhe mospërputhjes së ofertës, kanë ngelur sërish të papunë. Duke shtuar këtu dhe 3 mijë të papunët e administratës, rezulton që gjatë vitit 2007 papunësia të jetë rritur me 9 mijë veta. Pra, e gjitha kjo tregon mjaft qartë se këta persona janë regjistruar si të punësuar për shkak të refuzimit të punës që atyre iu është dhënë. “Rënia e numrit të të papunëve me ritme më të shpejta se rritja e numrit të të punësuarve u pasqyrua në një rënie të numrit të vlerësuar të forcave të afta për punë. Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2007, forca e aftë për punë u zvogëlua me 6 mijë individë në bazë vjetore”, - thuhej në raportin e BSH-së. Sipas tij, shfaqja e kësaj dukurie në nivele më të larta mund të jetë rezultat i natyrës informale të marrëdhënieve të punës, i emigracionit dhe i mospërputhjes midis ofertës dhe kërkesës për punë. Po ashtu, numri i të punësuarve në sektorin shtetëror ra me rreth 3 mijë veta gjatë vitit 2007, krahasuar me një vit më parë. Në sektorët privatë problematikë, që ka shënuar ulje të numrit të të punësuarve, është edhe sektori i ndërtimit. Në këtë sektor, numri i të punësuarve gjatë tremujorit të tretë ka vazhduar të bjerë paralelisht me ngadalësimin e prodhimit dhe të shitjeve në bazë vjetore.
BSH-ja, rriten me 8 për qind çmimet e importeve
Ekonomia shqiptare po shpenzon miliarda euro për importet, duke pasur parasysh se gjithçka që konsumojmë e deri te lënda e parë industriale sigurohet nga importi.
Banka e Shqipërisë ka evidentuar në deklaratën monetare se çmimet e importit janë rritur ndjeshëm gjatë vitit 2007. Kjo do të thotë se ekonomia shqiptare po shpenzon miliarda euro për importet, duke pasur parasysh se gjithçka që konsumojmë duke filluar nga ushqimet e deri te lënda e parë për industrinë sigurohet nga importi. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit që lamë pas çmimet e importit janë rritur me 8 për qind kundrejt 1.2 për qind që ka qenë mesatarja historike për periudhën 2001-2008. Rritje kanë pësuar jo vetëm mallrat e konsumit, përfshi këtu produktet ushqimore, por edhe lënda e parë për industrinë. Ekspertët e bankës qendrore kanë evidentuar se edhe nga raportimet e vetë bizneseve rezulton se rritja e kostove të prodhimit gjatë vitit 2007 ka qenë rreth 2 herë më e lartë sesa mesatarja historike.
Banka e Detit të Zi i ofron kredi të buta biznesit shqiptar
Banka e Detit të Zi do të financojë kredi me interesa të leverdisshme për biznesin shqiptar. Bëhet fjalë për shuma që variojnë në miliona euro dhe që do të ndihmojnë për zhvillimin e sipërmarrjes vendase. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Gjok Uldedaj, dje, gjatë një konference për shtyp ku prezantoi edhe marrjen e kryesisë së radhës së organizatës së vendeve të Detit të Zi nga Shqipëria. Sipas Uldedajt, Banka e Detit të Zi është angazhuar që të japë kredi për biznesin shqiptar në vlera 6-26 milionë euro dhe me interesa më të ulëta se bankat e nivelit të dytë.
Si pjesë e organizatës së vendeve të Detit të Zi, Shqipëria do të përfitojë edhe nga projektet që do të financohen për këtë komunitet shtetesh. Bëhet fjalë kryesisht për investime të infrastrukturës rrugore dhe për nxitjen e shkëmbimeve tregta
8 Mars 2008